presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

PRESIDENTI SEJDIU PRITI ZËVËNDESKOMANDANTIN E KFOR-IT, GJENERAL BERNARDINI.

Prishtinë, 26 korrik 2007 – Presidenti i Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, priti në një takim lamtumirës Gjeneralin Bernardini, zëvendës Komandant i KFOR-it.

Gjenerali Bernardini falënderoi Presidentin Sejdiu për gjithë përkrahjen që ia ka dhënë atij dhe KFOR-it italian në përgjithësi. “Ju gjithnjë keni çmuar punën tonë, keni shfaqur një konsideratë të lartë për atë që kemi bërë dhe për këtë ju falenderoj sinqerisht” theksoi Bernardini. Ai tha se ia ka dedikuar këtë vit të jetës së tij punës për të mirën e Kosovës dhe të gjithë ushtarët e KFOR-it italian edhe pse janë të lumtur që kthehen në shtëpi gjithnjë do ta mbajnë në zemër një pjesë të vendit ku kanë punuar.“Mesazhi që unë do t’ia bartë autoriteteve italiane është se populli dhe lidershipi kosovar meritojnë një zgjidhje të shpejtë dhe të drejtë për vendin e tyre”, tha Gjenerali Bernardini duke përfunduar se nga Kosova po largohet me përshtypjet më të mira. Presidenti Sejdiu, duke falenderuar Gjeneralin Bernardini për punën e sinqertë dhe përkushtimin e tij për Kosovën dhe popullin e saj, tha se ishte kënaqësi e veçantë të bashkëpunonte me Gjeneralin dhe gjithë pjesëtarët e KFOR-it italian  të cilët kanë ndërtuar një strategji të jashtëzakonshme për një jetë më të mirë dhe të integruar të qytetarëve të Kosovës. “Me Italinë kemi miqësi të përhershme dhe historike e cila do të vazhdojë” theksoi Presidenti Sejdiu duke shtuar se shpresojmë që procesi i pavarësimit të Kosovës do të përfundojë sa më shpejtë, edhe me mbështetjen e Italisë. “Zgjidhja e statusit të Kosovës do të thotë stabilitet, për të cilin edhe ju keni investuar shumë. Kosova do të vazhdojë me prezencën e trupave të KFOR-it dhe do të ndërtohet një forcë e sigurisë e cila në të ardhmen do të jetë partnere e NATO-s” përfundoi Presidenti Sejdiu.

This site is registered on wpml.org as a development site.