presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Deklaratë e Presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, pas takimeve me liderët e partive politike parlamentare, lëshon këtë deklaratë për opinion:

“Kam takuar sot gjatë ditës, dy nga liderët e partive politike parlamentare, kryetarin e PDK-së, Hashim Thaçi, dhe kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, si dhe kam zhvilluar një bisedë telefonike me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj, për të trajtuar çështjen e ndërtimit të institucioneve të vendit. Kam kërkuar nga tre liderët, ashtu siç kërkoj edhe nga të gjithë liderët e tjerë partiakë, të tregojnë pjekuri politike dhe, duke lënë anash mospajtimet ndërmjet tyre dhe interesat e ngushta, të veprojnë shpejt për ndërtimin e institucioneve, konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë së re. Liderët e partive politike parlamentare duhet të veprojnë shpejt për të siguruar qëndrueshmërinë e vendit. Ne duhet të dëshmojmë përkushtimin për ndërtimin e shtetit të së drejtës, duke respektuar kuadrin tonë kushtetues.   Jam e përkushtuar që, duke garantuar kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë në vend, të zbatoj në përpikëri vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Institucionet e reja duhet të ndërtohen në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Duhet të garantojmë se me institucionet e reja do të përmbushim çdo detyrim ndaj qytetarëve tanë dhe gjithashtu obligimet ndaj bashkësisë ndërkombëtare, partneriteti me të cilën është jetik për vendin. Dialogu politik është i rëndësishëm për forcimin e demokracisë së brendshme dhe ai duhet të zhvillohet, pavarësisht mospajtimeve, në interes të qytetarëve dhe të avancimit të proceseve të përgjithshme në vend.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.