presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjalimi i Presidentes Atifete Jahjaga në pritjen për përvjetorin e pavarësisë së Kosovës

Në këtë përvjetor të katërt të Pavarësisë së vendit, po kujtojmë jo vetëm ditën e lindjes së shtetit tonë, por njëkohësisht po nderojmë edhe të gjithë ata që e bënë të mundur këtë ditë, brezat e tërë që e ndërtuan vizionin e Kosovës së Pavarur.

Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës,Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës,Të nderuar Ambasadorë dhe përfaqësues të misioneve diplomatike në Kosovë,Të nderuar deputetë të Kuvendit të Kosovës që e shpallët Kosovën Republikë,Të nderuar mysafirë,Qytetarë të nderuar të Republikës së Kosovës, Në këtë përvjetor të katërt të Pavarësisë së vendit, po kujtojmë jo vetëm ditën e lindjes së shtetit tonë, por njëkohësisht po nderojmë edhe të gjithë ata që e bënë të mundur këtë ditë, brezat e tërë që e ndërtuan vizionin e Kosovës së Pavarur. Po shënojmë, sot, historinë e shtetit të ngritur mbi ëndrrën, synimin dhe punën e njerëzve të vendit tonë dhe mbi sakrificën dhe kontributin e të gjithë qytetarëve që ndërtuan idealin e shtetit të lirë. Po shënojmë në këtë përvjetor, ngritjen dhe forcimin e miqësisë me të gjithë ata që e ndihmuan lindjen e shtetit të ri të Kosovës dhe që e hapën rrugën e  perspektivës së re drejt një të ardhmeje më të sigurt dhe më të begatshme. Rruga jonë drejt përfundimit të ndërtimit të shtetit është sa e gjatë aq edhe me përgjegjësi dhe ne, gjeneratat e Pavarësisë së Kosovës, e kemi borxh që ta kryejmë atë. Shtetndërtimi ynë kërkon më shumë sakrificë, më shumë pragmatizëm dhe më shumë dashuri për atdheun. Ne e kemi dëshmuar se mund ta ndërtojmë një atdhe për secilin qytetar të Republikës pa dallim etnie a feje, një atdhe të diversitetit kulturor ku secili do ta ndjejë veten zot të vetvetes. Jo vetëm institucionet e Republikës, por Ne Qytetarët e Kosovës, po e ndërtojmë një shtet të dinjitetshëm dhe të barabartë me të gjithë të tjerët, pjesë të pandashme të familjes evropiane. Duam ta shndërrojmë Kosovën në një vend të potencialit të madh të investimeve dhe në një vend lider në rajonin e Ballkanit. Kosova është vend i mundësive të mëdha të zhvillimit, vend i vizionit të ri. E kemi për qëllim që ta zhvillojmë ekonominë e vendit, të hapim vende të reja të punës për të rinjtë e të rejat, për gjeneratën e ardhshme, që do ta ngritë Kosovën në nivelin e vendeve të zhvilluara. Ne kemi nevojë për investime të huaja dhe investitorë të fuqishëm dhe po krijojmë një mjedis të sigurt e të favorshëm për tërheqjen e kapitalit te huaj.     Të nderuar,Republika e Kosovës, në katërvjetorin e saj të pavarësisë, e njohur nga 87 vende të botës, është një faktor i paqes dhe stabilitetit me synimin e qartë të anëtarësimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, në NATO dhe në BE, që do ta bënte vendin tonë pjesë të barabartë të familjes së madhe të kombeve. Ne do të ndihmojmë bashkësinë ndërkombëtare që të përfundojë me sukses fazën e mbikëqyrjes së pavarësisë, që do të mundësojë rritjen e ndikimit tonë si një faktor i rëndësishëm dhe i barabartë në rajon dhe që të marrim obligimet tona të plota ndërkombëtare. Republika e Kosovës është shtet i ndërtuar mbi parimin qytetar, që respekton të drejtat dhe liritë e njeriut. Qytetarët e Republikës së Kosovës janë qytetarë të barabartë kudo, në secilin cep të Kosovës, janë qytetarë me të drejta por edhe me obligime, me përgjegjësi qytetare për të ndërtuar vendin tonë. Ky atdhe yni është fati dhe mundësia jonë e përbashkët. Të gjithë jemi përgjegjës për ndërtimin dhe avancimin e shtetit tonë të përbashkët. Kemi zgjedhur rrugën e bashkëpunimit dhe të dialogut, rrugën e zgjidhjeve paqësore dhe të marrëveshjeve pa hequr asnjëherë dorë nga subjektiviteti, sovraniteti dhe integriteti. Republika e Kosovës është realitet ndërkombëtar i pakthyeshëm, i pranuar dhe me subjektivitet, një shtet garantues i paqes dhe stabilitetit, shtet i pandashëm. Të nderuar,Ne po punojmë për të ardhmen duke e ndërtuar atë sot, në çdo angazhim dhe në çdo veprim tonin dhe në këtë përvjetor të Pavarësisë po dëshmojmë përkushtimin për ta ndërtuar Kosovën e re, Evropiane, të Barabartë dhe Dinjitoze me vendet e tjera. Ky katër vjetor le të na shërbej që të ecim bashkërisht në rrugën tonë drejte avancimit të proceseve demokratike, me mbështetjen e vazhdueshme të miqve tanë ndërkombëtarë duke u bërë një vend shembull i rendit dhe i sundimit të ligjit, një vend për të cilin ia vlen të angazhohemi, të punojmë çdo ditë që ta bëjmë më të mirë, më të bukur, më të përparuar. Ta gëzojmë katër vjetorin e pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe pritshim shumë përvjetorë të tjerë brenda familjes së Bashkimit Evropian. Ju faleminderit dhe Gëzuar!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.