DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjala e Presidentes Jahjaga në konferencën për media, pasi takimit me z.Philip Reeker

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga priti sot në takim zëvendës ndihmës sekretarin e Shtetit, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z.Philip Reeker, me të cilin diskutoi për një varg temash me rëndësi.

Pas takimit, Presidentja Jahjaga dhe zëvendës ndihmës sekretari Reeker dhanë nga një deklaratë para mediave. Po sjellim në vijim deklaratën e Presidentes Jahjaga: Patëm një takim shumë të mirë me zëvendës ndihmës sekretarin e Shtetit, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z.Philip Reeker. E falënderova për ndihmën e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në të gjitha proceset nëpër të cilat ka kaluar dhe po kalon Kosova, duke vlerësuar që vizita dhe mesazhet që i sjell z. Reeker janë shumë të rëndësishme, në kohën e përmbylljes me sukses të mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës. I shpreha falënderimet e popullit të Kosovës dhe ndjenjat e miqësisë së thellë për popullin dhe shtetin amerikan. Për Kosovën dhe popullin tonë është jetike kjo ndihmë, përkrahje dhe mbështetje. Sepse në Amerikën e shohim mikun më të madh dhe më të sinqertë dhe sepse idealet e qytetarëve amerikanë janë edhe idealet e qytetarëve tanë.Vlerësuam se Kosova është një tregim i suksesshëm, i vullnetit të lirë të popullit të saj dhe i angazhimit dhe përkrahjes së fuqishme ndërkombëtare. E sigurova z. Reeker se institucionet dhe qytetarët e Kosovës janë të gatshëm dhe të përkushtuar që t’i përmbushin të gjitha obligimet për ndërtimin e shtetit demokratik, për rend dhe sundim të ligjit, për luftë efikase kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, për të drejtat e garantuara për të gjitha komunitetet dhe për plotësimin e të gjitha standardeve duke i bërë të gjitha reformat e nevojshme që Kosova të bëhet vend anëtar i NATO-s dhe BE-së. Republika e Kosovës është faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon, zhvillojmë marrëdhënie të mira fqinjësore me të gjitha shtetet. Marrëdhënie të tilla dëshirojmë edhe me shtetin tonë fqinj, Serbinë, për t’i normalizuar marrëdhëniet dhe për t’i zgjidhur të gjitha çështjet që janë në interes të popujve, të vendeve dhe të gjithë qytetarëve. Kjo nuk ka alternativë. Republika e Kosovës po i zbaton të gjitha obligimet e saj ndërkombëtare, të dala në formë marrëveshjesh në dialogun e lehtësuar nga BE-ja në Bruksel. E sigurova z. Reeker se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara që të vazhdojnë të dialogojnë me të gjithë qytetarët e Kosovës, në të gjitha komunat, përfshirë këtu edhe tri komunat në veri të vendit. Të gjejnë dhe të ofrojnë zgjidhje që në harmoni me Kushtetutën e vendit t’i realizojnë të gjitha të drejtat dhe liritë duke përfshirë kompetencat e garantuara me Pakon e Ahtisaarit. Shteti ynë, duke i marrë të gjitha obligimet, e merr edhe përgjegjësinë për të ardhmen, për zhvillimin ekonomik dhe zhvillimin e përgjithshëm, që do ta bënte Kosovën një vend tërheqës për investime të huaja, një vend të prosperueshëm, një vend të mundësive dhe shanseve të barabarta. Duke ju falënderuar edhe një herë për vizitën në këto çaste historike për vendin dhe popullin tim, për ndihmën dhe përkrahjen e fuqishme të Shteteve te Bashkuara të Amerikës, z. Reeker e keni fjalën.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.