Presidentja Osmani ka uruar Festën e Pashkëve të gjithë besimtarëve ortodoksë duke theksuar rëndësinë e solidaritetit dhe humanizmit të cilat ngjallin shpresën për të ardhmen.
Urimi i plotë i Presidentes:
Gëzuar Pashkët të gjithë besimtarëve ortodoksë! Kjo festë është shëmbëllim i solidaritetit, dashurisë dhe shpresës për ditë më të mira, ndaj uroj që në çdo familje të mbretërojë paqja dhe lumturia.
Pashkët janë manifestim i forcës sonë të përbashkët, humanizmit e solidaritetit, të cilat ngjallin shpresën për të ardhmen.
Fatkeqësisht, shumë besimtarë e kremtojnë këtë festë në një kohë kur paqja dhe liria në kontinentin tonë kërcënohen nga tirani dhe despotë. Andaj, solidarizohemi me shumë ukrainas që festojnë sot nën atmosferën e luftës.