DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Ati i Shenjtë priti presidentin Thaçi, Kosova vend i tolerancës mes popujve

Romë, 16 qershor 2016 – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në një audiencë private është pritur nga Ati i Shenjtë, Papa Françesku, në Selinë e Shenjtë në Vatikan.

Në takimin me Atin e Shenjtë, i cili ka zgjatur më shumë se gjysmë ore, presidenti Thaçi ka thënë se vlerat që përfaqëson Selia e Shenjtë, si pajtimi, paqja, bashkëpunimi dhe toleranca janë vlera për të cilat është duke u angazhuar edhe Kosova.

Presidenti Thaçi, Atin e Shenjtë e ka njoftuar edhe për konsolidimin e brendshëm dhe të jashtëm të Kosovës si shtet, që ka arritur të tejkaloj faqen e hidhur të historisë së saj dhe është i kthyer nga një e ardhme në paqe, në stabilitet, në prosperitet për qytetarët e saj dhe për tërë rajonin.

Në takim me Papa Françeskun, presidenti Thaçi ka thënë se Kosova është shembull në rajon dhe më gjerë për tolerancën dhe bashkëjetesën mes popujve të përkatësive të ndryshme fetare dhe etnike.

Gjithashtu, ai është shprehur i gëzuar që po bëhet shenjtërimi i Nënës Tereze, e cila është mishërim i vlerave universale.

Në fund të takimit, presidenti Thaçi e ka falënderuar Atin e Shenjtë edhe për përkrahjen që Vatikani i ka dhënë gjithnjë popullit të Kosovës.

Presidenti i ka dorëzuar Atit të Shenjtë edhe ftesën që të vizitojë Kosovën në një të ardhme të afërt si dhe i shprehu dëshirën që Selia e Shenjtë të njohë shtetin e Kosovës sa më parë.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.