Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, u takua sot në Prishtinë me ministrin e Punëve të Jashtme të Austrisë, zotëri Sebastian Kurz, me të cilin bisedoi, për pak çaste, për zhvillimet aktuale në Kosovë, proceset integruese të vendit, për kultivimin e tolerancës ndërfetare në Kosovë dhe për bashkërendimin ndërkombëtar në adresimin e kërcënimeve ekstremiste. Të dy bashkëbiseduesit theksuan nevojën e zgjerimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në të gjitha fushat, posaçërisht në atë të zhvillimit ekonomik.
Presidentja Jahjaga, e shoqëruar edhe nga ministri i Punëve të Brendshme, zotëri Skënder Hyseni dhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme, zotëri Petrit Selimi, së bashku me ministrin e Punëve të Jashtme të Austrisë, zotëri Sebastian Kurz, në Katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë u takuan me Ipeshkvin e Ipeshkëvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, me kryetarin e Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiun Naim Tërnava, si dhe me Peshkopin e Dioqezës Rashkë-Prizren, Teodosije.
Në bisedë me liderët fetarë u theksua se vlerë e shoqërisë së Kosovës, si shtet sekular, është kultivimi i vazhdueshëm i tolerancës ndërfetare dhe bashkëjetesa ndërmjet religjioneve të ndryshme.
Presidentja Jahjaga dhe ministri jashtëm i Austrisë, Kurz, morën pjesë në hapjen zyrtare të ekspozitës së artistit austriak Leopold Forstner, në Katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë, ku mbajtën edhe një fjalë rasti.
Në vazhdim po e botojmë të plotë fjalën e presidentes Jahjaga:
Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës,
I nderuari ministër Kurz,
Zonja dhe Zotërinj,
Është kënaqësi e veçantë t’i urosh mirëseardhje, në vizitën e tij në vendin tonë, ministrit të punëve të jashtme të Austrisë, z. Sebastian Kurz, dhe që së bashku të takohemi këtu për t’i përgëzuar vlerat të cilat i kemi ruajtur për jetë e mot në këtë pjesë të botës.
Sonte, ne po festojmë një miqësi të gjatë dhe historike në mes të Austrisë dhe Kosovës që tejkalon konceptin e shtetit kombëtar nëpërmes syrit të një artisti i cili, përmes rrethanave fatkeqe të luftës, u inspirua që qartazi t’i portretizojë jetërat shumëngjyrëshe dhe dinamizmin e paraardhësve tanë në këto territore para diku 100 vitesh.
Ky udhëtim nëpër kohë, në të cilin na dërgon Leopold Fostner, na bën që të ndalemi për pak çaste kur takohemi me imazhe frymëndalëse të cilat i japin dritë këtyre vendeve magjike, duke treguar vetëm një fraksion të tregimeve të cilat i njohim aq mirë: thellësinë e traditave të ruajtura në këtë regjion, të mallit dhe angazhimit për të zënë vendin tonë të merituar në Evropë.
Jo shumë kohë më parë më është kërkuar nga një bashkëbisedues shumë interesant që të sqaroj se çfarë kuptohet nga ne në Kosovë me konceptin e Evropës. “Ne e kuptojmë se e ardhmja e juaj është në Evropë, por në cilën Evropë”? Më pyeti ai.
Sonte do të mundohem t’i jap kuptim kësaj pyetjeje. Evropa të cilës ne duam t’i përkasim është Evropa e vlerave dhe unitetit, Evropa e diversitetit dhe multikulturalizmit, Evropa e përparimit. Është Evropa e cila përfaqësonte shpresë për miliona njerëz prapa perdes së çeliktë – ku edhe të ëndërrosh nuk ishte e lejuar – dhe për miliona të tjerë që cilit janë të gatshëm të anashkalojnë urrejtjen e rrënjosur thellë dhe fatet tragjike që të bashkohen – jo për shkak të tokës dhe gjakut, por për shkak të ideve të cilat e kanë definuar kohën në të cilën ne jetojmë.
Kjo ide është aq e fuqishme – ajo e mban në vete forcën për të transformuar shoqëritë për të mbarë.
Angazhimi ynë për t’iu bashkuar Evropës është në fakt një përqafim të cilin e kemi konsideruar të afërt për shumë kohë të gjatë, por shpesh jemi refuzuar, dhe është po kjo ajo e drejtë për të përqafuar shtresa të shumëfishta të identiteteve tona dhe të gjejmë unitet në dallimet tona.
Në këtë, ne do të jemi një vlerë e shtuar për Evropën.