Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, në njëvjetorin e zgjedhjes së saj në detyrën e presidentes së vendit, organizoi një takim me gazetarë, në të cilin ajo falënderoi gazetarët për punën që bëjnë dhe për bashkëpunimin, ndërsa foli për një varg zhvillimesh të rëndësishme për vendin, brenda një viti.
Po kështu, Presidentja Jahjaga u përgjigj edhe në pyetjet e gazetarëve për tema të ndryshme. Më poshtë po e japim fjalën e Presidentes dhe pyetjet e përgjigjet e saj: Të nderuar gazetarë dhe redaktorë të medieve, ju dëshiroj mirëseardhje ne zyrën e Presidentit të vendit. Ra ky përvjetor dhe po shihemi. Ashtu sikurse ju edhe unë dëshiroj që kësi përvjetorë të kemi më shpesh. Qëllimi është që të jemi ballë përballë ose më mirë që të jemi bashkë dhe të bashkë-bisedojmë. Një vjetori është një rast i mirë që ta vlerësojë punën tonë. Të shohim se çfarë kemi bërë dhe si i kemi kryer punët. Është një reflektim i secilit individ për punën që kryen. E dini se para një viti vendi hyri në një krizë politike, për pamundësinë e zgjedhjes se Presidentit në Kuvend. Unë pata nderin të jem e përzgjedhura e partive politike dhe për të parën herë në historinë e Kosovës të jem një presidente jashtë partiake, të jem faktor uniteti i popullit dhe gjithashtu të jem e pranueshme për gjithë spektrin politik dhe nacional të Kosovës. S Presidente e Republikës së Kosovës gjithherë e kam pasur këtë parasysh dhe besoj se ju e vlerësoni se gjithmonë dhe në secilin rast jam sjellë kështu. Presidenti i një vendi e ka për detyrë dhe për mandat të zbatojë kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë gjatë gjithë punës së tij. Kushtetuta jonë i ka përcaktuar detyrat dhe obligimet e Presidentit të vendit dhe unë plotësisht i kam përmbushur ato. Në opinion ndonjëherë është krijuar bindja që unë si Presidente kam reaguar me vonesë ose ndonjëherë nuk kam reaguar fare. Mirëpo, kjo çdo herë duhet të shihet jo në bazë të opinionit të krijuar, por në bazë të asaj se sa kam pasur të drejtë të reagoj dhe të marrë veprime si institucion. E di që ju keni dëshirë që Presidentja e vendit të jem prezent më shumë në media dhe në opinion. Mirëpo unë gjithmonë kam kujdes që në të gjitha paraqitjet e mia publike të them porosinë e caktuar apo ta përçoj mesazhin institucional. Nuk është arsyetim. por Presidentja e vendit shpreh publikisht vetëm qëndrimet zyrtare dhe ju e dini se ato ndërtohen me një procedurë të veçantë: Presidentja nuk shpreh mendimet dhe pikëpamjet e saj. Edhe pse tek unë këto janë një – dhe qëndrimet dhe mendimet e mia përputhen qind për qind. Edhe pse rruga prej mendimit deri tek qëndrimi i shprehur publikisht, po e shihni, që është shumë e gjatë. Prioritetet e mia gjatë këtij një viti të mandatit tim ishin që të mbahet gjendja stabile dhe normale dhe që si Presidente t’i kryej të gjitha detyrat dhe obligimet e mia, që të jem faktor uniteti dhe që të gjitha çështjet të zgjidhen përmes rrugës së rregullt dhe ligjore. I kam kryer të gjitha obligimet e mia kushtetuese në përfaqësimin dhe në prezantimin e vendit brenda dhe jashtë. I kam përmbushur të gjitha detyrat e mia në kuadër të bashkërendimit dhe koordinimit në raport me qeverinë, kuvendin, veçanërisht me dy ministritë që janë punë e imja: Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Forcës së Sigurisë, me partitë politike, me shoqërinë civile dhe me komunitetin tjetër akademik dhe atë profesional. Të gjitha këto aktivitete të mia ashtu, si edhe vizitat jashtë vendit, vizitat shtetërore, zyrtare dhe të punës, ashtu si edhe në vizitat në komuna të Kosovës, ju i keni përcjellë dhe i keni prezantuar në media. Konkretisht, Presidentja nënshkruan ligje, bën emërimet e gjyqtarëve dhe prokurorëve, emëron ambasadorët dhe kryen punë të tjera protokollare dhe ceremoniale të parapara me Kushtetutë. Harmonizon dhe koordinon politikat në kuadër të funksionimit demokratik të institucioneve. Siç e dini në kuadër të kësaj unë kam themeluar dy Këshilla: që tanimë janë funksional, Këshillin Kombëtar për Integrime Evropiane si dhe Këshillin Kombëtar Kundër Korrupsionit. Unë i kam quajtur si Këshille Kombëtare sepse janë gjithëpërfshirës. Të nderuar gazetarë, e di se ju intereson çështja e mandatit tim dhe po e përsëris atë që e kam thënë disa herë: Jam dhe do të jem faktor uniteti – i cili e ka zgjidhur dhe do t’i zgjidhë krizat, dhe në asnjë rast nuk jam dhe nuk do të jem pengesë për çfarëdo marrëveshje, sidomos për marrëveshjet që i arrin faktori politik dhe që e çojnë vendin përpara. Nuk jam palë e marrëveshjes, por jam rezultat i marrëveshjes dhe e tillë do të mbetem. Si Presidente e vendit dëshiroj ta përçoj imazhin e një personaliteti që i ka parasysh interesat e vendit dhe të popullit, që e prezanton drejt realitetin dhe që është e përkushtuar në rrugën e integrimeve euroatlantike dhe në miqësi të përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këto janë interesat strategjike të Republikës se Kosovës. Vizioni për Kosovën është shumë i qartë: Të jetë një vend i lirë e sovran, anëtar i Bashkimit Evropian dhe NATO-s, një vend tërheqës për investime dhe kapital të huaj, të jemi një vend prosperues, ku ka mundësi për punë, shkollim dhe jetesë, një vend i sundimit të fuqish♪7m të rendit dhe ligjit, një vend me shkallë të lartë të demokracisë me respektim të plotë të të drejtave dhe të lirive të njeriut, një vend ku të gjithë qytetarët pa asnjë dallim janë plotësisht të lirë dhe të barabartë. ***** Pyetje: A ka pasur nevojë që të ndërhyni në çështje madhore për cilat ka përplasej mes pozitës dhe opozitës, si çështja e veriut, çështja e disa ligjeve? Jahjaga: Ne jemi shtet parlamentar dhe detyrat dhe përgjegjësitë e secilit institucion janë të ndara, si në aspektin e detyrave të kryeministrit, të presidentes dhe të kryetarit parlamentit. Unë gjithnjë kam pasur dëshirë që të kemi një koordinimin dhe harmonizim të mirëfilltë brenda të gjitha institucioneve dhe gjithmonë e kam aplikuar këtë. Unë e kam përdorur atë fjalën e artë që zgjidhja është brenda institucioneve dhe të gjitha çështjet e rëndësishme gjatë mandatit tim janë zgjidhur brenda institucioneve. Ju e dini se unë kam pasur disa takime me përfaqësuesit e partive parlamentare në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Gjithashtu, ka pasur disa raste kur unë kam kthyer ligje… Pyetje: Ju e përmendët marrëveshjen sipas së cilës ju jeni zgjedhur. Si[pas saj, këtë vit duhet të mbahen zgjedhjet presidenciale. Nëse ndodh diçka e tillë, a do të kandidoheni për presidente? Jahjaga: Siç e dini, është në proces e sipër amendamentimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe amendamentet kanë shkuar në kuvend për procedurën e mëtutjeshme. Unë ende nuk e kam parë versionin final. Derisa jam në këtë pozitë, unë nuk do të deklarohem a do ta kandidoj apo jo. Ende nuk ka filluar fushata zgjedhore dhe ende nuk është caktuar data e zgjedhjeve. Pyetje: Keni themeluar Këshillin Kombëtar Kundër Korrupsionit dhe para disa ditësh kemi arrestimin e udhëheqësit të Task Forcës Antikorrupsion. A e konsideroni këtë sukses në një fillim më serioz të luftës kundër korrupsionit, apo shqetësim sepse ka qenë pikërisht personi që ka qenë i thirrur ta luftojë korrupsionin? Jahjaga: Këshilli Kombëtar Kundër Korrupsionit ka filluar punën e tij para një muaji e gjysmë dhe brenda javës së ardhshme do të jetë edhe takimi i dytë. Është këshill që ka për qëllim koordinimin dhe harmonizimin ndërinstitucional. Takimi i parë ka qenë më shumë konstituiv, ndërsa takimet e tjera do të jenë me agjendë të caktuar. Sa përket rastit të cilit ju i referoheni, unë gjithnjë them se duhet t’ia lëmë rastin drejtësisë, përpara se institucionet të bëjnë ndonjë koment të caktuar. Pyetje: Çështja e gjyqësorit është temë e kritikuar edhe nga faktori ndërkombëtar edhe nga faktori vendor. A mendoni se duhet të ketë një filtrim apo një analizë më e thuktë në këtë fushë? Jahjaga: Është një pyetje procedurale që duhet t’i drejtohet Këshillit Gjyqësor për procedurat e seleksionimit të kandidatëve për gjyqtarë. Në bazë të obligimeve kushtetuese, Presidentja e kryen vetëm aspektin formal të emërimit të gjyqtarit apo prokurorit të caktuar. Pyetje: Thatë që jeni zgjedhur si rezultat i një marrëveshjeje të partive politike, po më duket se nuk u bë shumë e qartë se ju do ta leni postin në momentin që do të shpallen zgjedhjet dhe nëse ato zgjedhje do të shpallen këtë vit a do të jepni dorëheqje, a do ta lironi rrugën që ato të mbahen apo do të pretendoni që ta përfundoni mandatin komplet? Jahjaga: Është në proces e sipër, shqyrtimi i Kushtetutës dhe amendamentimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe rekomandimet për amendamentimin e Kushtetutës janë që presidenti i vendit e lëshon pozitën apo e lëshon rolin e presidentit posa që presidenti apo presidentja e porsazgjedhur e merr mandatin dhe do të ketë një pranim-dorëzim të detyrës të rregullt sikurse që bëhet në të gjitha vendet e tjera evropiane. Pyetje: Çfarë mendoni për zgjedhjet lokale serbe të paralajmëruara për t’u mbajtur në veri. Jahjaga: Zgjedhjet lokale nuk do të mbahen në territorin e Republikës së Kosovës, ky është qëndrim zyrtar i institucioneve të Republikës së Kosovës dhe i përkrahur edhe nga bashkësia ndërkombëtare. Kurse ne si institucione të Republikës së Kosovës e kemi thënë dhe e përsërisim se për shtetasit apo qytetarët që kanë dyshtetësi është e drejtë që është edhe konform normave dhe standardeve të tjera ndërkombëtare dhe kjo do të bëhet duke i respektuar të gjitha standardet e evropiane, që zakonisht në çdo shtet mund të realizohet përmes ambasadave edhe për shtetin fqinj të Serbisë do të kishte qenë më së lehti që të ketë ambasadën dhe t’i realizojë këto zgjedhje. Pyetje: E ardhmja e asaj pjese të Kosovës… Gjithnjë e më shumë dhe tashmë pothuajse është e qartë se është i pashmangshëm një proces studimesh për zgjidhjen e çështjes së veriut. Si e shihni, zonja Presidente, a do të jeni edhe ju pjesë e këtyre debateve si mund ta shihni epilogun e një procesi të tillë, çfarë do të jetë realisht statusi i veriut dhe cilat do të jenë veprimet e institucioneve për ta integruar atë pjesë kur shihet se është e pamundur një gjë e tillë? Jahjaga: Së pari, një gjë duhet ta kemi të qartë, Kosova është shtet i pavarur dhe është sovran, ka integritetin e saj territorial, që është i pranuar ndërkombëtarisht. Nuk ka ndarje të Kosovës, nuk ka ndarje as të Serbisë, nuk ka shkëmbim territoresh, as të popullsisë, as në mes të Kosovës dhe në mes të Serbisë. Këtu kemi të bëjmë më shumë me tri komuna dhe mua më pengon shpesh kur përmendet veriu i Kosovës. Kemi të bëjmë me tri komuna nga 38 komuna të përgjithshme në tërë territorin e Republikës së Kosovës, që janë fizikisht në veri të territorit të Republikës së Kosovës që nuk banohen me më shumë se 50.000 banorë dhe që janë në rreth 900 kilometra katrorë që janë të komunitetit serb, mirëpo duhet ta dimë që kemi edhe mbi 80 mijë banorë të tjerë të komunitetit serb që jetojnë në pjesë të tjera të territorit të Republikës së Kosovës që janë plotësisht të integruar në institucionet e Republikës së Kosovës. Edhe në Pakon e Ahtisarit edhe në Kushtetutën e Republikës së Kosovës parashihet autonomia komunale, proces që nuk ta lejon as ndarjen, as vetëvendosjen e as shkëputjen që t’i bashkëngjitesh një shteti tjetër. Me këtë pako parashihet procesi i decentralizimit, proces që tanimë ka përfunduar në të gjitha pjesët e tjera të Kosovës në mënyrë të suksesshme dhe kjo çështje që i referohen shpesh aspektit të statusit të veçantë – nuk ka status të veçantë. Qëndrimet e institucioneve të Republikës së Kosovës janë të qarta, për çështje të brendshme të Kosovës zgjidhja është vetëm përbrenda Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës dhe me askënd tjetër nuk do të bisedojmë për çështje te brendshme të Kosovës dhe zgjidhja më e mirë është mbajtja e zgjedhjeve lokale në këto tri komuna në territorin e Republikës së Kosovës që është e drejtë e çdo qytetari.