Presidenti i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli ka uruar të gjithë besimtarët bektashinj me rastin e Festës së Sulltan Nevruzit.
Në urim thuhet:Të nderuar besimtarë bektashinj, Me rastin e festës së Sulltan Nevruzit, shfrytëzoj rastin që t’ju përcjell urimet e mia më të përzemërta. Dëshiroj që festa e Sulltan Nevruzit, që shënon një ditë të shpresës, mirëkuptimit, gëzimit dhe dashurisë e respektit mes të gjithë besimtarëve, të jetë një ditë e gëzuar për Ju dhe ta kaloni atë pranë njëri-tjetrit, në harmoni dhe në paqe me familjet dhe miqtë tuaj.Qytetarët e vendit tonë janë një shembull i dalluar i bashkëjetesës dhe i tolerancës mes njerëzve me etni dhe besim të ndryshëm. Ndaj, le të jetë edhe kjo festë një ditë që i shton dhe i begaton edhe më shumë këto tipare dalluese të qytetarëve të vendit tonë.