presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjala e Presidentes Jahjaga në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, me rastin e përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga mori pjesë sot në seancën solemne të Kuvendit të Republikës së Kosovës, me rastin e përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë.

Me këtë rast ajo mbajti një fjalim të cilin po e sjellim në vijim:
 
Të nderuar deputetë,
I nderuar kryetar i Kuvendit të Kosovës,
I nderuar kryeministër,
Të nderuar ministra,
Të nderuar udhëheqës të bashkësive fetare në Kosovë,
Të nderuar ambasadorë dhe përfaqësues të misioneve diplomatike në Kosovë,
Të nderuar përfaqësues të Grupit Drejtues Ndërkombëtar,
I nderuar z. Reeker, zëvendës ndihmës sekretar i shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës,
I nderuar z. Spindelegger, ministër i jashtëm i Austrisë
Të nderuar miq të Republikës së Kosovës: President Ahtisaari, ambasador Ishinger, ambasador Wisner
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,
 
Sot është një ditë e shënuar për popullin tonë, për Republikën e Kosovës, shtetin tonë sovran dhe të pavarur, të ndërtuar në parimin qytetar, në të cilin të gjithë njerëzit pa dallim, i realizojnë në mënyrë të barabartë të gjitha liritë dhe të drejtat e tyre.
 
Republika e Kosovës, shtet sovran dhe i pavarur, është rezultat i përpjekjeve shekullore të popullit tonë për liri, pavarësi e demokraci, për të cilën sakrifikuan shumë breza, që u përjetësua me luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të komandantit legjendar Adem Jashari, të bijve dhe bijave më të mira të popullit tonë, në lëvizjen për pavarësi të ideuar dhe të udhëhequr nga Presidenti historik, dr. Ibrahim Rugova, në përkrahjen e fuqishme ndërkombëtare, të intervenimit humanitar të NATO-s, të ndihmës së vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të vendeve të Bashkimit Evropian.
 
Vendi ynë nga viti 1999 e deri me tash sanoi pasojat e luftës dhe me sukses e përmbushi fazën e rindërtimit, të shtet ndërtimit, të zhvillimit dhe përparimit të të gjitha proceseve demokratike, me angazhimin dhe përkushtimin vetëmohues të të gjithë qytetarëve nën ndihmën dhe përkrahjen e vazhdueshme ndërkombëtare. Për këtë ne sot i falënderojmë dhe shprehim respektin e thellë për të gjithë ata burra dhe gra që erdhën këtu në misionet diplomatike, humanitare, civile e ushtarake dhe në të gjitha misionet e tjera, duke dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për zhvillimin dhe për përparimin e vendit tonë.
 
Kosova me përmbylljen me sukses të fazës së mbikëqyrjes së pavarësisë së saj, që është sukses i yni i përbashkët, tregon se institucionet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës, janë të përkushtuar dhe të përgjegjshëm t’i kryejnë të gjitha obligimet në funksionimin e shtetit në të gjitha segmentet e punës dhe jetës.
 
Ne sot jemi shoqëri e njerëzve të lirë, vend i shanseve dhe mundësive të barabarta, jemi shtet qytetar në të cilin të gjithë njerëzit pa marrë parasysh përkatësinë kombëtare, fetare, racore, pavarësisht nga numri i tyre i gëzojnë të gjitha liritë dhe të drejtat në mënyrë të barabartë në atdheun e tyre Republikën e Kosovës duke i pasur të gjitha garancitë kushtetuese dhe ligjore dhe duke qenë zot të vetvetes, përgjegjës dhe ndërtues të ardhmes së tyre.
 
Komunitetet që jetojnë në vendin tonë: serbët, boshnjakët, turqit, goranët, malazezët, kroatët, romët, ashkalinjtë, egjiptasit dhe të gjithë të tjerët i realizojnë të gjitha të drejtat e veta individuale dhe kolektive qytetare dhe kombëtare. Nëpërmjet procesit të decentralizimit dhe me Pakon e Ahtisaarit, që është inkorporuar plotësisht në Kushtetutën dhe në ligjet e shtetit tonë, në mbarë territorin, veçanërisht në komunat në të cilat janë në numër më të madh qeverisin dhe i realizojnë të drejtat e pushtetit dhe të administrimit duke qenë përgjegjës për zhvillimin në përgjithësi, dhe veçanërisht në realizimin e arsimit në të gjitha nivelet, të shëndetësisë, të kompetencave në çështjen e menaxhimit të financave dhe taksave komunale, në polici etj.
 
Disa nga këto komuna qeverisin edhe me arsimin universitar dhe me shërbimin shëndetësor sekondar. E gjithë kjo është një begati e jona është një vlerë në marrëdhëniet ndërnjerëzore, ndërnacionale dhe ndërkonfensionale, duke ofruar garanci dhe zhvillim të papenguar, të kulturës, të traditës, duke mbrojtur të gjitha objektet e kultit, objektet fetare dhe monumenteve të trashëgimisë. Me këtë japim shembull se si nëpërmjet mirëkuptimit, besimit dhe tolerancës mund të ndërtojmë të ardhmen më të mirë për të gjithë ne.
 
Në demokracinë tonë qytetare dialogu i brendshëm me mirëkuptim dhe besim të ndërsjellë është parim i veprimit të institucioneve. Ne do te dialogojmë me qytetarët tanë në tri komunat në veri të territorit të Kosovës duke arritur mirëkuptimin se veprimi brenda institucioneve, qeverisja në nivel komunal ashtu si dha rezultate në të gjitha komunat e tjera të Kosovës, do të jetë e suksesshme edhe në këtë pjesë të territorit, duke iu mundësuar qytetarëve që nëpërmjet zgjedhjeve të lira dhe të ndershme të zgjedhin përfaqësuesit dhe udhëheqësit e tyre legalë dhe legjitimë, që do t’i përfaqësojnë interesat e tyre.
 
Republika e Kosovës është faktor paqeje dhe stabiliteti, që zhvillojmë marrëdhënie të mira fqinjësore dhe bilaterale me një varg shtetesh, duke qenë subjekt i barabartë ndërkombëtar dhe duke dhënë kontributin tonë e duke u fuqizuar si faktor jo vetëm ne rajon por edhe më gjerë, duke ecur fuqishëm dhe sigurt në rrugën tonë drejtë integrimeve euroatlantike.
 
Kontribut për paqen dhe stabilitetin dhe për normalizimin dhe relaksimin e marrëdhënieve ndërmjet shteteve e shohim edhe në normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Ne e kemi shprehur përkushtimin tonë që të zhvillojmë marrëdhënie si dy shtete sovrane dhe të pavarura. E respektojmë dhe e mirëpresim si tejet të nevojshme ndihmën e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në këtë proces, sidomos në dialogun që po zhvillohet në Bruksel ndërmjet dy vendeve tona. Marrëveshjet e arritura që vendi ynë po i zbaton me përpikëri janë në dobi të qytetarëve të dy vendeve tona. Marrëdhëniet e mira fqinjësore janë parakusht për vendet që dëshirojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian. Edhe pse kjo rrugë është individuale dhe e veçantë për secilin shtet, ne mund t’i përmbushim kriteret vetëm duke i ndihmuar dhe jo duke i penguar njëri-tjetrit.
 
Ideali i të gjithë neve, përkushtimi dhe synimi ynë është të jemi një vend i mundësive të mëdha, një vend i zhvilluar dhe i përparuar, i prosperitetshëm me standarde dhe arritje të larta demokratike, një vend në të cilin rinia jonë dëshiron të jetojë, të shkollohet dhe të punojë duke e parë perspektivën dhe të ardhmen e sigurt.
 
Në këtë ëndërr tonën që sot po e bëjmë realitet po i ndërtojmë të gjitha mekanizmat dhe kapacitet tona, duke qenë të ndërlidhur fuqishëm me trendet evropiane dhe botërore. Ne do të shfrytëzojmë pasuritë dhe resurset tona për ta zhvilluar vendin, do të shfrytëzojmë potencialin e rinisë sonë të aftë dhe të edukuar mirë për të avancuar të gjitha proceset demokratike në vend dhe për ta ndërtuar atë. Po bëjmë reformat e thella në të gjitha fushat, përfshirë edhe ato në administratë, për të arritur standarde dhe për ta përafruar vendin me BE-në. Duam një shërbim cilësor për qytetarët kudo qoftë, në çdo pjesë dhe cep të Kosovës.
 
Vendi ynë në periudhën e tranzicionit po ballafaqohet me vështirësi të caktuara dhe dukuri negative që janë karakteristikë për këtë fazë të zhvillimit. Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar duhet të fitohet. Në këtë të gjithë ne: Qytetaret, institucionet, organet e specializuara, miqtë tanë ndërkombëtarë jemi të përkushtuar dhe të angazhuar që përfundimisht ta çrrënjosin dhe ta mundim këtë të keqe që po e errëson perspektivën e vendit dhe të ardhmen tonë. Vetëm kështu e forcojmë shtetin tonë, vetëm kështu e bëjmë realitet parimin e sundimit të ligjit, vetëm kështu e rrisim besimin e qytetarëve në institucione dhe gëzojmë respektin e bashkësisë ndërkombëtare.
 
Brenda këtyre viteve kemi arritur që, së bashku me partnerët ndërkombëtarë, të ndërtojmë mekanizma të besueshëm të sigurisë, mekanizma në shërbim të qytetarit të Republikës së Kosovës. Mekanizma të sigurisë me standardet më të larta ndërkombëtare.
 
Kemi ndërtuar nga e para Policinë e Kosovës, një strukturë profesionale të trajnuar dhe shkolluar në bazë të standardeve më të larta e aftë t’i kryej të gjitha detyrat në mbrojtje të rendit dhe ligjit.
 
Kemi krijuar Forcën e Sigurisë së Kosovës, një strukturë e uniformuar që është e trajnuar sipas standardeve më të larta të NATO-s.
 
Të gjitha këto shtetin tonë e bëjnë të qëndrueshëm dhe demokratik, një vend të besimit dhe të shpresës.
 
Të nderuar deputetë,
Të nderuar miq të vendit tonë,
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,
 
Vizioni ynë si popull dhe si vend është Evropa ku bëjmë pjesë si kulturë dhe si civilizim, të jemi pjesë e dinjitetshme dhe e barabartë, synimi i të gjithë neve është anëtarësimi në NATO dhe në Bashkimin Evropian.
 
Ne si shtet dhe si shoqëri do t’i plotësojmë të gjitha parakushtet, standardet dhe reformat e nevojshme që këtë vizion tonin ta bëjmë sa më shpejtë realitet.
 
Si në çdo gjë tjetër edhe në këtë do t’ia dalim me përkushtimin dhe me vullnetin tonë dhe me ndihmën e pakursyer të miqve tanë ndërkombëtarë.
 
Përmbyllja e mbikëqyrjes së pavarësisë është një rrjedhë e natyrshme e rrugëtimit tonë. Është një zgjidhje e drejtë e çështjes sonë e idealeve për liri, pavarësi e demokraci.
 
Të nderuar qytetarë,
 
Sot, në këtë seance solemne, më lejoni të falënderoj miqtë tanë që na kanë nderuar me praninë e tyre në këtë dite historike për vendin tonë.
 
I nderuari President Ahtisaari, ambasador Wisner, ambasador Ishinger, në emër të të gjithë qytetarëve të Kosovës ju falënderojmë nga zemra dhe gjithherë do ta gëzoni respektin dhe nderimin tonë më të lartë për gjithë punën dhe angazhimin tuaj që keni bërë për Kosovën, për paqen dhe stabilitetin, për mirëkuptimin dhe solidaritetin në mes popujve dhe për idealin e lirisë dhe të demokracisë.
 
Me këtë rast më lejoni të falënderoj edhe të gjitha personalitetet e tjera që në çfarëdo forme kontribuuan për këto ideale.
 
Më lejoni me këtë rast, me respekt të thellë, të përmend ambasadorin Richard Hollbruk, diplomatin e njohur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ministrin e jashtëm të Britanisë së Madhe, z Robert Cook, që i dhanë vulë epokës sonë.
 
Nderim i veçantë dhe kujtim pieteti për gjithë ata burra dhe gra që dhanë jetën gjatë misionit të tyre në Kosovë. Falënderime të përjetshme për shëmbëlltyrën e tyre nga populli i Kosovës.
 
Urime në suksese tona të përbashkëta,
Zoti e bekoftë Kosovën,
Zoti ju bekoftë juve.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.