presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

DEKLARATË E ZYRËS SË PRESIDENTES SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS ME RASTIN E 3 MAJIT – DITËS BOTËRORE TË LIRISË SË SHTYPIT

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, vlerësojmë dhe respektojmë punën e të gjithë gazetarëve dhe rolin e mediave në promovimin e vlerave të shoqërisë sonë dhe në ndërtimin e një shteti demokratik dhe të lirë.

Të drejtat themelore të njeriut, që përfshijnë edhe lirinë e shprehjes, janë të mishëruara dhe të garantuara me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës, dhe ato duhet të gjejnë zbatim të plotë në shoqërinë tonë.Megjithatë, është shqetësues fakti se mediat në Kosovë, vlerësohen të jenë pjesërisht të lira, gazetarët vlerësojnë të jenë të kërcënuar dhe nën presion.Sulmet mbi gazetarët, si ai në Malishevë ndaj ekipit të Klan Kosovës dhe mbi të gjitha sulmi në shtëpinë e kryeredaktorit të RTK-së, Mufail Limani, janë akte të papranueshme dhe përpjekje për të shuar lirinë e fjalës dhe për të ngulfatur debatin publik.Është e papranueshme që në Kosovën që po e ndërtojmë të pengohet puna e mediave dhe të pamundësohet liria e tyre. Presioni, shantazhi dhe kërcënimet ndaj tyre janë të papranueshme dhe të patolerueshme. Shteti i Kosovës është shtet ligjor ku rendi dhe sundimi i ligjit janë parimet bazë të ndërtimit të tij.Në Ditën Botërore të Shtypit inkurajojmë mediat dhe gazetarët që të vazhdojnë punën e tyre, duke forcuar etikën dhe profesionalizmin e tyre. Liria e fjalës është e drejtë themelore dhe e garantuar, dhe i ftojmë gazetarët që të mos heqin dorë nga kjo e drejtë sepse vetëm ashtu mund të ndërtojmë demokraci të mirëfilltë dhe shtet të së drejtës. 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.