Fjala e Presidentes Atifete Jahjaga në takimin e katërt të Këshillit Kombëtar për të Mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës

Ju dëshiroj mirëseardhje në takimin e katërt të Këshillit Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë Luftës, ku temë qendrore kemi diskutimin e projektrregullores për njohjen dhe verifikimin e statusit të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës,duke përfshirë edhe formularin e aplikimit.

I nderuar ministër Abrashi,
I nderuar ministër Rrahmani,
I nderuar zv/ministër Çelaj,
Të nderuar ambasadorë,
Të nderuar përfaqësues të gjyqësorit,
Të nderuar deputet,
Të nderuar përfaqësues të shoqërisë civile,

Ju dëshiroj mirëseardhje në takimin e katërt të Këshillit Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë Luftës, ku temë qendrore kemi diskutimin e projektrregullores për njohjen dhe verifikimin e statusit të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës,duke përfshirë edhe formularin e aplikimit.

Siç e dini, më 20 mars të vitit të kaluar, Kuvendi i Kosovës miratoi projektligjin me të cilin njohu statusin e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, hap i cili na vuri para obligimit që të ndërtojmë një proces të denjë, të përgjegjshëm sipas standardeve më të larta ndërkombëtare për të mundësuar zbatimin e plot tëkëtij ligji.

Ishte po ashtu rekomandim i këtij Këshilli, i dalë nga ju anëtarë të tij, që aktet nënligjore të parapara me këtë ligj të përpiloheshin nga një grup punues me përfaqësim të gjerë institucional, duke përfshirë përvojën e organizatave të grave të cilat kanë ofruar shërbime për të mbijetuarat që nga përfundimi i luftës, të atyre ndërkombëtare me ekspertizënvendore dhe atë ndërkombëtare, në konsultim të ngushtë me praktikat më të mira rajonale dhe më gjerë, për të ofruar një proces të denjë për të mbijetuarit dhunës seksuale gjatë luftës.

Në bazë të këtij rekomandimi u veprua, dhe që në hapat e parë grupi punues për hartimin dhe finalizimin e akteve nënligjore të nevojshme për procesin e njohjes dhe verifikimit të të mbijetuarve, i udhëhequr nga Zyra Ligjore pranë Zyrës së Kryeministrit në bashkëpunim të ngushtë me Zyrën time, gjeti përkrahjen e Zyrës së Komisionerit të Lartë për të Drejtat e njeriut, të Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar dhe asaj Amerikane, të Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, të UNWOMAN në Kosovë, të shumëorganizatave joqeveritare në vend dhe të institucioneve të vendit, të ekspertëve vendorë dhe atyre ndërkombëtarë. Ky grup punues mori për bazë edhe Protokollin Ndërkombëtar të dalë nga Samiti Global për Parandalimin e dhunës seksuale gjatë luftës dhe dokumente të tjera të Kombeve të Bashkuara.

Sot pas një pune njëvjeçare të këtij grupi punues, jemi duke bërë një hap të rëndësishëm në procesin e garantimit të njohjes ligjore për të mbijetuarit, finalizimin e akteve të nevojshme nënligjore, të projekt rregullores për përcaktimin e procedurave për njohjen dhe verifikimin e statusit të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës dhe formularit të aplikimit.

Dua të përgëzoj grupin punues për përkushtimin që kanë dëshmuar në këtë proces shumë të rëndësishëm duke ndërtuar një bashkëpunim të ngushtë në mes të institucioneve të vendit dhe organizatave joqeveritare. Ju faleminderit për punën e juaj.

Unë jam e bindur dhe pres nga Qeveria e vendit të marrë sa më parë vendimet e nevojshme që do t’i hapin rrugën formimit të Komisionit Qeveritar për verifikimin dhe njohjen e statusit për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës ashtu siç e parasheh edhe ligji, dhe në bazë të akteve nënligjore të filloi procesi i verifikimit dhe përfitimit të beneficioneve për të mbijetuarit, duke përmbushur kështu edhe këtë obligimin institucional që ne kemi marrë dhe ne kemi ndaj tyre.

Duhet të vazhdojmë të jemi të përkushtuar dhe vigjilent që procesi i njohjes së statusit të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës të mbetet një proces i denjë, i përgjegjshëm që në qendër të tij të ketë gjithmonë, në çdo hap, mirëqenien e tëgjithë tëmbijetuarve.

Të nderuar anëtar të këshillit,

Para disa javësh Kosova mbushi faqet e mediave botërore me imazhet e instalacionit artistik “Mendoj për ty” të Alketa Xhafa-Mripës, imazhin e mbi 5000 fustane të varura në stadiumin e Prishtinës, të cilat flisnin për krimin mizor të kryer mbi popullatën e pafajshme të Kosovës.Ndërsa ne atë ditë, shënonim një ditë të shenjtë për vendin tonë, ditën e çlirimit, fustanet e ardhura nga cepa të ndryshme të vendit, nga vende të ndryshme të botës, nga Nju Jorku, nga Britania e Madhe të dhënë nga Baronesha Anelay, nga CherieBlair, nga Rita Ora që nderuan në këtë mënyrë forcën e grave të Kosovës, dëshmuan një padrejtësi të madhe, kërkuan nga ne që të përmbushim obligimin qytetar, institucional si dhe ndërkombëtar për t’i thënë jo këtij krimi, për t’i thënë jo stigmës ndaj të mbijetuarve dhe për të vepruar me përkushtim të palëkundur për të gjetur drejtësi për to.

Ky rrugëtim na la shumë më të ndërgjegjshëm për përgjegjësitë që secili prej nesh ka. Jam e bindur se na ka lënë edhe më të përkushtuar për të garantuar rehabilitimin e plotë të tyre dhe më të vetëdijshëm për nevojën për të vazhduar diskutimin e hapur shoqëror për këtë plagë lufte duke ndërruar tashmë raportin që në kemi me të mbijetuarat, duke luftuar stigmën që vazhdon të na rrethojë dita ditës të gjithë neve. Dhe, të gjithë ne jemi të vetëdijshëm që rehabilitimi i të mbijetuarve kërkon një angazhim gjithëpërfshirës institucional dhe shoqëror duke u udhëhequr nga nevojat e tyre dhe nga detyrimet që ne kemi për t’i përmbushur ato.

Të nderuar të pranishëm,

Po ashtu, nga takimi i fundit i Këshillit, qasja në drejtësi u ngrit si një çështje tejet e rëndësishme. Siç e dini kërkova menjëherë që të ndërmerren hapat e duhur për hartimin e një plani veprimi për garantimin e qasjes në drejtësi për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës.

Nën udhëheqjen e zv. Ministritë të Drejtësisë, z. Lirak Çelaj tashmë është formuar grupi punues me përfaqësues të këtij institucioni, të Zyrës sime, të Këshillit Prokurorial dhe atij Gjyqësor, të EULEX-it, ku janë ftuar organizatat joqeveritare të grave dhe ato ndërkombëtare, për të përpiluar një plan veprimi mbi të cilat jam e bindur që do të hedhim bazën për të sjellëdrejtësi për këto të mbijetuar. Faleminderit zëvendësministër për hapat e parë që keni hedhur në këtë drejtim dhe besoj që gjatë këtij takimi të sotëm, ju do ta shfrytëzoni rastin dhe do ta prezantoni një raport konkret lidhur me veprimet konkrete të ndërmarra deri më tani.

Qasja në drejtësi është e drejtë themelore dhe kushtetuese për secilin qytetar të vendit, andaj mbetet e nevojshme që këto raste të trajtohen me prioritet nga institucionet e vendit duke ndërtuar mekanizmat dhe kapacitetet e nevojshme të specializuar për të garantuar trajtimin e denjë të të gjitha rasteve që kanë të bëjnë me këtë natyrë.

Në këtë proces të vështirë të rehabilitimit të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës dëshiroj të shpreh falënderim timpër angazhimin dhe përkushtimin e institucioneve të vendit, të organizatave joqeveritare të grave, të cilat në çdo moment mbetën zëri i të mbijetuarve, të organizatave ndërkombëtare dhe përfaqësive diplomatike për angazhimin e ndërmarrë që ne sot me krenari të themi që në Kosovë ne kemi filluar të ndryshojmë diskursin social, publik dhe politik me të cilin adresojmë të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës.

Me punën tonë kemi filluar të ndryshojmë historitë e të mbijetuarve, t’jua kthejmë atyre shpresën. Por, dua të them se na mbetet ende punë për të bërë së bashku. Andaj më shumë se kurrë duhet të vazhdojmë të angazhohemi për të përmbushur pjesën e mbetur të këtij rrugëtimi, duke filluar sa më parë procesin e njohjes së statusit të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës dhe përfitimeve të parapara me ligj, duke forcuar qasjen në drejtësi, duke ju siguruar qasjen e nevojshme shëndetësore, duke vazhduar përpjekjet për fuqizimin ekonomik dhe duke luftuar stigmën, dhe ngritur vetëdijen shoqërore, duke thënë gjithsecilit prej nesh se në këtë rrugëtim, nuk jemi NE dhe ATO, jemi NE dhe jemi NJË.