presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Udhëheqës botërorë urojnë Presidenten Jahjaga në gjashtëvjetorin e pavarësisë së Republikës së Kosovës

Me rastin e gjashtëvjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, ka marrë telegrami urimi nga shumë liderë botërorë. Në vazhdim po publikojmë telegramet e urimit dërguar Presidentes Jahjaga.

Presidenti i SHBA-së, zotëri Barack Obama, në telegramin e urimit thotë:
 
“E nderuara zonja Presidente,
 
“Në emër të popullit të Amerikës, kam kënaqësinë që t’i uroj popullit të Kosovës gjashtëvjetorin e pavarësisë suaj, më 17 shkurt. Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të mbështesin zhvillimin e mëtejmë të Kosovës dhe rritjen e përgjithshme të saj si një demokraci sovrane, e pavarur dhe shumetnike. Kosova duhet të jetë krenare për përparimin e rëndësishëm në gjashtë vitet e fundit, veçanërisht me arritjet historike të vitit 2013, përfshirë edhe Marrëveshjen e Prillit me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve dhe me përparimin e bërë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Mbesim të përkushtuar për të mbështetur përparimet tuaja drejt integrimit të plotë euro-atlantik dhe në ndërtimin e një të ardhmeje më të ndritur për të gjithë qytetarët e Kosovës”.
 
Duke uruar të gjithë qytetarët e Kosovës në përvjetorin e pavarësisë, Presidenti i Republikës së Gjermanisë, zotëri Joachim Gauck, veç të tjerash thotë:
 
“Jam i bindur se Kosova do të vazhdojë në mënyrë konsekuente politikën e saj drejt Bashkimit Evropian dhe rrugën e reformave të brendshme. Lidhur me këtë Gjermania do të përkrahë vendin Tuaj në të ardhmen si partnere të besueshme.

Vitin e kaluar Kosova dhe Serbia kanë shënuar bashkërisht hapa të rëndësishëm përpara në ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore. Marrëveshja e parë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve e 19 Prillit 2013, dhe zbatimi i saj është një sukses historik, i cili duhet të shërbejë si udhërrëfyes për të ardhmen.  Në këtë frymë Ju inkurajoj që të vazhdoni të ecni përpara në rrugën e pajtimit dhe të bashkëjetesës paqësore dhe kooperuese të njerëzve në Kosovë, pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike. Biseda jonë në Berlin vitin e kaluar më jep besim se kjo tek ju është në duar të sigurta”
 
Presidenti i Republikës së Italisë, zotëri Giorgio Napolitano, në telegramin e urimit dërguar Presidentes Jahjaga përcjell urimet e tij të sinqerta për prosperitet:
 
“Marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona njohin intensifikim edhe në bazë të angazhimit në këto vite ka bërë Italia në përkrahje të stabilitetit, të zhvillimit dhe forcimit të institucioneve demokratike të Kosovës. Pjesëmarrja domethënëse e Italisë në misionin e KFOR-it shpreh dëshminë më konkrete. Edhe në të ardhmen, Prishtina mund të vazhdojë të llogaris në mbështetjen e Romës në dialogun rajonal dhe në rrugëtimin e saj të përafrimit me Bashkimin Evropian”.
 
Presidenti i Republikës së Austrisë, zotëri Heinz Fischer e ka uruar Presidenten e Republikës së Kosovës me rastin e Ditës së Pavarësisë.
 
“Me rastin e Ditës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës kam kënaqësinë që të përcjell urimet e mia më të përzemërta. Shfrytëzoj rastin që të përcjell urimet e mia për mirëqenien tuaj dhe gjithashtu edhe për një të ardhme prosperuese për Republikën e Kosovës dhe të gjithë qytetarët e saj”
 
Presidenti i Republikës së Hungarisë, zotëri Janos Ader, në telegramin e tij të urimit për Ditën e Pavarësisë së Kosovës thotë:
 
“Kam kënaqësinë të vlerësoj zhvillimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve ndërmjet shteteve tona gjatë gjashtë viteve të fundit. Mund të konfirmoj se Hungaria do të vazhdojë edhe në të ardhmen thellimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve tona. E përshëndes përparimin që i ka mundësuar Kosovës, së fundmi, të fillojë negociatat me Bashkimin Evropian për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. Me këtë rast do të doja të ritheksoj qëndrimin e Hungarisë në mbështetje të përpjekjeve të vendit tuaj në përparimin drejt integrimit evropian”.
 
Presidenti i Republikës së Kroacisë, zotëri Ivo Josipoviq në gjashtëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës, në emër të qytetarëve të Kroacisë uron të gjithë qytetarët e Kosovës.
 
“Jam i bindur se miqësia jonë e fuqishme dhe e sinqertë dhe partneriteti që na lidh e të cilin e kemi dëshmuar edhe me shkëmbimin e vizitave gjatë vitit të kaluar, do të vazhdojë të forcohet në të mirë të të gjithë qytetarëve të të dyja vendeve tona”
 
Presidenti i Republikës së Maqedonisë, zotëri Gjorge Ivanov, në telegram përcjell urimet e tij për mirëqenien e popullit të Kosovës dhe prosperitetin e tij.
 
“Me këtë rast solemn dua të shpreh kënaqësinë me nivelin e lartë të marrëdhënieve miqësore dhe bashkëpunimin ndërmjet vendeve tona. Jam i bindur se jo vetëm që bashkëpunimi ndërmjet vendeve tona do të vazhdojë por gjithashtu do të intensifikohet në të gjitha fushat e interesit të përbashkët. Dua të nënvizoj gatishmërinë tonë të plotë për këtë”.
 
Telegram urimi për gjashtëvjetorin e pavarësisë së Kosovës ka dërguar edhe Mbretëresha e Britanisë së Madhe, Elizabeta II, si dhe Mbreti i Holandës, Willem – Alexander R.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.