Ushtruesi i detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, dr.Jakup Krasniqi, së bashku me kryeministrin Thaçi pritën sot në një takim lamtumirës komandantin e Forcave të Përbashkëta të NATO-s me seli në Napoli, Admiralin Mark Fitzgerald.
Z. Krasniqi, e informoi admiralin Fitzgerald me zhvillimet e fundit politike nëpër të cilat po kalon vendi , dhe tha se në Kosovë nuk ka krizë politike e as vakum institucional dhe se po punohet me një ritëm të përshpejtuar që sa më shpejt të kapërcehet situata e krijuar pas dorëheqjes së Presidentit Sejdiu.Ai e falënderoi admiralin Fitzgerald për mbështetjen që NATO, Shtetet e Bashkuara dhe ai personalisht i kanë dhënë dhe janë duke dhënë për sigurinë dhe proceset e përgjithshme në vendin tonë.Lidhur me situatën e përgjithshme në veri të vendit, ishte konstatim i përbashkët se duhet të vëhet rendi dhe ligji. Ndërkaq, Admirali Fitzgerald, mes të tjerash i vlerësoi lartë arritjet që janë bërë në Kosovë në të gjitha fushat.Gjatë takimit, z. Krasniqi e dekoroi Admiralin Mark Fitzgerald me Medaljen Ushtarake, për kontributin e dhënë për ruajtjen e sigurisë, paqes dhe stabilitetit në Kosovë. Kjo medalje u jepet ushtarakëve të Kosovës dhe të huaj për kontributin e tyre dhënë rritjes së cilësisë dhe aftësisë mbrojtëse të vendit tonë. Dekorimi u bë në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, neni 84, pika 28 si dhe në bazë të Rregullores mbi Dekoratat dhe Titujt e Nderit të Kosovës që i jep Presidenti i Kosovës dhe të Procedurave të Dhënies së Tyre, neni 3, 17 dhe 34.
Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: SR