presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Jahjaga mori pjesë në konferencën “Gjendja dhe problemet e familjes bashkëkohore”

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga mori pjesë sot në Konferencën e organizuar nga Lidhja e Juristëve të Kosovës dhe Fondacioni për Arsim dhe Kulturë “Atmosfera”, me temën “Gjendja dhe problemet e familjes bashkëkohore”.

Në vijim po japim fjalimin që Presidentja Jahjaga paraqiti në këtë konferencë:
 
Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës,
Të nderuar përfaqësues të bashkësive fetare,
Të nderuar profesorë dhe studentë,
Të nderuar pjesëmarrës,
 
Një familje e shëndoshë garanton një shoqëri të shëndoshë që i ndërton bazat e një shteti që është në shërbim të qytetarit. Ju përgëzoj për organizimin e kësaj konference dhe ju jap përkrahje nismave të tilla që trajtojnë gjendjen e familjes në shoqëri dhe sfidat nëpër të cilat ajo po kalon në rrugën e transformimit tonë të përgjithshëm.
 
Familja ka qenë ajo që e ka mbajtur të gjallë, brez pas brezi, ëndrrën dhe aspiratën tonë për liri dhe pavarësi. Ne sot, e gëzojmë Republikën e Kosovës, shtet sovran dhe të pavarur, të ndërtuar në parimin qytetar, në të cilin të gjithë njerëzit, pa dallim, i gëzojnë liritë dhe të drejtat e barabarta.
 
Për të pasur një familje të shëndoshë, duhet të flasim hapur edhe për probleme, duke mbrojtur integritetin e familjes nga të gjitha fenomenet negative. Mos-heshtja ndaj problemeve është mënyra e vetme se si mund të ecim përpara dhe të ndryshojmë për të mirë.
 
Familja e shëndoshë cenohet kur dhuna në familje tolerohet, kur fëmija nuk e gjen shembullin e qytetarit ideal tek prindi i vet dhe kur femra nuk ndjehet e sigurt nga më të afërmit dhe më të dashurit e saj.
 
Ne si institucione dhe shoqëri e organizuar do të ndërmarrim të gjithë hapat e nevojshëm, që familja jonë, si qelizë themelore e shoqërisë, të mos ndjehet e kërcënuar në asnjë segment të saj.
 
Femra është shtylla e familjes dhe duhet të krijohen të gjitha parakushtet që pjesëmarrja e saj të garantohet dhe të sigurohet në të gjitha sferat e jetës dhe punës.
 
Siguria e femrës dhe siguria e shoqërisë është një; sepse kur femra nuk ndihet e sigurt, as shoqëria e as shteti nuk janë të sigurta. Siguria e femrës është siguria e fëmijës, është siguria e familjes, është siguria e shoqërisë.
 
Parimet e familjes bashkëkohore reflektojnë vizionin tonë të përbashkët për të ndërtuar një shoqëri në të cilën të drejtat, liritë dhe fjala e çdo individi respektohet, si qytetar i denjë i Evropës.
 
Ju dëshiroj suksese në punët e kësaj konference; në ngritjen e çështjeve që kanë të bëjnë me familjen, zhvillimin e saj të shëndoshë; në ofrimin e modeleve që na ndihmojnë në përparimin dhe në transformimin e përgjithshëm të shoqërisë tonë kosovare.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.