Është zhvilluar sot takimi i parë i ekipit teknik për shqyrtimin e legjislacionit të pranuar nga BE-ja, për formimin e Gjykatës Speciale. Grupi teknik do te jetë i përbërë nga ministri i Drejtësisë, z. Hajredin Kuçi, në cilësinë e udhëheqësit të Ekipit, ministri i FSK-së, z. Haki Demolli, ministri i arsimit, z. Arsim Bajrami, kryetari i Gjykatës Supreme, z. Fejzullah Hasani, kryesuesi i KGJK-së, z. Enver Peci, u.d. i kryeprokurorit të shtetit, z. Sylë Hoxha, këshilltari për çështje ligjore të Presidentes, z. Selim Selimi, si dhe ekspertja, znj. Donika Qerimi.
Në këtë takim u diskutuan çështjet që kanë të bëjnë me ndryshimet legjislative të ndërlidhura me dhomat e specializuara, në kuadër të veprimeve dhe obligimeve institucionale sipas miratimit të Kuvendit të Kosovës.Ekipi teknik u takua sot për herë të parë pas pajtimit, ditë më parë, të udhëheqësve të institucioneve të Republikës së Kosovës për krijimin e tij dhe shqyrtimin e dokumenteve të nevojshme.Ekipi teknik do të takohet në baza të rregullta dhe do të diskutojë çështjen e legjislacionit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare me ekipin e Bashkimit Evropian, të mandatuar për planifikim të operacionalizimit të Gjykatës Speciale.