Prishtinë, 18 korrik 2007- Në takimin e sotëm të Ekipit të Unitetit u diskutua për përgatitjet para takimit me Sekretaren amerikane të Shtetit zj.Condoleezza Rice si dhe çështje të tjera siç janë: hartimi i Kushtetutës dhe procesi zgjedhor.
Pas takimit, Presidenti Sejdiu tha: “Kemi konceptuar pikat themelore, të cilat do t’i prezantojmë në takimin me znj. Rice dhe besoj se do të kemi ende ide të cilat do të japin një qasje pragmatike, me të gjithë elementet e nevojshme”, dhe çështja e dytë vijoi ai, “Ishte një debat edhe rreth proceseve tjera që Kosova ka para vetes, siç janë përfundimi i Kushtetutës, e cila do të jetë temë kryesore e jona, si dhe procesi zgjedhor”.Ishte vlerësim i përbashkët i Ekipi i Unitetit, se mbajtja e zgjedhjeve parlamentare dhe komunale në Kosovë, gjatë kësaj vjeshte sipas agjendës së rregullt zgjedhore është e domosdoshme për të siguruar legjitimitetin e nevojshëm të pushtetit qendror dhe lokal në Kosovë.Gjithashtu, Ekipi i Unitetit është i vendosur që organizimi i zgjedhjeve të mos shërbej si justifikim për shtyrjet e reja të përfundimit të statusit politik të Kosovës, sepse zgjidhja e statusit të Kosovës, është prioritet absolut i Ekipit të Unitetit, të cilit i subordinohen të gjitha proceset tjera politike në Kosovë.Duke iu përgjigjur interesimeve të gazetarëve, për mundësinë e vendosjes së një date për Pavarësinë e Kosovës, Presidenti Sejdiu, theksoi: “Ne insistojmë që të jetë një kohë shumë e shkurt në kuadër të së mundshmes, sa më parë që të bëhet e gjithë ajo punë që do të rezultojë me njohjen formale të Pavarësisë së Kosovës”.