presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Urimi i Presidentes Jahjaga për Festën e Pashkëve

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga i ka uruar Ipeshkvin e Ipeshkvisë së Kosovës Imzot Dodë Gjergjin dhe gjithë besimtarët katolikë, me rastin e Festës së Pashkëve.

Në urim thuhet: Në emrin tim dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës ju shpreh urimet më të përzemërta me rastin e Festës së Pashkëve, me dëshirat më të mira që këtë festë ta kaloni në gëzime e në begati të gjithë së bashku me më të afërmit dhe me më të dashurit tuaj. Festa e Pashkëve është festë e paqes, e dashurisë dhe e shpresës, ditë e ngadhënjimit të jetës mbi vdekjen, ditë e rikthimit në vlerat më sublime shpirtërore. Në këtë ditë kujtojmë sakrificën e të gjithë atyre që ranë për lirinë e vendit tonë, kujtojmë përpjekjet shekullore për liri, pavarësi e demokraci, për një jetë në paqe dhe në harmoni ndërmjet gjithë njerëzve. Festa e ringjalljes të na shërbejë në forcimin e besimit në njëri-tjetrin, në vlerat tona humane të solidaritetit, të ndihmës e të përkujdesjes për familjet tona, për të afërmit, për miqtë dhe për të gjithë ata që kanë nevojë.  Kjo ditë e gjen vendin tonë me të arritura të shumta në të gjitha fushat, me përkushtim më të madh, me synimin e qartë që sa më parë të bëhemi pjesë e familjes së madhe të kombeve të lira, të Bashkimit Evropian dhe anëtar i OKB dhe i të gjitha mekanizmave dhe organizatave ndërkombëtare. Në këtë rrugë po ballafaqohemi edhe me sfida, të cilat do t’i tejkalojmë bashkërisht dhe me angazhim të vazhdueshëm të institucioneve dhe të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Në këtë ditë feste, uroj që mes qytetarëve të vendit tonë dhe qytetarëve të mbarë botës të mbretërojë paqja, dashuria dhe harmonia e përhershme.  Urime dhe fat! Atifete Jahjaga,Presidente e Republikës së Kosovës

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: SR

This site is registered on wpml.org as a development site.