Prishtinë, 26 korrik 2007 – Ekipi i Unitetit dhe shefi i UNMIK-ut, Joachim Ruecker, kanë marrë qëndrim që zgjedhjet parlamentare dhe lokale në Kosovë të mbahet gjatë muajit nëntor të këtij viti, ndërkohë që janë pajtuar që në rast se procesi zgjedhor bëhet pengesë për statusin, atëherë do të rishqyrtohet kjo marrëveshje.
Temë themelore e takimit ishte shkëmbimi i informacioneve në mes të Ekipit të Unitetit, i cili ishte në vizitë në Uashington me Përfaqësuesin Special z.Rucker, i cili e informojë Ekipin e Unitetit për vizitën e tij në Bruksel, si dhe çështja e zgjedhjeve. Presidenti Sejdiu në emër të Ekipit të Unitetit tha pas takimit “Ne kemi një qëndrim të përbashkët në bazë të analizave tona është e nevojshme që proceset demokratike të ecin në rrugën e vetë në respektimin e orareve, kjo ka të bëjë me organizimin e zgjedhjeve të reja në Kosovë, të cilat lidhen kryesisht me muajin nëntor si orientim i yni themelor që përputhet me oraret për zgjedhjet në nivel vendi si dhe zgjedhjet në nivel lokal”.Gjithashtu, Presidenti Sejdiu theksoi se “Çështja e statusit është çështje prioritare ndaj të gjitha çështjeve tjera, dhe nëse vlerësohet se çështja e statusit bie në kolizion me çështje tjera atëherë asaj i subordinohen të gjitha proceset tjera”.Përfaqësuesi special do të marrë vendimin në kohën e duhur dhe në afat të përshtatshëm për datën konkrete tha Presidenti Sejdiu ,por,vijoi ai ”Nuk mund të kuptojë askush se organizimi i zgjedhjeve mund të jetë çështje apo hap për të shtyrë procesin e statusit”.Gjithashtu, Presidenti bëri të ditur se” Një pikë shumë e rëndësishme që do të jetë pjesë e vendimit të PSSP-së, është edhe vendim i Ekipit të Unitetit lidhur me çështjen e legjitimitetit të institucioneve deri dy ditë parazgjedhjeve, që do të thotë se Kuvendi i Kosovës,Qeveria,dhe Ekipi i Unitetit do të vazhdojnë punën e tyre deri dy ditë para zgjedhjeve. Në fund, Presidenti Sejdiu sqaroi se “Në ndërkohë do të bëhen edhe ndërhyrjet e nevojshme që kanë të bëjnë me legjislacionin, që lidhen edhe me temën e pragut zgjedhor dhe proceset e tjera të mënyrës së zgjedhjeve”.