presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjala e Presidentes Atifete Jahjaga në përvjetorin e vdekjes së atdhetarit Fadil Vata

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga vizitoi sot Therandën dhe mori pjesë në aktivitetet e organizuara në përkujtim të atdhetarit Fadil Vata, në përvjetorin e vdekjes së tij.

Në një fjalim mbajtur me këtë rast, Presidentja Jahjaga çmoi lart jetën dhe veprën e Heroit të Kosovës, Fadil Vata: I nderuar Kryetar i Komunës së Therandës, z.Kuçi,Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës,I nderuar z.Ali AhmetiTë nderuar bashkëveprimtarë të Heroit të Kosovës, Fadil Vata,Të nderuar veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,Të nderuara familje të dëshmorëve,E nderuara dhe e respektuara familje e Fadil Vatës,Të nderuar qytetarë, Ngritja e Shtatores së veprimtarit të Lirisë të njërit nga ideologët, të çështjes kombëtare shqiptare në ish-Jugosllavi, të Heroit të Kosovës, Fadil Vata, në përvjetorin e 23-të të vdekjes së tij, e nderon qytetin e Therandës, e nderon Kosovën, na nderon të gjithë neve, duke e kujtuar me pietet veprimtarinë e gjithanshme, përpjekjet e pareshtura që populli shqiptarë të fitojë lirinë dhe pavarësinë dhe vet të vendos për fatin e vet. Është kjo një e drejtë themelore e kombit tonë, e munguar dhe e shtypur dhunshëm nga sistemi okupues. Vrulli i Rinisë së pamposhtur të Kosovës, i udhëhequr nga Lëvizja Studentore, bëri që programi politik të formësohet si kërkesë për Republikën e Kosovës, si parakusht për të qenë të barabartë në trojet tona, që i parapriu kërkesës për liri, për pavarësi dhe për luftën çlirimtare, për të larguar një herë e përgjithmonë okupimin dhe shtypjen nga atdheu ynë. Organizimi ilegal atdhetar, nxjerrja e periodikut të kohës, i hapi të vërtetat për gjendjen reale të popullit, duke e mobilizuar për kundërvënie dhe për lindjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që me luftën e lavdishme dhe me intervenimin ushtarak të NATO-s solli Lirinë dhe krijoi Republikën e Kosovës, shtet sovran dhe të pavarur, me vizionin e qartë të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, në NATO, duke qenë në miqësi të përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E gjithë kjo rrugë i përket Heroit të Kosovës Fadil Vata, bashkëmendimtarëve dhe bashkëveprimtarëve të idealit, që u shkrinë në veprimtarinë e tyre, duke dhënë kontributin domethënës që çështja jonë kombëtare të zgjidhet drejtë. Që ne sot të gëzojmë shtetin tonë dhe të punojmë për të ardhmen e atdheut, duke pasur udhërrëfyes veprimtarinë e kësaj plejade të rinjsh që nuk pushuan kurrë deri në sakrificën më sublime, të punojnë për të mirën e popullit për të ndërtuar një shtet dhe një shoqëri demokratike në të cilën të gjithë njerëzit i realizojnë në mënyrë të barabartë liritë dhe te drejtat e tyre. Koha në të cilën punoi brezi i Fadil Vatës, Afrim Zhitisë, Fahri Fazliut dhe e veprimtarëve të tjerë ishte e vështirë dhe ajo u përballua suksesshëm me punë, angazhim dhe sakrifica të mëdha, duke u bërë kështu ideja udhëheqëse e të gjitha lëvizjeve tona të mëvonshme për çlirim. Lavdi e përjetshme shëmbëlltyrës dhe veprimtarisë atdhetare të Fadil Vatës, nderimi dhe respekti i përjetshëm. Ta mbani me krenari dhe ta nderoni shtatoren e Heroit të Kosovës, Fadil Vata.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.