Nën patronazhin e Presidentes së Republikës së Kosovës, zonjës Atifete Jahjaga, përkatësisht nën patronazhin e Këshillit Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë Luftës, në bashkëpunim të ngushtë me Ambasadën e Britanisë së Madhe, po organizohen një varg aktivitetesh për shënimin e Samitit Global për të Ndalur Dhunën Seksuale në Konflikte, me moton “time to act” (koha për veprim), i cili po i zhvillon punimet në Londër.
Manifestimi qendror u zhvillua sot në Sheshin 21 në Prishtinë, me pjesëmarrja të zyrtarëve të lartë vendorë e ndërkombëtarë. Në manifestim u dha mesazhi i Presidentes Jahjaga, e cila po merr pjesë më Samitin Global për të Ndalur Dhunën Seksuale në Konflikte, në Londër. Në vijim mesazhi i Presidentes Jahjaga: Të nderuar pjesëmarrës, Dhuna seksuale në konflikte nuk është krim vetëm mbi individin, është krim mbi të gjithë shoqërinë, është mjet lufte, është krim lufte. Fajtorë janë ata që kryen këto vepra mizore, jo viktimat e saj. Viktimat e këtij krimi janë të pafajshme. Padyshim, si në të gjitha shoqëritë e botës edhe në shoqërinë tonë, ky mjet mizor lufte ka shkatërruar jetë e familje të tëra, ka prekur vlerat e shoqërisë, ka lënë përgjysmë ëndrrat e qindra mijëra njerëzve të pafajshme, duke dashur të ndjell mjerim, robërim, heshtje. Por, ne kemi vendosur të mos rrimë të heshtur para këtij krimi, jemi bërë zëri i të gjithë atyre viktimave, jemi bërë forca e tyre, shpresa e tyre për një ardhme më të mirë, një të ardhme në paqe për vendin tonë, për të gjithë ata që sakrifikuan kaq shumë. Ndërsa shënojmë Samitin Global për të ndalur dhunën seksuale në konflikte, një iniciativë e Sekretarit të Jashtëm Britanik, William Hague dhe Përfaqësueses së Veçantë të Komisionerit të Lartë për Refugjatët, Angelina Jolie, hedhim një hap të rëndësishëm, të përbashkët duke e ngritur zërin kundër dhunës seksuale si krim lufte, po aq të rëndë sa të gjitha krimet e tjera të kryera në luftë. Së bashku jemi duke thyer muret e vetmisë që kanë rrethuar me vite të tëra nënat, motrat dhe vajzat tona. Po i njohim pasojat e rënda dhe shkatërruese që lë pas, po e njohim nevojën për t’i thënë ndal. Nevojën për të mos lejuar më askë të nëpërkëmbë viktimat dhe për të mos lejuar më askë të mbetet i pandëshkuar për krimin e bërë. Ngremë zërin për të gjitha ata të pafajshëm që sot jetojnë të ndrydhur. I themi ndal kësaj lloj dhune, u themi dhunuesve se nuk do të mbeteni të pandëshkuar. Jam krenare që shoqëria jonë e kuptoi që nuk do të gjejë paqe pa paqen e tyre. Kemi hedhur vetëm hapat e parë drejtë kthimit të dinjitetit të të mbijetuarave, dhe kemi akoma rrugë për të bërë për t’ju ofruar atyre trajtimin e merituar prandaj do ta përmbushim obligimin tonë qytetar dhe institucional. Ne i themi jo stigmatizimit, jo dhunës seksuale, kësaj forme të torturës. Dëshiroj të falënderoj të gjithë ata burra dhe gra të cilët besuan në të drejtën e tyre, luftuan pareshtur për të drejtat e tyre, që nuk u ndalën edhe atëherë kur u kërcënuan, edhe atëherë kur u nënçmuan. Këtë vendosmëri dhe përkushtimin tonin të përbashkët do ta kthejmë në punë konkrete për t’i kthyer këta mbijetuar në mesin tonë, aty ku përkojnë. Sepse nuk ka ne dhe ato. Jemi ne dhe jemi një. Faleminderit!