presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Universiteti Evropian i Tiranës nderon Presidentin Behgjet Pacolli me titullin e nderit “Doctor Honoris Causa”

Universiteti Evropian i Tiranës (UET), i ka akorduar titullin e nderit “Doctor Honoris Causa”, Presidentit të Republikës së Kosovës, zotit Behgjet Pacolli. Këtë titull UET do t`ia dorëzojë Presidentit Pacolli, në një ceremoni solemne që do të mbahet të martën në kuadër të vizitës shtetërore që Presidenti do të zhvillojë në Shqipëri.

“Ne mbetemi të mrekulluar nga shembulli Juaj i jashtëzakonshëm jetësor, nga arritjet Tuaja në një karrierë të shkëlqyer biznesi, nga shkrirja e kësaj karriere me një veprimtari filantropike unike, dhe nga aktiviteti Juaj politik, ku shquhet veprimtaria lobuese e nivelit të lartë. Ne kemi ditur të mos mbetemi peng i paragjykimeve tipike për shoqëritë tona dhe të shohim tek kjo veprimtari, forcën dhe krijimtarinë e individit që ka çarë vetë rrugën e jetës, duke afirmuar këtë forcë dhe krijimtari në një rrafsh global, së bashku me shqiptarësinë e tij.Mbështetur në të gjitha këto dëshmi të një aktiviteti shumëpërmasor që lartëson mbi të gjitha individin shqiptar në hapësirën botërore, senati akademik i Universitetit tonë ju ka akorduar njëzëri nderimin akademik Doctor honoris causa në fushën e biznesit me motivacionin:Për  rezultatet e shkëlqyera akademike; për qasjen krijuese në biznesin e ndërtimit dhe për gjurmët e pashlyera që ka lënë me veprat e tij ndërtimore anembanë botës nga Lindja në Perëndim; për sensin e spikatur të ndërrmarrësisë që ka treguar me themelimin dhe drejtimin me sukses të një kompanie globale si MABETEX; për veprimtarinë e shquar filantropike brenda vendit të tij Kosovës, por dhe jashtë vendit; për veprimtarinë aktive pajtuese në politikën shqiptare të Kosovës në përputhje me frymën më të mirë të kësaj shoqërie”, thuhet ndër të tjera në arsyetimin e vendimit të UET për dekorimin e Presidentit Pacolli me titullin “Doctor Honoris Causa”. Në këtë ceremoni solemne, pritet të marrin pjesë personalitetet më të larta politike e institucionale të shtetit shqiptar. 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.