DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjala e Presidentes Atifete Jahjaga në mbledhjen solemne të Kuvendit të Kosovës në katërvjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës

Liria dhe pavarësia e vendit janë gërshetim i të gjitha përpjekjeve tona ndër breza që të jetojmë të lirë, të barabartë dhe të dinjitetshëm.

I nderuari kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës,I nderuari kryeministër,Të nderuar deputetë,Të nderuar zëvendëskryeministra e ministra,Të nderuar ambasadorë të vendeve mike në Kosovë,Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës, Përvjetori i katërt i kremtimit të pavarësisë së vendit, si realizim i një ëndrre dhe i përpjekjeve shekullore, e gjen Kosovën Shtet Sovran dhe të Pavarur, me njohje nga 87 vende të botës dhe me një vizion dhe një rrugë të qartë në procesin e integrimeve euroatlantike. Liria dhe pavarësia e vendit janë gërshetim i të gjitha përpjekjeve tona ndër breza që të jetojmë të lirë, të barabartë dhe të dinjitetshëm. Ideja jonë filozofike dhe politike për Lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës ishte gjithmonë ide humane, duke u bërë një rilindje në mendimin kritik, një origjinalitet në mendimin dhe në veprimin politik, një gërshetim i urtësisë si mençuri dhe përgjegjësi, një platformë largpamëse si strategji dhe si veprim e sjellje pragmatike, duke i shfrytëzuar të gjitha potencialet dhe kapacitetet, duke vënë në përdorim përvojën nga tradita jonë e pasur, të plotësuar me idetë bashkëkohore filozofike e politike, si ndërtim i një shoqërie të re, që solli mirëkuptimin dhe përkrahjen ndërkombëtare për kauzën tonë të drejtë dhe që, si asnjëherë më parë, solli frytet që ne sot po e gëzojmë Republikën e Kosovës shtet sovran dhe të pavarur, shoqëri demokratike të të gjithë qytetarëve, në miqësi të përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me rrugën e qartë e prosperuse të anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Siç na uron sot Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hilari Klinton, SHBA si mike dhe si partnere, do të jenë me ne, për të mbështetur sigurinë, paqen dhe prosperitetin e Kosovës. Të nderuar, Për Kosovën Shtet Sovran dhe të Pavarur u sakrifikuan bijtë dhe bijat më të mira të vendit tonë që ne jemi të nderuar ti përmendim në çdo manifestim dhe përvjetor. Kjo ditë na bënë të ndjehemi krenarë për rrugën e mundimshme dhe përplot sakrifica që e kemi kaluar. Na bën që sot, duke vlerësuar të arriturat tona, të kujtojmë të gjithë ata që sakrifikuan, që ranë në altarin e lirisë dhe që u shkrinë duke punuar për të mirën e popullit dhe të atdheut, për të qenë ne sot të lirë dhe sovranë në trojet tona, për ta ndërtuar Kosovën shtet të lirë e të pavarur. Të kujtojmë këtu dy figurat emblematike, Presidentin historik Dr. Ibrahim Rugova dhe komandantin legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, dy simbole këto udhërrëfyese për të tashmen dhe për të ardhmen tonë. Udhëheqësit tanë, në kohët më të vështira, ditën të marrin vendime të rëndësishme që i përcaktuan kahet e historisë, por e përcaktuan edhe fatin tonë si popull dhe fatin e atdheut tonë. Duke e nderuar të kaluarën tonë e nderojmë sakrificën, e nderojmë edhe të tashmen dhe të ardhshmen tonë, sepse programi politik rreth të cilit u bashkuam ishte i drejtë, human, largpamës, i bazuar në traditat më të mira të popullit tonë, në vlerat civilizuese evropiane, duke na përcaktuar fuqishëm në familjen e popujve të Evropës, duke u rikthyer në civilizimin të cilit gjithmonë i kemi përkitur dhe nga i cili, padrejtësisht, jemi ndarë për një kohë të gjatë. Ne të gjithë tash e kemi më lehtë, sepse rruga është trasuar, parimet janë ndërtuar, dilemat historike janë hequr dhe neve na përket që vetëm konkretisht të marrim hapat për realizimin e strategjisë dhe platformës tonë shtetërore e qytetare. Në këtë rrugë ne nuk ishim vetëm, patëm përkrahjen e pakursyer të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të vendeve të Bashkimit Evropian dhe të NATO-s, që bëri intervenimin ushtarak humanitar për të shpëtuar një popull. Për këtë, Pavarësia e Kosovës është proces i pakthyeshëm dhe nuk ka alternativë. Ne jemi faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon dhe më gjerë, që zhvillojmë marrëdhënie të mira bilaterale dhe fqinjësore, duke dhënë një shembull të mirë të bashkëpunimit dhe të respektit të ndërsjellë. Kosova e ka ndërtuar subjektivitetin e vet ndërkombëtar dhe përfaqësohet dhe do të përfaqësohet e barabartë e me reciprocitet të plotë. Proceset mbrapa apo për të krijuar përshtypjen se procesi i pavarësisë së Republikës së Kosovës nuk është përfunduar. Republika e Kosovës është e ndërtuar në parimin qytetar, me liri dhe të drejta të barabarta për të gjithë njerëzit. Të gjitha etnitë e Kosovës i gëzojnë të drejtat e tyre të plota kombëtare, pa marrë parasysh numrin e tyre. Kjo është vlerë e jona e ndërtuar tradicionalisht, duke respektuar dhe nderuar njëri-tjetrin. Të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim, bashkohen në vizionin e përbashkët të anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian. Në familjen e popujve me standarde të larta të lirive dhe të drejtave, të proceseve demokratike, të një sistemi të avancuar shkollor, shëndetësor dhe të politikave sociale. Me një ekonomi moderne, në funksion të zhvillimit të përgjithshëm, duke shfrytëzuar të arriturat shkencore dhe duke u transformuar e përshtatur nevojave të njerëzve dhe të kohës. Vendi ynë ka potenciale të mëdha zhvillimi, duke shfrytëzuar me plan resurset tona natyrore, por ne jemi krenar sidomos për rininë tonë atdhedashëse të shkolluar, e të brumosur me dije dhe aftësi që janë të standardeve më të larta evropiane. Duke krijuar një ambient të favorshëm që, krahas ndërtimit të infrastrukturës moderne rrugore, hekurudhore dhe të transportit ajror, vendi ynë bëhet i përshtatshëm për investime të huaja, për tërheqjen e kapitalit dhe për ndërlidhjen e ekonomisë tonë me ekonominë botërore. Qytetarët dhe subjektet politike të Kosovës u dëshmuan për tolerancën dhe mirëkuptimin për respektimin e rregullave dhe të ligjit, duke ndërtuar koalicione qeverisëse efikase, duke pasur opozitë konstruktive dhe duke ndërtuar kohezion dhe unitet, duke i vënë në funksion të proceseve demokratike dhe shtetndërtuese. Të nderuar deputetë,Të nderuar qeveritarë,Të nderuar qytetarë te Republikës së Kosovës, Në telegramin e urimit që na erdhi sot nga sekretarja e Shtetit Klinton, thuhet se, edhe pse është një shtet i ri, Kosova është vend që ka një të ardhme premtuese dhe SHBA janë të përkushtuara ta mbështesin një Kosovë të pavarur, sovrane dhe shumetnike. Sekretarja Klinton i përshëndet përpjekjet e udhëheqësve të zgjedhur dhe përkushtimin dhe realizmin e aspiratave të qytetarëve të Kosovës për institucione më të fuqishme demokratike, perspektivë më të madhe ekonomike dhe vendosjen e sundimit të rendit dhe të ligjit. Kjo rrugë do ta çojë Kosovën në integrimin e plotë euroatlantik, në stabilitet të qëndrueshëm dhe prosperitet për vendin tonë. Katërvjetori i shpalljes së pavarësisë është një festë që na jep kuraje, na mobilizon dhe na nxitë që gjithmonë dhe në çdo rast të jemi në shërbim të popullit dhe vendit tonë. Ne e meritojmë një të ardhme më të mirë. Ne po punojmë për një të ardhme më të mirë. Ne do ta bëjmë realitet ëndrrën tonë, sepse e kemi vullnetin, e kemi guximin, e kemi përkushtimin dhe e kemi përkrahjen e miqve tanë ndërkombëtarë. Ky është misioni ynë, të cilin do ta përmbushim bashkërisht.  Ju faleminderit!GËZUAR KËTË PËRVJETOR.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.