presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjala e Presidentes Jahjaga në koncertin e Akademisë Muzikore Verore Evropiane

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga mori pjesë sot në koncertin e Akademisë Muzikore Verore Evropiane, organizuar në Prishtinë.

Në një fjalë rasti, Presidentja Jahjaga tha:Të nderuar profesorë dhe studentë,Zonja dhe zotërinj,Do të doja të filloja këtë mbrëmje të posaçme duke i falënderuar ambasadat e Republikës së Çekisë, së Gjermanisë dhe Austrisë, misionet dhe organizatat ndërkombëtare, institucionet e Kosovës, dhe posaçërisht të gjithë ata burra e gra, vizioni dhe mbështetja e të cilëve kanë qenë jetësore në themelimin e kësaj tradite të rëndësishme, të organizimit të përvitshëm të Akademisë Muzikore Verore Evropiane. Po ashtu, do të doja të falënderoj edhe Komisionerin e BE-së, z. Fyle, për pjesëmarrjen e tij në këtë mbrëmje për të shijuar një copëz nga gjërat e bukura që ne arrijmë të bëjmë kur bëhemi bashkë.Kjo Akademi është me të vërtetë e posaçme, pasi ndërton mbi kulturën e muzikës dhe diversitetin, të cilat i kemi kultivuar në vazhdimësi dhe i kemi promovuar si shtet, një traditë që shtrihet në gjenerata të tëra.Mbi të gjitha, është e posaçme, pasi të gjithë studentët dhe profesorët, pavarësisht origjinës së tyre apo përkatësisë së tyre etnike, flasin me një gjuhë të përbashkët, me gjuhën e muzikës, dhe dërgojnë një mesazh të fuqishëm rreth vlerave të cilat na bashkojnë si popuj të lirë, rreth vlerave të tolerancës, paqes dhe mirëkuptimit.Janë po këto vlera mbi të cilat ne kemi ndërtuar shtetin tonë dhe mbi të cilat ne do të vazhdojmë të ndërtojmë ura të bashkëpunimit dhe partneritetit në mes komuniteteve dhe kombeve.Do të doja të shpreh një mirënjohje të veçantë për profesorët e nderuar, të cilët janë duke u ofruar studentëve të Kosovës si dhe të gjithë Evropës një mundësi të madhe për të përmbushur pasionet e tyre, për të eksploruar talentet e tyre dhe për të pasur sukses në të ardhmen.Është serioziteti, entuziazmi dhe dedikimi i këtyre studentëve që e ka bërë këtë iniciativë një ndërmarrje të suksesshme. Na mbetet ne të sigurojmë që do të vazhdojmë të ofrojmë mundësi që do t’i inkurajoj ata të ëndërrojnë, të shkojnë përtej kufijve dhe përtej paragjykimeve. Pasi vetëm në këtë mënyrë ne do të mund t’i shohim shoqëritë tona duke përparuar.Jam e bindur se akademia verore do të nxisë aktivitete të shumta të ngjashme, në të cilat dallimet tona do të jenë thesar dhe do të kontribuojnë që të bëhemi njerëz më të mirë, dëgjues më të mirë, dhe natyrisht, muzicientë më të mirë. Do të doja që tani t’ia lë radhën muzikës së mrekullueshme të cilën e kisha nderin ta dëgjoja të hënën të performuar nga profesorët e nderuar të akademisë, me një thënie nga Plato: “Muzika i jep shpirt universit, i jep krah mendjes, gjallëri imagjinatës dhe jetë çdo gjëje”. Ju faleminderit.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.