presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

U mbajt takimi i tretë i Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit

Nën drejtimin e Presidentes së Republikës së Kosovës, zonjës Atifete Jahjaga, sot u mbajt takimi i tretë i Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit, që u përqendrua në temën e “Korrupsionit në fushën e prokurimit publik”.

Presidentja Jahjaga theksoi rëndësinë e miratimit të Planit të Veprimit Kundër Korrupsionit 2012 – 2016, sipas të cilit përcaktohen politikat e përgjithshme në luftën kundër korrupsionit. Presidentja e Republikës së Kosovës theksoi se kjo strategji duhet të miratohet sa më parë meqë përfshinë edhe veprimet që duhet të ndërmerren në fushën e prokurimin publik, financat publike dhe menaxhimin e tyre. Presidentja Jahjaga theksoi se Sistemi i prokurimit publik duhet të jetë transparent dhe paraja publike duhet të menaxhohet në mënyrë efikase. Ajo tha se është e nevojshme ngritja e fushatave të vetëdijesimit që ndërlidhen me korrupsionin, me qëllim të shtrirjes së ndikimit sa më të gjerë tek të gjitha shtresat e shoqërisë, përfshirë edhe komunitetin e biznesit. Në takimin e tretë të Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit, përfaqësuesit e institucioneve të mandatuara për luftimin e kësaj dukurie dhe ata të shoqërisë civile, paraqitën, nga pikëpamja e tyre, problemet e korrupsionit me të cilat përballen në fushën e prokurimit publik si dhe rekomandimet për daljen nga gjendja e krijuar.  Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës theksuan nevojën e fuqizimit të institucionit qendror të prokurimit i cili do të merrej me shqyrtimin e rasteve dhe monitorimin e zbatimit të ligjit të prokurimit publik. Auditori Gjeneral, Lars lage Oloffson theksoi nevojën e ngritjes së kapaciteteve njerëzore dhe financiare të këtij institucioni, i cili do të duhej të kishte rol qëndror në zbatimin e ligjit në këtë fushë. Kryetari i Komisionit Parlamentar për Mbikëqyrje të Financave Publike Ali Sadriu rekomandoi se duhet të këtë kontroll rigoroz në zbatimin e kontratave, e në veçanti të aneks-kontratave si aktivitete shtesë të parapara në prokurim. Ai tha se ka nevojë për një koordinim më të mirë ndërinstitucional në mes KRPP, organizatave buxhetore dhe Thesarit dhe duhet të rritet bashkëpunimi në mes Auditorit të Përgjithshëm, Agjencisë Kundër Korrupsion dhe Prokurorisë së Shtetit.Kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci, theksoi se fuqizimi i Organit Shqyrtues për Prokurim do të krijonte mundësi më të mëdha për shtimin e efikasitetit në luftimin e korrupsionit në prokurimin publik dhe rekomandoi përfshirjen e gjykatësve kompetent me mandat të caktuar rotativ, në mënyrë që ky Organ të shërbej si një lloj Gjykate për çështje të prokurimit publik. Në fjalën e tyre, përfaqësuesit e institucioneve theksuan problemet e tenderimit dhe të mos zbatimit të ligjit në këto raste. Kryetari i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Ismet Kabashi, tha se duhet të shtohet numri i prokurorëve të Kosovës për luftimin e korrupsionit dhe rekomandoi themelimin e nje grupi punues për të shqyrtuar dhe harmonizuar aktet nënligjore me ligjin për prokurimin publik.Gjatë takimit të tretë të Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit, përfaqësuesi i Institutit Riinvest paraqiti një pasqyrë përmbledhëse për fushën e prokurimit publik në Kosovë dhe ofroi një numër rekomandimesh në këtë fushë.   Takimi i KKKK zgjati dy orë dhe në debat ku morën pjesë edhe ministrat Hajredin Kuçi, Bajram Rexhepi e Vlora Çitaku, përfaqësuesi i EULEX-it dhe ai i Komisionit Evropian si dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve e të organizatave joqeveritare, veç tjerash u kërkua shtimi i transparencës në ligjin për prokurimin publik, zbatimi i prokurimit elektronik dhe përmirësimi i mëtejshëm i procedurave dhe standardeve të prokurimit me qëllim të përafrimit të tyre me nivelin evropian. Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, në përmbyllje të takimit theksoi se diskutimi për prokurimin publik do të vazhdojë edhe në takimin e radhës me paraqitjen e rekomandimeve konkrete për këtë fushë. Ajo tha se është e nevojshme të analizohet gjithë puna e deritashme dhe të vlerësohen të arriturat e deritashme. Presidentja Jahjaga tha se do të hartohet edhe një Plan Veprimi në bazë të rekomandimeve të dala nga takimet e Këshillit, për monitorimin e zbatimit te tyre.Këshilli Kombëtar Kundër Korrupsionit, i krijuar me dekret nga Presidentja e Republikës së Kosovës, do të vazhdojë punimet e tij me takimin e radhës që është paralajmëruar të zhvillohet pas një muaji.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.