Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, u takua sot në Londër me sekretarin e jashtëm të Britanisë së Madhe, zotëri William Hague, njëkohësisht mikpritës i Samitit Global për Parandalimin e Dhunës Seksuale gjatë konfliktit.
Presidentja Jahjaga fillimisht e përgëzoi zotëri Hague për suksesin e Samitit Global dhe për përfshirjen e Kosovës në përpjekjen e përbashkët ndërkombëtare për të parandaluar dhunën seksuale. Ajo e falënderoi sekretarin Hague edhe për mbështetjen që i ka dhënë Këshillit Kombëtar për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe theksoi se dokumentet ndërkombëtare, posaçërisht Protokolli Ndërkombëtar i nënshkruar nga të gjithë pjesëmarrësit e Samitit në Londër, do të jenë dokumente të rëndësishme që ndihmojnë në parandalimin e dhunës seksuale si mjet të luftës kudo në botë. Presidentja Jahjaga tha se Kosovës i duhet mbështetja për të njohur rastet e dhunës seksuale gjatë luftës si pjesë të kronologjisë së OKB-së dhe theksoi se për t’i dhënë fund kulturës së mosndëshkimit është e nevojshme një qasje rajonale për të gjetur mënyrën që edhe Serbia të fillojë të merret me krimet e këtij lloji në të kaluarën.Presidentja Jahjaga tha se për Kosovën kjo ka rëndësi të madhe, sepse deri më sot nuk ka pasur asnjë rast të dënimit për përdhunime gjatë konfliktitPresidentja Jahjaga dhe sekretari Hague biseduan edhe për zhvillimet aktuale në Kosovë si dhe perspektivën evropiane të saj. Ajo tha se Kosova sapo ka përmbyllur një proces të rëndësishëm, demokratik dhe gjithëpërfshirës zgjedhor. Presidentja Jahjaga tha se Kosova ka shënuar përparime dhe posaçërisht ne rrugën e saj të integrimeve evropiane, me përmbylljen me sukses të Negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, duke ndërtuar një marrëdhënie të re me BE-në. Ajo theksoi se në raport me fqinjët, Republika e Kosovës po luan një rol të rëndësishëm të bashkëpunimit, duke përfshirë këtu edhe Republikën e Serbisë, me të cilën ka arritur marrëveshje të rëndësishme gjatë dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. Presidentja Jahjaga tha se marrëveshjet e arritura duhet të përmbushen në tërësi sepse kjo lehtëson jetën e qytetarëve, dhe theksoi në veçanti domosdoshmërinë e shpërbërjes së plotë të të gjitha strukturave paralele dhe ilegale të sigurisë që veprojnë në pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës.Ajo theksoi se institucionet e Kosovës i kanë kushtuar një rëndësi të veçantë ndërtimit të shtetit të së drejtës, ku sundon rendi dhe ligji.Sekretari i jashtëm i Britanisë së Madhe, zotëri William Hague, e falënderoi Presidenten Jahjaga për gjithë përkrahjen që i ka dhënë Samitit dhe për pjesëmarrjen e saj në punimet e tij. Sekretari Hague tha se e ka mbështetur fuqishëm krijimin e Këshillit Kombëtar për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, si një mekanizëm që ndihmon viktimat e kësaj dhune. Ai tha se i jep mbështetje të plotë Kosovës në trajtimin e çështjes së dhunës seksuale gjatë luftës, edhe përmes dërgimit të ekspertëve dhe trajnuesve që do punojnë me ekipet profesionale në Kosovë.Sekretari Hague tha se ka përcjell me vëmendje zhvillimet në Kosovë dhe e përgëzoi presidenten për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe demokratike. Sekretari Hague tha se Britania e Madhe mbështet Kosovën dhe gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor në procesin e integrimeve evropiane.