
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Dr. Vjosa Osmani-Sadriu është Presidentja e gjashtë e Republikës së Kosovës.
Presidentja Osmani u zgjodh më 4 prill 2021, pasi më parë ka shërbyer si Kryetare e Kuvendit dhe është zgjedhur deputete e Republikës së Kosovës për pesë mandate radhazi. Ajo u diplomua në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës dhe ka përfunduar studimet e nivelit Master si dhe Doktoraturën në fushën e së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Pittsburgh-ut në Pensilvani, Shtetet e Bashkuara.
Presidentja e Republikës së Kosovës është edhe Komandante Supreme e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe udhëheq politikën e jashtme të vendit, sipas Kushtetutës së Kosovës. Si avokuese e paepur për një sistem të paanshëm dhe profesional të drejtësisë, Presidentja Osmani ka mbështetur fuqishëm reformat e gjera të sundimit të ligjit në Kosovë. Si Presidente, Vjosa Osmani ka mbrojtur vazhdimisht të drejtat e grave, veçanërisht pjesëmarrjen e tyre në proceset e paqes, sigurisë dhe ato ekonomike, si dhe fuqizimin e tyre politik. Ajo është e përkushtuar për të rritur ndërgjegjësimin dhe mbështetjen për fëmijët me nevoja të veçanta, si dhe për fuqizimin e grupeve të margjinalizuara në Kosovë.
Përveç kësaj, fuqizimi i të rinjve në fusha të ndryshme, nga teknologjia e informacionit deri te vendimmarrja politike, ka qenë një pjesë e rëndësishme e punës së Presidentes.
Në zgjedhjet e shkurtit 2021, ajo arriti një nivel historik të mbështetjes popullore, gjë që më pas çoi edhe në zgjedhjen e saj në Parlament si Presidentja e gjashtë e Republikës së Kosovës. Para kësaj, Vjosa Osmani ishte gruaja e parë që shërbeu si Kryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës, e zgjedhur në këtë post më 3 shkurt 2020. Ajo ka shërbyer gjithashtu si ushtruese e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës në periudhën nëntor 2020 – mars 2021. Në mandatet e saj të mëparshme si deputete, ka drejtuar Komisionin Parlamentar të Punëve të Jashtme, Komisionin për Integrime Evropiane dhe ka qenë nënkryetare e Komisionit për Reformën Kushtetuese.
Në vitin 2024, Presidentja Vjosa Osmani u nderua me Çmimin Evropian Richard Coudenhove-Kalergi nga Fondacioni Pan-Evropian për dedikimin e saj të palëkundur ndaj vlerave euroatlantike, demokracisë dhe sundimit të ligjit. Me këtë çmim, ajo vazhdoi trashëgiminë e arkitektit të pavarësisë së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, i cili mori të njëjtin çmim prestigjioz 20 vjet më parë.
Po në vitin 2024, Presidentja Vjosa Osmani u nderua po ashtu me M100 Media Award nga M100 Sanssouci Colloquium për përkushtimin e saj të palëkundur ndaj vlerave euroatlantike dhe përpjekjet e saj të palodhura për avancimin e reformave, forcimin e demokracisë, kursin pro-evropian, luftimin e korrupsionit, barazinë dhe të drejtat e grave, duke u bërë liderja e parë në Ballkan që ka marrë këtë mirënjohje.
Nga viti 2006 deri në vitin 2010, Vjosa Osmani shërbeu si shefe e kabinetit të Presidentit Fatmir Sejdiu dhe Këshilltare e Lartë për Çështjet Juridike dhe Ndërkombëtare, duke përfaqësuar Presidentin në Komisionin që hartoi Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Ajo gjithashtu ishte pjesë e ekipit që përfaqësoi Kosovën para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në rastin historik lidhur me shpalljen e pavarësisë së Kosovës.
Që nga viti 2006, Presidentja Osmani ka ligjëruar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës dhe më vonë iu bashkua fakultetit të Universitetit Amerikan në Kosovë (RIT). Për më tepër, ajo ka ligjëruar edhe në Universitetin e Pittsburgh-ut në SHBA si profesoreshë vizituese. Në vitin 2017, ajo u nderua me Çmimin Ndërkombëtar Sheth nga Universiteti i Pittsburgh-ut. Gjatë karrierës së saj politike, ka fituar edhe një sërë mirënjohjesh të tjera.
Gjatë mandateve të saj si deputete e Parlamentit, ajo shërbeu gjithashtu si anëtare e Bordit të Rrjetit Parlamentar të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, si dhe anëtare e Komitetit Drejtues të Iniciativës Globale të Deputetëve të Rinj të Bankës Botërore dhe FMN-së.
Vjosa Osmani ka lindur më 17 maj 1982 në Mitrovicë, ku ka përfunduar arsimin fillor dhe të mesëm. Përveç gjuhës amtare shqipe, ajo flet anglisht dhe disa gjuhë të tjera të huaja. Ajo është e martuar me Prindon Sadriun dhe kanë dy vajza binjake, Anda Elisa Sadriu dhe Dua Tiara Sadriu. Presidentja Osmani dhe familja e saj jetojnë në Prishtinë.