presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjala e Presidentes Jahjaga në shënimin e përvjetorit të 237-të të pavarësisë së SHBA-së

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, mori pjesë sot në manifestimin e organizuar në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, me rastin e përvjetorit të 237-të të pavarësisë së SHBA-së.

Në fjalimin e mbajtur në këtë manifestim, Presidentja Jahjaga tha: I nderuar Ambasador Reeker,Ambasadore Jacobson,Udhëheqës të institucioneve të Kosovës,Zonja dhe zotërinj, Përderisa jemi mbledhur për të festuar përvjetorin e dyqind e tridhjetë e shtatë së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, unë dua t’ju përcjell urimet më të përzemërta të popullit të Kosovës, urimet më të mira për suksesin e vazhdueshëm në vendin tuaj dhe jashtë tij, për prosperitetin dhe harmoninë. Këtë mbrëmje në të gjithë Kosovën, ne jo vetëm që jemi duke shënuar së bashku pavarësinë tuaj por ne jemi duke festuar përkushtimin tuaj për paqe, liri, barazi, dhe diversitet. Në këtë ditë të rëndësishme për vendin tuaj dhe popullin amerikan, ne po i gëzohemi edhe partneritetit tonë të vlefshëm duke i forcuar lidhjet e miqësisë sonë – që do të jenë afatgjate dhe të përhershme sepse janë të bazuara në vlerat tona të përbashkëta që të dy kombet çmojnë aq shtrenjtë. Përkushtimi juaj ndaj këtyre vlerave në vendin tuaj dhe në mbarë botën, është frymëzim për të gjithë ne këtu në Kosovë përderisa po ndërtojmë vendin tonë me mbështetjen e popullit amerikan dhe përpjekjeve të palodhshme të mijëra burrave dhe grave qytetarë amerikanë që shërbyen si paqeruajtës në procesin e rindërtimit të Kosovës që besuan në vendosmërinë tonë për të aspiruar dhe ndjekur lirinë dhe paqen. Këto vlera që kanë udhëhequr angazhimin tuaj në Kosovë, siguruan paqe dhe stabilitet për qytetarët e saj, dhe mundësinë e hapjes së një kapitulli të ri për rajonin, dhe ne do të mbetemi gjithmonë mirënjohës për ndihmën dhe mbështetjen tuaj. Ju na keni ndihmuar që të bëhemi zot të fatit tone. Vlerat dhe idealet tona janë të frymëzuara nga baballarët që krijuan Amerikën si shtet të njerëzve të lirë. Do të mbetemi të përkushtuar në forcimin e themeleve të një Kosove demokratike, ku të gjithë qytetarët e saj, pavarësisht nga përkatësia e tyre fetare apo etnike, gëzojnë të drejta të barabarta, dhe për të ndjekur një politikë të marrëdhënieve të mira fqinjësore me të gjitha vendet në rajon me respekt për sovranitetin dhe integritetin e tyre përderisa ne përpiqemi që të anëtarësohemi në Bashkimin Evropian dhe në NATO, në partneritet të ngushtë me vendin tuaj. Ashtu sikur John Quincy Adams një herë tha: “Nëse veprimet tuaja frymëzojnë të tjerët të ëndërrojnë më shumë, të mësojnë më shumë, të bëjnë dhe të bëhet më shumë, ju jeni udhëheqës”. Kjo është ajo që ju jeni, Amerikë, dhe kjo është mënyra se si ju na frymëzoni dhe ne. Gëzuar Ditëlindjen! 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.