presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

EKIPI I UNITETIT U KTHYE NGA VIZITA NË SHBA

Prishtinë, 25 korrik 2007 ? Ekipi i Unitetit u kthye nga vizita në ShBA ku qëndroi me ftesë të Sekretares Amerikane të Shtetit, znj. Condoleezza Rice

Pas kthimit nga vizita e Ekipit të Unitetit në Washington Presidenti Sejdiu theksoi se ishte një takim shumë i rëndësishëm dhe përmbajtësor me Sekretaren amerikane të Shtetit, znj. Rice, me tërë ekipin i cili është i angazhuar për Kosovën, me Nënsekretarin Nicholas Burns, Ndihmës sekretarin Daniel Fried, Zëvendësndihmës sekretaren amerikane të shtetit Rosemary Di Carlo, ambasadorin Frank Wisner, si dhe z. Stephen Hadley, këshilltar për Siguri Nacionale të ShBA-së.Sipas Presidentit Sejdiu, përmbajtja e përgjithshme e takimeve kishte të bënte me procesin e statusit politik të Kosovës duke shtuar se është rikonfirmuar fuqishëm mbështetja e ShBA-së për pavarësinë e Kosovës.Presidenti Sejdiu theksoi se në këtë periudhë do të ketë një angazhim shtesë prej 120 ditësh, në të cilën pala kosovare do të jetë me qasjen e vetë më të mirë të mundshme dhe konstruktive për të kapërcyer edhe këtë pjesë të procesit. “Njëkohësisht  mund të them se gjatë të gjitha takimeve është shprehur krahas mbështetjes për pavarësinë e Kosovës edhe mbështetje e fuqishme për integritetin territorial të Kosovës si dhe për pakon e Presidentit Ahtisaari për të cilën ne jemi zotuar se do ta zbatojmë në tërësi” tha Presidenti Sejdiu.Më tej Presidenti Sejdiu tha se është me rëndësi që në këtë periudhë të angazhohemi me të gjithë mekanizmat, pra vetë Ekipi i Unitetit, Grupi Politik Strategjik, Qeveria e Kosovës dhe institucionet tjera të Kosovës që të  kryhet pjesa e obligimeve që kemi marrë sipas Pakos së Presidentit Ahtisaari duke përfunduar me përgatitjen e Kushtetutës së Kosovës, të ligjeve tjera të rëndësishme që lidhen me përmbajtjen e kësaj pakoje, të simboleve, si dhe çështje tjera të periudhës së tranzicionit.Duke u përgjigjur në pyetjen se a do ta kemi pavarësi pas 120 ditësh dhe a kishte marrë garanci nga Sekretarja Rice se nuk do të ketë më shtyrje të statusit, Presidenti Sejdiu tha: ”Ne nuk lidhemi me datë por është me rëndësi që ky proces të përfundojë shumë shpejt por garancionet janë se pas 120 ditësh do të përfundohet me një rezultat konkret dhe kjo është pavarësimi i Kosovës” dhe vijoi  “Jemi në një proces dhe kërkojmë urgjencën e përfundimit të tij, dhe kjo lidhet edhe me një afat që është dhënë edhe në këtë mënyrë , pra 120 ditë shtesë të punës sonë të përbashkët të partneritetit që është edhe esenca e bisedimeve tona, dhe besojmë se do të përfundojnë në një kohë optimale”. 

This site is registered on wpml.org as a development site.