presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjalimi i Presidentes Atifete Jahjaga me rastin e Ditës së Drejtësisë

Tre vjet më parë Kosova e fitoi një ndër betejat më të rëndësishme në fushën e së drejtës ndërkombëtare si verdikt shpalljes së pavarësisë, shtetndërtimit, subjektivitetit ndërkombëtar dhe integritetit territorial të vendit, duke dëshmuar se vullneti dhe vlerat mbi të cilat kemi formuar shtetin ishin të drejta dhe mishërojnë vullnetin dhe vlerat e demokracisë botërore.

Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës,
Të nderuar përfaqësues të Gjyqësorit, të Prokurorisë, të Policisë së Kosovës,
Të nderuar përfaqësues të shoqërisë civile,
Të nderuar ambasadorë dhe përfaqësues të misioneve diplomatike në Republikën e Kosovës,
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës.

Tre vjet më parë Kosova e fitoi një ndër betejat më të rëndësishme në fushën e së drejtës ndërkombëtare si verdikt shpalljes së pavarësisë, shtetndërtimit, subjektivitetit ndërkombëtar dhe integritetit territorial të vendit, duke dëshmuar se vullneti dhe vlerat mbi të cilat kemi formuar shtetin ishin të drejta dhe mishërojnë vullnetin dhe vlerat e demokracisë botërore.

Opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës është verdikti i drejtë që njohu përpjekjet e popullit për liri dhe pavarësi, që i dha Kosovës shansin e rikthimit në familjen evropiane dhe që vendosi paqen dhe sigurinë në gjithë rajonin e Ballkanit. 

Beteja e paqes u fitua – duke i hapur rrugën ndërtimit të shtetit demokratik dhe gjithëpërfshirës të bazuar në respektimin e vlerave njerëzore, të barabarësisë dhe në mirëkuptim.

Vendimi përmbyllë sakrificën e madhe të gjeneratave dhe hap rrugën e perspektivës për ne dhe për ata që vijnë pas nesh. Ky vendim i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë është hapi drejt ndërtimit të shtetit të së drejtës, ku rendi dhe sundimi i ligjit janë baza e tij dhe ku mirëqenia e qytetarëve rritet me punën e përbashkët të secilit prej nesh.

Ky shtet i  ka rrënjët në rend dhe ligj, që respektohet e zbatohet nga të gjithë dhe përpara të cilit secili qytetar është i barabartë. Ky shtet i së drejtës nuk do të njohë më fuqinë e krimit por dorën e fuqishme të ligjit, që do të vendosë rregullin në shoqërinë tonë. Kemi shpallur një varg luftërash kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe kemi shprehur vullnetin tonë të fortë për t’i fituar ato. Këto nuk janë dhe nuk mund të jenë vetëm fjalë – betejat tona në luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar duhet të fuqizohen dhe të thellohen më shumë. Sepse luftën kundër tyre nuk mund ta humbim, sepse do të humbnim perspektivën tonë evropiane dhe sepse do të humbnim mirëqenien e qytetarëve tanë.

Ky shtet duhet të zhvillohet duke i ofruar mundësinë secilit qytetar, bazuar në të drejtën njerëzore për liritë themelore, të mishëruar edhe në Kushtetutën tonë. Dhe kjo e drejtë e secilit qytetar nuk mund të privohet nga vështirësia jonë për të krijuar shtetin ligjor. Sepse kjo do të ndihmojë të thellojmë reformat tona të brendshme, reforma të nevojshme dhe të domosdoshme për të ruajtur themelin e shtetit demokratik dhe për të avancuar proceset tona. Sepse këto reforma do të mundësojnë edhe zhvillimin ekonomik të vendit, do të shtrijnë sundimin e ligjit në gjithë territorin tonë, duke ofruar sigurinë për secilin qytetar tonin, pa dallim, dhe gjithsesi se do të mundësojnë edhe zgjedhjen e drejtë dhe të lirë të qytetarit të Kosovës.

Demokracia është një rrugë e gjatë dhe e mundimshme, por ajo i jep shans secilit prej nesh dhe ajo e ndryshon jetën tonë.

Më lejoni që prej këtu sot të shpreh brengën time të thellë, po aq sa edhe brengën e secilit qytetar të Kosovës, për largimin e të rinjve tanë nga vendi, drejt një të ardhmeje jo fort të qartë. Shpreh brengën time të thellë me ato pamje të të rinjve tanë të vendosur në kampe refugjatësh, pa asnjë shpresë për të fituar një perspektivë të re. Rruga e ikjes ka përfunduar për ne, për njerëzit e përvuajtur të Kosovës, që këtu e 15 vjet më parë qenë dëbuar me dhunë. E kuptoj drejt vështirësinë e jetës dhe dëshpërimin e secilit prej atyre që ka marrë këtë rrugë, por rruga e frikës, ikjes dhe dëbimeve nuk përsëritet më. Kosova nuk është më vatër e krizës, por një shtet i pranuar ndërkombëtarisht, që respekton normat, ligjet dhe konventat ndërkombëtare. Kosova është shtet që po kërkon mënyra për t’u zhvilluar dhe përparuar, për të hapur vende të reja pune, që do të pamundësojnë kërkimin e një jete të re, përtej kufijve tanë. Guximi ynë për t’u përballur me vështirësitë sot do të ndryshojë jetën tonë dhe do të ndihmojë në zhvillimin e shtetit tonë. Dhe guximi për të ndryshuar dhe përparuar të sotmen do të përshpejtojë rrugën e integrimeve tona evropiane, që nuk mund dhe nuk duhet të rrezikohet nga asgjë.

Ne kemi punë të përbashkët – Ne qytetarët e Republikës së Kosovës – ta ndërtojmë vendin tonë, me dinjitet dhe dashuri.

Të nderuar pjesëmarrës,

Ju uroj Ditën e Drejtësisë. Le të jetë kjo ditë një ditë reflektimi për të arriturat dhe për përgjegjësinë që parimi i drejtësisë dhe sundimit të ligjit të jetë parim udhëheqës.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.