DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjala e Presidentes Jahjaga në Samitin Global për Parandalimin e Dhunës Seksuale në Konflikt

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga po qëndron në Londër, ku po merr pjesë në Samitin Global për Parandalimin e Dhunës Seksuale në Konflikt.

Mikpritës i Samitit është sekretari i Jashtëm Britanik, William Hague, ndërsa bashkëmikpritëse është e dërguara e Posaçme e Komisionerit të Lartë të OKB-së për refugjatë, zonja Angelina Jolie.

Në Samit, i cili është samiti më i madh ndërkombëtar i mbajtur ndonjëherë për këtë çështje,  po marrin pjesë përfaqësues të lartë nga e gjithë bota, përfaqësues nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, ministra të jashtëm të vendeve të ndryshme. Gjithashtu, është e pranishme edhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton.

Presidentja Jahjaga sot pasdite i është drejtuar Samitit me një fjalim, të cilin po e sjellim të plotë në vijim:

Të nderuar Ministra,
Zonja dhe Zotërinj,

Është kënaqësi t’ju drejtohem sot këtu si përfaqësuese e një shoqërie e cila ka qenë e prekur thellë nga represioni dhe lufta. Trauma nga e cila vuajmë është temë e këtij diskutimi të rëndësishëm këtu në Londër, si dhe mënyrat me të cilat ballafaqohemi me të.

Shpesh në vendet e përfshira nga lufta, për arsye të prioriteteve garuese në agjendën tonë të brendshme dhe nevojës për të lëvizur përpara, ne harrojmë traumat kolektive të cilat i kemi përjetuar.

Por, nëse krimet e të kaluarës nuk adresohen, posaçërisht tortura dhe shkeljet e rënda të të drejtave njerëzore, nuk do të ketë rimëkëmbje. Thjeshtë, nuk do të ketë paqe.

Dëshiroj të përgëzoj Sekretarin për punë të jashtme, z. Hague dhe qeverinë britanike për kuptimin e pasojave sociale, psikologjike dhe kulturore të konfliktit, si dhe nevojën urgjente për ndalimin e mosndërshkueshmërisë, gjë e cila është shpesh e asociuar me këtë krim.

Dhuna seksuale në kontekst të konfliktit – dhe në çfarëdo konteksti tjetër – është torturë, dhe besoj se është nevojë e madhe që ta ndërrojmë fjalorin dhe t’i drejtohemi si e tillë. Parandalimi i kësaj forme të torturës do të jetë parandalim i një padrejtësie të madhe. Ne nuk mund që edhe më tej ta trajtojmë dhunën seksuale në konflikte si një dëm kolateral të luftës.

Nëse nuk adresojmë dhunën seksuale gjatë luftës, ne atëherë tregojmë vetëm gjysmën e tregimit të luftës, sepse ky lloj krimi lufte jo vetëm që viktimizon ata që janë të prekur në mënyrë direkte, por po ashtu edhe familjet dhe komunitetin përreth tyre.

Secila përvojë mund të ndihmojë që të kuptohet më shumë ky fenomen kompleks, e po ashtu edhe Kosova mund të kontribuojë në këtë aspekt.

Siç e dinë shumë nga ju, të pranishëm në këtë dhomë, pesëmbëdhjetë vjet më parë ne trashëguam një vend të shkatërruar. Lufta në Kosovë la pas vetes dhjetë mijë civilë të vdekur, një milion-gjysma e popullatës së Kosovës- të zhvendosur, shumë viktima të torturës, shkatërrim fizik dhe një trashëgimi të armiqësive dhe të pastrimit etnik të ndërmarra nga forcat serbe.
Gjatë luftës në Kosovë, dhuna seksuale është përdorur si një “instrument terrori”, siç e ka deklaruar edhe vetë Gjykata Ndërkombëtare për Krimet e luftës në ish-Jugosllavi, një instrument terrori i përdorur gjatë pastrimit etnik për të siguruar që njerëzit kurrë më të mos kthehen në shtëpitë e tyre, dhe nëse dhe kur të kthehen tek komunitetet e tyre, ata do të detyrohen që t’i vuajnë vragat e lëna nga ato ngjarje përjetësisht. Kishin për qëllim të shpërndajnë urrejtje dhe ta vazhdojnë luftën edhe pasi që lufta të përfundonte në fushëbetejë.

Përdhunimi ishte përdorur me qëllim të shkatërrimit të familjeve, turpërimit të femrave, dhe përuljes së meshkujve, të cilët zakonisht perceptoheshin si mbrojtës të familjeve.
Por, viktimat e këtyre krimeve ishin të plagosura thellë, por jo edhe të thyera.
Rimëkëmbja jonë nga lufta nuk ishte e lehtë. Pati nevojë për intervenim ushtarak dhe bujari nga komuniteti ndërkombëtar, si dhe vullnet nga ana e qytetarëve tanë për të arritur aty ku jemi sot. Po ashtu kishte nevojë edhe për kurajë dhe vullnet politik për të gjetur zgjidhje origjinale, të krijuara enkas për kontekstin tonë, për këto ndodhi të tmerrshme.

Përdhunimi në luftë mbetet akoma një temë e rëndë për t’u adresuar në Kosovë, siç është edhe në vendet tuaja respektive. Në shoqërinë tonë, gratë përjetuan sulmin më të rëndë. U ndjenë të izoluara, të paafta për të folur për krimin e pa imagjinueshëm, në kohën kur tregimet mbi sakrificën e secilit kontribuuan në narativin kombëtar të shtetndërtimit, dhe kur kryesit e këtyre krimeve ia mbathën të pa dënuar.

Disa trajtime kanë dimension ligjor. Dhuna seksuale është njohur si krim lufte dhe krim kundër njerizimit nga Gjykata për Ruandën dhe Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte në Jugosllavi në vitin 1995. Ky lloj krimi ishte i përfshirë në aktakuzën kundër Presidentit të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq dhe udhëheqësve tjerë, ideatorë të luftërave ballkanike të viteve 1990. Gra dhe burra, viktima të kësaj dhunë të tmerrshme, u bënë bashkë që t’i sjellin kryesit e këtyre veprave para vëmendjes dhe drejtësisë ndërkombëtare.

Por, për viktimat, përdhunimi si armë lufte nuk ishte vetëm kategori ligjore e cila do të trajtohet me një zgjidhje ligjore. Për të tillët, të cilët duhej të jetonin për çdo ditë më vragat e shkaktuara nga një torturë e tille- edhe fizike dhe psikike- zgjidhjet u gjenden në vetë shoqërinë, në një rrjet të madh të grupeve për të drejtat njerëzore dhe OJQ-të të cilat jo vetëm që ofruan ndihmë, por edhe katalizuan vëmendjen ndaj kësaj çështjeje.

Dhe mu këtu qëndron shpresa e cila ka buruar nga kjo tragjedi. Në fshatrat dhe qytetet në mbarë Kosovën, gratë ndihmuan shoqërinë që të ecë përpara. Kur gratë aktiviste takuan viktimat e dhunës seksuale në kampet e refugjatëve dhe më vonë kur ato u kthyen në banesat e tyre, shpesh nuk kishte nevojë që të flitej. Ajo për çfarë viktimat e përdhunimit gjatë luftës kishin nevojë ishte që ta kenë dikë pranë, të kalojë kohë me to pa parashtruar asnjë pyetje të vetme. Në disa raste këndimi dhe luajtja në çifteli kishte efekt shërues. Ngrohtësia dhe mbështetja nga komuniteti ishte ajo që kishte rëndësi.

Gratë ndihmuan gratë kur familjet u kthyen kundër tyre. Nga viktima, ato u shndërruan në ndërtuese të paqes. Një model i tillë u sigurua edhe në nivel qendror, kur në parlament u vendos kuota prej 30 % për reprezentim të grave- masë e cila vlen edhe sot.

Fuqia e tyre u rrit në mënyrë eksponenciale kur ato tejkaluan kufijtë politikë dhe ideologjikë për t’u bërë bashkë për atë që ishte e rëndësishme për Kosovën e pasluftës – krijimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse – pa marrë parasysh gjininë dhe kombësinë.

Ajo që ndodhi në mënyrë të natyrshme në nivel lokal u transformua në një kapital politik. Të fuqizuara politikisht, gratë anëtare të parlamentit sollën vuajtjet e grave aktiviste në nivel qendror. Të njëjtën e bënë edhe minsitret të cilat krijuan ura në mes të legjislativit dhe ekzekutivit, të cilat siguruan implementimin e masave për rehabilitimin e viktimave.

Të pajisur me këtë fuqi politike, për t’u bërë zëri i të pazëshmëve, ne duhej të ndërmerrnim një qasje sistemike – të siguronim që tortura të cilën e kishin duruar gjatë luftës të mos thellohej pas luftës.
Por ku qëndron sakrifica e viktimave të dhunës seksuale në narativin e shtetndërtimit? A janë ato heroina, martire? Apo ato po e sfidonin storjen e kurajës dhe mbijetesës kombëtare? Debatet të cilat pasuan nuk ishin të mira.
Por, zëri i arsyes u dëgjua, zërat e avokuesve, të cilët kishin punuar me viktimat në mbarë Kosovën, të cilit e dinin intimisht se sa vështirë është për viktimat të jetojnë me stigmën, sa vështirë është të thyhet heshtja. Disa nga këta avokues ishin anëtarë të Qeverisë së Kosovës, të tjerët të Kuvendit. Unë, si Presidente, u zotova se do ta njoh këtë krim të luftës të kryer ndaj tyre.
Duke e njohur të drejtën e viktimës për të qëndruar e heshtur, dhe domosdoshmërinë për kujdes shëndetësor dhe mbijetesë ekonomike dhe sociale, ne duhet të lëvizim përtej ndihmës së ofruar nga OJQ-të të cilat kanë bërë një punë të madhe drejt adresimit të nevojave imediate për institucionalizimin e kësaj ndihme. Ne duam të sigurojmë që institucionet e Kosovës të kujdesen për qytetarët e tyre dhe që kjo ndihmë të jetë e institucionalizuar, konsistente dhe gjithëpërfshirëse.
Statusi i viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës është njohur me një ligj, i cili përfshin të gjithë qytetarët tjerë të prekur nga lufta, një fitore e madhe për rehabilitimin dhe integrimin e tyre dhe si hap i parë për t’u ofruar atyre njohjen për vuajtjen e përjetuar nga ky krim mizor.

Në muajin mars, unë kam themeluar Këshillin Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale Gjatë Luftës, i pari i këtij lloji, për ta thyer heshtjen mbi këtë çështje dhe për t’i institutionalizuar angazhimet tona për riintegrimin e viktimave. Këshilli mbledh së bashku ministrat e drejtësisë, shëndetësisë, zhvillimit ekonomik dhe mirëqenies sociale, dhe aktivistë të shoqërisë civile të cilët i kanë dedikuar jetërat dhe punën e tyre adresimit të nevojave të grupeve të margjinalizuara dhe organizatat ndërkombëtare.
Puna e këtij Këshilli udhëhiqet nga Deklarata për ndalimin e dhunës seksuale në konflikte, me besim të plotë se nëpërmes aktiviteteve të grupeve tona punuese ne do të jemi në gjendje të ofrojmë qasje në shërbimet e nevojshme ekonomike, sociale , ligjore dhe shëndetësore, të gjithë të mbijetuarve.

Nëpërmes të involvimit direkt të organizatave të shoqërisë civile, Kosova ka ofruar përvojën dhe këshillat për hartimin e Protokollit Ndërkombëtar, një dokument i cili na ka mbledhur të gjithëve këtu në Londër, për të siguruar se do ta ndalojmë këtë krim lufte.

Do të jetë prioritet i imi që të gjej mënyrën më të mirë për ta përfshirë këtë Protokoll në dokumente ligjore të cilat drejtojnë punën e institucioneve tona. Ju inkurajoj që edhe ju ta bëni këtë.

Ne nuk mund ta ndryshojmë të kaluarën e dhimbshme të viktimave të dhunës seksuale. Por jemi të vendosur që ta ndryshojmë të ardhmen e tyre.

Zonja dhe Zotërinj,
Kur Kosova adoptoi kuotën gjinore për parlament, si masë për të vendosur barazi gjinore në institucionet e saj, kjo gjë solli shumë debat mbi çështjen se a ishte ky intervenim demokratik ose a po zgjedhim kuantitet e jo kualitet.

Përvoja jonë nuk ishte e tëra perfekte për të siguruar se gratë janë pjesë e angazhimit për të ndërtuar paqe. Por me kalimin e kohës, prezenca e tyre në institucionet kyçe u bë dëshmi e gjithëpërfshirjes, e politikave të balancuara, e një paqeje të qëndrueshme dhe lirisë e cila u bë më kuptimplotë dhe e matshme për secilin.
 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: SR

This site is registered on wpml.org as a development site.