presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Jahjaga mbajti një ligjëratë në Universitetin e Oxford-it

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga mbajti sot një ligjëratë në Universitetin e Oxford-it në Britaninë e Madhe, me temën “Rruga e Kosovës në shtet ndërtim dhe e ardhmja e saj evropiane”.

Presidentja Jahjaga u mirëprit nga drejtuesit e shkollës për qeverisje Balvanik të Universitetit të Oxford-it, dhe ligjërata e saj u përcoll nga një numër studentësh dhe profesorësh në mesin e të cilëve edhe studiuesit e mirënjohur britanikë, Noel Malcolm dhe James Pettifer. Në përfundim të ligjëratës Presidentja Jahjaga u përgjigj edhe në pyetjet e studentëve për zhvillimet në Kosovë dhe për proceset nëpër të cilat po kalon vendi. Në vazhdim po e botojmë të plotë fjalën e presidentes Jahjaga. Jam e nderuar që sot në këtë Universitet shumë prestigjioz, të njohur në botë, të bashkëbisedojë me ju të nderuar pjesëmarrës dhe me ju studentë, që më sillni sërish në botën akademike, në ditët më të dashura të rinisë, por në një periudhë që për mua dhe vendin tim, ishte e rëndë dhe përplot sakrifica. Kjo botë e studentit, pjesës më vitale të një shoqërie, dhe avangardës së saj, është bota e nxënies së dijes, e ngarendjes për të bashkuar realitetin me imagjinatën, e hyrjes në jetën reale– përplot vullnet, entuziazëm dhe dijeni për ta bërë atë më të qëndrueshme dhe më të mirë. Kjo është bota juaj – dhe e ardhmja mbetet në duart tuaja. Jam e nderuar që sërish jam në Mbretërinë e Bashkuar, pas më pak se një viti kur mora pjesë në hapjen e Lojërave Olimpike të Londrës, në njërën prej ceremonive më madhështore të organizuara ndonjëherë në historinë e këtyre Lojërave. E nderuar se rikthehem sërish në vendin që ka ndihmuar Kosovën në historinë e saj më të re – të çlirimit të saj dhe të shtetndërtimit të saj. Dhe besoj se do të jetë përkrah nesh edhe në rrugëtimin tonë drejt të ardhmes. E kuptoj se shumica prej jush, e njihni vendin tim dhe popullin tim, jo vetëm përmes pamjeve të televizioneve dhe të mediave në përgjithësi – që kanë pasqyruar dhunën, vuajtjet dhe ikjet nga represioni si dhe rëniet e ngritjet – por e njihni edhe përmes miqve tuaj studentë nga Kosova, që mund t’i keni zënë gjatë viteve të studimeve. E njihni edhe përmes përpjekjeve tona për të dëshmuar se jemi një shtet me synime të qarta dhe me vizion të caktuar për të qenë pjesë e botës së lirë.Luftërat në Ballkan kanë histori të gjatë dhe ato mund të jenë nxitur, si kudo tjetër në botë, për shkaqe të ndryshme dhe synime territoriale. Historia e Ballkanit është përplot episode të dhunës, të konflikteve dhe të luftërave të përgjakshme që kanë mbjellur urrejtjen mes njerëzve dhe ndasitë e thella. Por Ballkani tani, më shumë se dhjetë vjet pas, është më ndryshe, më i përmbledhur – me vizionin për të ardhmen pavarësisht shkëndijave të kohëpaskohshme si pasojë e dallimeve mes popujve. Ballkani sot nuk është ai i dekadës së fundit të shekullit XX – ai është më i pasur me një shtet të ri, që po rikthehet në vlerat evropiane pas periudhash të mëdha largimi. Ju mund të keni mësuar për Kosovën si shtetin më të ri në hartën e Evropës, një shtet i vogël, i dalë nga lufta që la pas me mijëra njerëz të vrarë dhe qindra e mijëra shtëpi të shkatërruara, jetë të rrënuara – por një shtet që ka rigjetur forcën për të tejkaluar dhimbjen dhe urrejtjen. Vendi im është shtet si çdo shtet tjetër në Evropë – i ndërtuar pas dekada dhune dhe vuajtje – që po provon të siguroj vendin e merituar në mesin e kombeve të botës, së bashku me gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor që, siç përshkruhet, ndodhet në pragun e Evropës.  Kosova është shtet jo më shumë se pesë vjet. Për nëntë vjet të plota, përpara shpalljes së pavarësisë më 2008, Kosova është drejtuar nga misionet ndërkombëtare që e kanë ndihmuar të rindërtohet dhe të rimëkëmbet. Ajo ka kaluar fazat e emergjencës dhe të rindërtimit më shpejt se sa vendet e tjera të dala nga lufta, megjithëse vazhdimësia e pranisë civile e ushtarake ndërkombëtare ka qenë më e gjatë dhe më e fuqishme. Zhvillimi demokratik i saj është i ndërlidhur me faktorin ndërkombëtar dhe vetë deklarata e pavarësisë së saj është një sukses i përbashkët me të dhe me sakrificën e gjeneratave të tëra. Ndihma ndërkombëtare për Kosovën, që prej fushatës ajrore të NATO-s më 1999, që largoi dominimin e shtetit serb mbi vendin tim, dhe deri në shpalljen e pavarësisë së tij, ka qenë domethënëse, për të gjitha fazat e zhvillimit demokratik. Të gjitha vendet që kanë kaluar periudhën e luftës kanë nevojë për ndihmë të jashtme, për t’u konsoliduar dhe për të nxitur demokracinë e brendshme. Për të ndërtuar institucione funksionale dhe për të zhvilluar konceptin e jetës politike. Ndihma e jashtme është jetike për t’i dhënë shtysë edhe rimëkëmbjes ekonomike, por kur ajo është më e gjatë dhe jo shumë e strukturuar bëhet pengesë e zhvillimit të një vendi dhe të shoqërisë së tij. Kjo ndihmë e jashtme duhet të shndërrohet në investime afatgjata duke e ndihmuar përmirësimin e mjedisit për bizneset dhe duke krijuar klimën e favorshme për futjen e kapitalit të huaj, në të kundërtën rrezikon të shndërrohet në problem afatgjatë për vendin që përfiton, dhe e pamundëson rrugën e tij të përparimit. Ndërtimi i shtetit të Kosovës ka qenë i ngadalshëm dhe i rëndë. Ka kaluar nëpër proces të bisedimeve dhe të negociatave, të udhëhequra edhe nga OKB-ja, rezultati përfundimtar i të cilit nuk është mirëpritur nga të gjithë. Pavarësia e Kosovës, e shpallur më 2008, është sfiduar edhe në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, që i ka dhënë vulën e legjitimitetit të saj. Kjo rrugë e gjatë e përfundimit të një projekti të rëndësishëm në Ballkan, ka siguruar paqen dhe stabilitetin dhe i ka hapur rrugën e përparimit e të demokratizimit të të gjithë rajonit. Të nderuar pjesëmarrës, Të dashur studentë,Demokracia është proces që zhvillohet dhe ajo kërkon gjithëpërfshirje dhe angazhim të plotë të të gjitha niveleve në shoqëri, gjithashtu kërkon një lidership të fuqishëm e të guximshëm, llogaridhënës dhe të përgjegjshëm. Në një moment krize politike në vendin tim, unë kam marrë detyrën e Presidentit të Kosovës, duke kaluar nga institucioni më i besueshëm ndër të gjithë qytetarët e vendit tim – nga Policia e Kosovës. Brenda dy vjetëve kam takuar liderë botërorë, me të cilët kam folur jo vetëm për sfidat e vendit tim – por edhe për gjithë proceset nëpër të cilat po kalon bota. Kosova nga një vend që ka prodhuar krizë, po shndërrohet ngadalë në një vend që po kontribuon në zgjidhjet globale.Ky është një fillim i ri për shtetin tim, një sfidë e re në skenën ndërkombëtare dhe test që kemi kaluar nëpër procesin e shtetndërtimit tonë. Republika e Kosovës është shtet qytetar, që barazinë mes njerëzve, tolerancën dhe mirëkuptimin e ka ngritur në vlerë të shoqërisë së saj. Është shtet që diverstitetin etnik, kulturor e fetar e ka mishëruar në Kushtetutën e tij. Një vend që po mëton ta ndërtojë të ardhmen, pa e harruar të kaluarën e rëndë. Po takohem me ju sot, këtu në Oxford, në kohën kur në vendin tim po bëhen përpjekje për të shtrirë dorën e mirëkuptimit ndërmjet qytetarëve të bashkësive të ndryshme etnike. Në kohën kur mosbesimin, që e ka mbjellur një periudhë e historisë së dhunshme, po provojmë ta tejkalojmë duke kërkuar mënyra të bashkëjetesës dhe të bashkëpunimit. Po takohemi së bashku pikërisht në kohën kur dialogun e brendshëm me qytetarët tanë po e zhvillojmë për të përçuar porositë se Kosova është vend i mundësive të mëdha. E kaluara nuk mund të na mbajë peng të ardhmen të cilën e kemi të përbashkët dhe të përcaktuar në mesin e kombeve të lira. Shqiptarët në Kosovë janë shumica dhe të gjitha komunitetet e tjera, qofshin serbë, turq, boshnjakë, malazezë, romë, ashkalinj, egjiptas e goranë, janë pjesë e pandashme e shoqërisë sonë. Ky multikulturalizëm e ka ndihmuar Kosovën në thellimin e tolerancës dhe të mirëkuptimit, të respektimit dhe të bashkëpunimit, duke dhënë shembull të mirë jo vetëm në Ballkan. Institucionet e Kosovës sot janë gjithëpërfshirëse, me njerëz të të gjitha komuniteteve, që e shohin Kosovën si vendin e tyre. Pavarësia e Kosovës asnjëherë nuk ka qenë kërcënim për asnjë qytetar të vendit, por një mundësi më e madhe e zhvillimit dhe përparimit. Ajo asnjëherë nuk ka qenë pengesë për asnjë marrëdhëniet mes popujve dhe mes shteteve, por një urë e fuqishme e lidhjeve dhe një garant i sigurisë dhe paqes. Republika e Kosovës është promotor i fqinjësisë së mirë dhe kontribuese në stabilitetin rajonal. Ne kemi ndërtuar politika të bashkëpunimit me të gjitha vendet e rajonit dhe i jemi përgjigjur çdo ftese për të kontribuuar në vendosjen e urave lidhëse mes qytetarëve tanë. I kemi dhënë fund luftës dhe ideve të hegjemonive në Ballkan. I kemi dhënë fund ndarjeve dhe rivizatimit të kufijve në cilëndo pjesë të Ballkanit dhe ne sot po flasim për shtetet e rajonit që synojnë të ardhmen më të mirë për qytetarët. I kemi dhënë fund periudhave të dhunës dhe dialogun e marrëveshjet mes nesh, vendeve të vogla të Ballkanit, i kemi parë si rrugën e vetme për të gjetur zgjidhjet e përbashkëta. Ballkani Perëndimor është pjesë e pandashme e Evropës dhe ai do të jetë aty, me ndihmën e BE-së, sërish. Rajoni i Ballkanit Perëndimor sot ka nevojë për më shumë mirëkuptim dhe bashkëpunim dhe më shumë angazhim të të gjitha vendeve të tij, dhe duke e ndihmuar njëri tjetrin mund të ecim në rrugën e integrimeve evropiane. Por me ju sot këtu do të ndajë edhe sfidat dhe problemet me të cilat ne përballemi në rrugën tonë edhe të shtetndërtimit por edhe të integrimeve, dhe nuk do t’i fsheh ato. Marrëdhënia jonë me Republikën e Serbisë është ende marrëdhënie e ftoftë dhe e papërfunduar. Ne nuk kemi një marrëveshje të përbashkët që do të na ndihmonte në vendosjen e paqes dhe të mirëkuptimit, në vendosjen e respektit të ndërsjellë si dy shtete të pavarura dhe sovrane. Kemi hyrë në dialog, pas vitesh të bisedimeve, për të gjetur zgjidhje të pranueshme për qytetarët nga të dyja anët e kufirit, që do të lehtësonte jetën e tyre. Në një dialog që lehtësohet nga BE-ja dhe mbështetet fuqishëm nga SHBA-ja, por që nuk prek më statusin e Kosovës.  Dialogu për ne është mënyra më e mirë për të gjetur zgjidhjet e përbashkëta dhe marrëveshja e arritur është marrëveshje mbi parimet e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet nesh, ndërmjet dy shteteve që kanë kaluar nëpër një periudhë të rëndë. Por, gjithnjë përderisa marrëdhënia jonë të jetë ndërtuar mbi mosbesim dhe në dallime të thella, ne do të vazhdojmë të mbajmë peng gjithë rajonin e në veçanti qytetarët tanë. Dhe gjithnjë përderisa kjo marrëdhënie të jetë e padefinuar, e paqartë dhe e parespekt, ne nuk do të arrijmë marrëveshje dhe as që do të mund të përparojmë në rrugën e integrimeve evropiane. Jo sepse Evropa nuk do të na dojë, por sepse pengesat që do t’i shtrojmë njëri tjetrit në rrugën përpara do të jenë të pakalueshme dhe do të rikthejnë përplasjet e nxisin reagime të grupeve të ndryshme.E përmenda se demokracia kërkon lidership dhe njerëz që mendojnë për vendin e tyre dhe për të ardhmen e qytetarëve të tyre. Një të ardhme që është ndryshe prej të sotmes dhe që nuk e bartë përgjegjësinë për problemet e të sotmes mbi supet e gjeneratave të reja. Prandaj në përgjigje të kësaj nevoje dhe të mbështetjes së proceseve që ojnë drejt përmirësimit të jetës së qytetarëve tanë, e normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve tona, në shkurt të këtij viti kam takuar Presidentin e Republikës së Serbisë, Tomislav Nikoliq.Sado i vështirë dhe i rëndë, ndonjëherë edhe i papërballueshëm, takimi ynë, shënon hapin e parë që presidentët e të dyja vendeve kanë bërë për të mundësuar suksesin e dialogut. Por për të gjithë –  gjërat kanë qenë të qarta:   Proceset në Kosovë janë të pakthyeshme dhe të panegociueshme. Synimet territoriale për cilëndo pjesë të territorit të vendit tim janë të papranueshme. Ne i kemi dhënë të gjithë qytetarëve të drejtën në një autonomi komunale, bazuar në Kushtetutë dhe në ligjet e Kosovës. Kjo e drejtë ka nënkuptuar edhe krijimin e komunave të reja, atje ku ka një shumicë të komuniteteve jo shqiptare. Kosova nuk mund të lejojë shkatërrimin e të arriturave të deritashme dhe në veçanti nuk mund të ndryshojë realitetin e një vendi shumëkulturor. Ajo është sovrane në të gjitha pjesët e saj, edhe në komunat në veri të vendit. Është shtet i të gjithë qytetarëve të saj, kudoqofshin ata, brenda kufijve të përcaktuar të tij. Të dashur studentë dhe të nderuar pjesëmarrës, Integrimi i Kosovës dhe i gjithë Ballkanit Perëndimor në BE varet prej vetë nesh. Prej vullnetit dhe angazhimit tonë për të dëshmuar se jemi pjesë e pandashme e Evropës dhe e vlerave të saj. Rruga e secilit shtet të Ballkanit drejt BE-së është individuale dhe e pandalshme, pavarësisht pengesave të tashme. Kjo rrugë është e qartë për Kosovën, dhe qytetarët e saj janë të bashkuar pavarësisht dallimeve të tyre etnike, rreth synimit për integrim. Por kjo rrugë kërkon edhe gjuhën e përbashkët të 27 vendeve anëtare të BE-së, 5 nga të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Kjo epokë e re e zhvillimit kërkon bashkëpunimin tonë dhe një lidership të fuqishëm për t’i dhënë shtysë integrimit të rajonit në BE. Dhe ky është shans i mirë tani për ta bërë hapin e duhur, që gjeneratat e ardhshme të mos na gjykojnë për mos guximin tonë dhe veprimet e pamatura tona. Integrimi në BE nënkupton më shumë se përmbushje të standardeve të kërkuara, sepse ato janë për hirë të zhvillimit tonë. Ai nënkupton gatishmërinë tonë për të ndryshuar vetveten dhe për ta përshtatur atë me vlerat më të larta. Nënkupton vullnetin tonë për të përmirësuar mirëqenien e qytetarëve tanë. Por mbi të gjitha nënkupton gatishmërinë tonë për të bashkëpunuar në nivel rajonal në fusha të ndryshme, në përpjekjet e përbashkëta për të zhvilluar ekonomitë tona, dhe në veçanti në fushën e sigurisë për të luftuar krimin e organizuar, korrupsionin dhe krimet e tjera.E duam një Ballkan të bashkuar – në procesin e integrimeve evropiane dhe në të gjitha proceset e tjera. Një rajon që së bashku do ta ndërtojë të ardhmen evropiane të tij! Në vendin tim, ne sot po përballemi me një prej sfidave më të mëdha – me korrupsionin – një prej armiqve më të mëdhenj të zhvillimit të shoqërisë. Kjo luftë po bëhet tani më e fuqishme dhe më e drejtpërdrejt. Ne nuk kemi zgjidhje të tjera përveç fitores mbi këtë të keqe. Kosova nuk është shembull i së keqes në Ballkan, por po shndërrohet në një shembull të përpjekjeve të parreshtuara për ta mposhtur një armik që mund ta shkatërrojë atë – korrupsionin e krimin e organizuar. Dhe këtë luftë kundër dukurive negative në shoqërinë tonë do ta fitojmë, për hir të gjeneratave të reja dhe për hir të të ardhmes së tyre. Unë jam vënë në ballë të përpjekjeve për të luftuar korrupsionin, duke e krijuar Këshillin Kombëtar Kundër Korrupsionit, një mekanizëm gjithëpërfshirës dhe që po jep rezultat. Jam vënë në ballë të luftës kundër korrupsionit sepse fuqia e shtetit tonë dhe e shpirtit të shoqërisë sonë është më e madhe se sa ajo e këtyre dukurive negative. Të dashur studentëPërpara se ta përfundojë këtë ligjëratë dua të ndajë me ju edhe një moment tjetër të shoqërisë të cilën e përfaqësoj. Unë jam femra e parë presidente në historinë e gjithë rajonit. Një shembull i shoqërisë sime, që ka kaluar periudha të vështira të historisë së saj, të cilësuar shumë shpesh edhe si shoqëri patriarkale. Jam një grua në krye të shtetit të ri të Kosovës, që po tejkalon barrierat e gjinisë, duke njohur vlerat e femrës në shoqëri. Në shtetin tim, femra është e përfaqësuar në të gjitha nivelet e tij, qoftë në legjislativ dhe ekzekutiv. Barazia gjinore nuk duhet të jetë më çështje e diskutueshme dhe globale. Ajo është e drejtë njerëzore dhe më shumë se kaq – një mirënjohje për rolin e femrës në shoqëri dhe një respekt për vlerat e saj. E drejta e saj për të jetuar dhe për të qenë e barabartë është e drejtë e patjetërsuar. Nuk do të ketë zhvillim të asnjë shoqërie pa njohjen e kësaj të drejte njerëzore. Të nderuar pjesëmarrës,Ju falënderoj për vëmendjen tuaj dhe uroj që ky fund vit akademik të jetë i suksesshëm për ju. Jam e gatshme që t’ju përgjigjem disa prej interesimeve tuaja.   

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.