Washington, 23 korrik 2007 – Ekipi i Unitetit, i drejtuar nga Presidenti i Kosovës,dr.Fatmir Sejdiu, në takimin me sekretaren Amerikane të Shtetit, znj. Condoleezza Rice, ka kërkuar qartësi për vazhdimin e procesit të statusit, pas dështimit të miratimit të Projektrezolutës për Kosovën në KS të OKB së.
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu pas takimit dha këtë deklaratë: “Mendoj se ishin takime jashtëzakonisht të rëndësishme me sekretaren e shtetit Rice po ashtu edhe me ekipin që punon me Kosovën dhe mund të themi se kemi përkushtimin e SHBA-së sikur më parë, sikur tash si dhe në të ardhmen për të gjitha proceset dhe për pavarësinë e Kosovës. Për ne është me rëndësi që të jemi partner i rëndësishëm me komunikim dhe bashkëpunim me ta dhe me Bashkimin Evropian dhe po ashtu me idenë që të jetë një bashkëpunim shtesë edhe në 120 ditëshin e ardhshëm në të cilin natyrisht se do do të riafirmojmë dhe argumentojmë edhe njëherë vizionin tonë për të ardhmen e Kosovës, duke pasur parasysh po ashtu qasjen tonë të përbashkët për të ndërtuar stabilitetin dhe paqen në rajon.Për ne është me rëndësi se pakoja e presidentit Ahtisari është një pako që përmbush gjithë objektivin për ecjen e Kosovës drejt realizimit të pavarësisë së saj dhe të ardhmes për të gjithë qytetarët e vet dhe po kështu do të shërbejë si bazë e mirë për ndërtimin e legjislacionit dhe strukturës së brendshme funksionale të shtetit të Kosovës.”