DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjala e Presidentes Jahjaga në lansimin e Ditës së Grave Ndërmarrëse në Kosovë

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga mori pjesë sot në lansimin e Ditës së Grave Ndërmarrëse në Kosovë. Ky manifestim shënohet në partneritet me Javën Globale të Ndërmarrësisë, e cila në Kosovë organizohet nën patronatin e Presidentes së Republikës së Kosovës, zonjës Atifete Jahjaga.

Në vijim, fjala e Presidentes Jahjaga në këtë ceremoni:E nderuar znj. Kusari – Lila,E nderuara znj. Mirlinda Kusari – Purrini,Të nderuar ambasadorë të akredituar në Kosovë,Të nderuar përfaqësuese nga vendet e rajonit,Të dashura mike, Më vjen mirë që ju bashkohem këtë mëngjes, për të diskutuar rreth një teme tejet të rëndësishme, pjesëmarrjes së grave në ekonomi, ndërsa lansojmë Ditët e ndërmarrësisë së grave në Kosovë.Por, para se të filloj të flas për këtë temë, dëshiroj të shpreh kënaqësinë e veçantë që vendi ynë, me iniciativë të Qendrës Inovative të Kosovës (ICK), dhe me mbështetjen e partnerëve të shumtë, i është bashkuar për vitin e dytë me radhë shënimit të javës globale të ndërmarrësisë. Kjo javë synon të ngre vetëdijen shoqërore dhe institucionale rreth fuqisë dhe rëndësisë që zhvillimi i ndërmarrësisë ka në zhvillimin ekonomik të vendit, në nxitjen e inovacionit, në gjenerimin e vendeve të reja të punës dhe në rritjen e mirëqenies të të gjithë qytetarëve, andaj dhe unë kam shprehur mbështetjen time të parezervë.Ndërmarrësia është gjenerator i zhvillimit ekonomik dhe atij social, andaj e them pa hezitim se një shoqëri e cila mbështet shpirtin ndërmarrës në mesin e saj, është një shoqëri vizionare dhe është një shoqëri e cila e ka trasuar për vete dhe qytetarët e saj, një të ardhme më prosperuese.Gjatë kësaj jave do të keni mundësi të merrni pjesë në shumë diskutime, do të dëgjoni nga ekspertë për përvojën e tyre në ndërmarrësi, do të mësoni për forma të reja të fuqizimit të biznesit dhe për realizimin e ideve tuaja. E gjithë kjo bëhet me synimin për t’i dhënë shtysë zhvillimit të gjithmbarshëm të ndërmarrësisë.Por, sot fokusohemi në një element tejet të rëndësishëm të kësaj iniciative për zhvillim, në rolin që gratë luajnë në zhvillimin ekonomik të vendit dhe në nevojën për ofrimin e mundësive të barabarta që garantojnë përfshirjen e tyre dhe shfrytëzimin e talentit që ato kanë dhe që gjithësecili prej nesh ka.Në adresimet e mia të shumta, e kam sjell shpesh në pah faktin se gratë përbëjnë gjysmën e shoqërisë sonë dhe gjysmën e talentit dhe burimit njerëzor. Por, përkundrejt faktit që gratë janë gjysma e pasurisë së njerëzimit, ne shohim çdo ditë sesi grave ju ofrohen më pak mundësi në edukim, më pak qasje në burimet financiare dhe ato ekonomike. Ato janë më pak të pranishme në tavolinat vendimmarrëse, apo në bordet menaxhuese të kompanive të mëdha.Përballemi me një realitet të hidhur ku gratë dhe vajzat përfaqësojnë kategorinë më të varfër të shoqërisë, përbëjnë shtresën më pak të avancuar ekonomikisht duke e gjetur veten pjesë të rrethit vicioz të varfërisë dhe të varshmërisë brez pas brezi.Ka ardhur koha që të ndryshojmë këtë realitet, t’i japim fund barrierave gjinore që ju imponohen grave dhe vajzave. Pasi respektimi i të drejtave të grave është një e drejtë njerëzore por është edhe një zgjedhje e mençur që garanton mirëqenie dhe progres.Të dashura mike, Çdo ditë e më shumë ne jemi duke parë efektet pozitive të shumëfishta të përfshirjes aktive të grave në çdo fushë të shoqërisë, veçanërisht në ato shoqëri të cilat si pjesë të zhvillimit të tyre kanë integruar politikat e garantimit të pjesëmarrjes së gruas në çdo kapilar të shoqërisë.Vetëm para pak ditësh anëtarët e G20, të shteteve më të zhvilluara ekonomikisht, u zotuan të ndërmarrin masa konkrete për të zvogëluar hendekun e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore në mes burrave dhe grave për 25 për qind deri në vitin 2025. Shpresojmë që ne të arrijmë këtë. Barazia gjinore u inkorporua si pjesë e agjendës së zhvillimit ekonomik të vendeve më të avancuara në botë, pasi, siç u tha, “kontributi i gruas në ekonominë e vendit dhe në ekonominë botërore është substancial dhe nuk mund të injorohet”.Kosova synon të radhitet në krah të këtyre shoqërive, andaj dhe kemi ndërmarrë hapa konkretë në këtë drejtim si shoqëri dhe institucione nëpërmjet ndërtimit të politikave, legjislacionit dhe mekanizmave të ndryshëm për t’ju ofruar më shumë qasje grave në fuqizimin ekonomik. Ne e kemi bërë këtë edhe në samitin e parë ndërkombëtar të gruas të mbajtur në Kosovë në tetor të 2012, kur identifikuam një sërë rekomandimesh të njohura si “Parimet e Prishtinës”, që kanë shërbyer si udhërrëfyes të rrugës sonë drejt përmbushjes së vizionit për një shoqëri me qasje të barabartë për gratë dhe burrat.Në këto parime rëndësi të veçantë i kushtuam fuqizimit ekonomik të gruas, duke e konsideruar atë kyçe për rritjen e përgjithshme ekonomike dhe për garantimin e qasjes universale në siguri, drejtësi, në burime financiare e ato ekonomike, si dhe vendimmarrje qeveritare në nivel lokal dhe qendror.Por, përtej të arriturave tona, kemi ende shumë punë për të bërë.Ne duhet të hartojmë strategji dhe plane konkrete, përmes të cilave garantojmë qasjen afatgjate të gruas në ekonomi, duhet të hartojmë një qasje gjithëpërfshirëse që i adreson të gjitha barrierat me të cilat përballen gratë që nga hapi i parë i pjesëmarrjes në fuqinë punëtore, deri te garantimi i pjesëmarrjes në bordet menaxhuese të kompanive, qofshin të vogla ose të mëdha.Fuqizimi ekonomik i gruas buron nga dhuntitë dhe shkathtësitë e gruas, dhe merr formë kur grave ju ofrohen mundësitë e barabarta, duke përfshirë të drejtat e tyre të plota ligjore dhe qasjen e drejtë në mundësi dhe në burime.Të dashura mike,Në mesin tuaj sot shoh shumë gra të fuqishme në shoqërinë tonë, të cilat me shumë punë dhe mund, me vizion dhe vendosmëri, kanë arritur t’i shembin barrierat e shoqërisë sonë. Ju, të nderuara zonja, që jeni të suksesshme në ndërmarrësi, jeni modele për të gjitha vajzat e reja por edhe për djemtë e rinj, të cilët aspirojnë të bëhen ndërmarrës.Ju përfaqësoni shembujt e suksesit të shoqërisë sonë!Në këtë ditë i shprehim mirënjohje të gjitha grave ndërmarrëse, të cilat nuk u stepën nga sfidat me të cilat u përballen në ndërtimin dhe zgjerimin e bizneseve të tyre. Si dhe vlerësoj kontributin e të gjitha organizatave, të cilat kanë mbështetur dhe vazhdojnë të mbështesin gratë në ndërmarrësi. Një shembull i mirë është zonja Mirlinda Kusari-Purrini, e cila përfaqëson Kosovën si ambasadore nderi në Ditën e Ndërmarrësisë së Grave.Nga ky forum përcjellim fuqishëm porosinë se gratë ndërmarrëse nuk janë vetëm, ato gëzojnë mbështetjen e plotë institucionale dhe, pa dyshim, mbështetjen e grave ndërmarrëse në realizimin e projekteve të tyre.Uroj që vitin e ardhshëm në këtë ditë të flasim për më shumë suksese dhe më shumë mundësi që ju ofrohen grave ndërmarrëse dhe më pak për sfidat me të cilat ballafaqohemi. Ju i keni aftësitë profesionale, keni vullnet dhe me punë të palodhshme, jam e bindur se ne së bashku do t’ia dalim.Këtë ditë të sotme, Xheraldina e filloi me një thënie të një mikeje të madhe të Kosovës, Sekretares së SHBA-ve, zonjës Clinton, dhe unë do ta përmbylli po ashtu me një thënie të një mikeje të madhe të Kosovës, po ashtu sekretare e SHBA-ve, zonjës Olbright, e cila thotë: “Është një vend i rezervuar në ferr për të gjitha ato gra të cilat nuk i mbështetin gratë e tjera”. Pra, ne duhet ta mbështesim njëra-tjetrën, se po s’e mbështetëm, nuk do të jemi të afta që të mund t’ju përcjellim një mesazh vajzave të reja. 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: SR

This site is registered on wpml.org as a development site.