Presidentja e Republikës së Kosovës priti sot në takim një delegacion të kongresistëve të SHBA-së: David Dreier, David Price, Jim McDermott, Erik Paulsen dhe Gerry Connolly.
Presidentja Jahjaga shprehi falënderimet e saj dhe të popullit të Kosovës për ndihmën që SHBA-ja, administratat e saj, Kongresi dhe populli amerikan i kanë dhënë Kosovës në arritjen e lirisë. Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova është një rrëfim i suksesit të përbashkët, të institucioneve e qytetarëve të saj me partnerët ndërkombëtarë. Ajo tha se SHBA-ja dhe partnerët e saj evropianë kanë dëshmuar përkushtimin ndaj Ballkanit dhe vizionit për Evropën e bashkuar dhe rajonin e Ballkanit të integruar plotësisht. Presidentja Jahjaga tha se Kosova katër vjet pas pavarësisë është në proces të konsolidimit të institucioneve shtetërore dhe po punon që të jetë një shtet gjithëpërfshirës ku të gjithë qytetarët e saj gëzojnë të drejta të barabarta. Ajo tha se procesi i pajtimit është proces i gjatë por Kosova ka arritur që brenda këtyre viteve të integrojë të gjitha komunitetet në jetën institucionale. Presidentja Jahjaga tha se Republika e Kosovës, sikurse edhe të gjitha vendet e tjera të rajonit, synon anëtarësimin në BE, që do të ndihmonte në tejkalimin e dallimeve të së kaluarës dhe do të ishte një garantues i paqes e stabilitetit. Presidentja e Republikës së Kosovës tha se pavarësia e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm dhe vlerësoi se zbatimi i Planit Ahtisaari, që ofron një gamë të gjërë të të drejtave për komunitetin serb, është zgjidhja më e mirë për integrimin e komunitetit serb në tërë territorin e vendit. Presidentja Jahjaga tha se vazhdimi i pranisë ushtarake dhe diplomatike e civile të SHBA-së në Kosovë është e një rëndësie të veçantë për stabilitetin dhe përparimin e vendit, të rajonit dhe gjithë Evropës dhe theksoi se prania e vazhdueshme ushtarake amerikane në Kampin Bondsteel është garantuese e stabilitetit. Kongresistët amerikanë theksuan se vizita e tyre në Republikën e Kosovës zhvillohet me qëllim të shkëmbimit të përvojave dhe të ekspertizës posaçërisht me Kuvendin e Kosovës. Ata thanë se Kosova është një vend që ka kaluar një histori të rëndë por ka treguar sukses në gjithë këto vite të fundit. Kongresistët amerikanë theksuan se Kosova është përcaktuar të jetë një partner i rëndësishëm për Kongresin dhe ofrimi i përvojës së tyre për ligjvënësit e Kosovës është i dobishëm. Kongresistët amerikanë u interesuan për zhvillimet në Republikën e Kosovës si dhe për përfaqësimin dhe integrimin e komuniteteve në institucionet e vendit.