Ushtruesi i Detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi ka lëshuar sot një deklaratë lidhur me një projekt-raport të Raportuesit të Këshillit të Evropës, Dick Marty.
Në deklaratë thuhet: Me këtë rast shpreh indinjatën e thellë për këtë projekt-raport absurd të mbushur me trillime të pastra, fakte dhe hamendësi të paqena dhe të pavërtetuara nga drejtësia ndërkombëtare. Ky projekt-raport nuk është gjë tjetër, pos vazhdim i deklaratave shpifëse dhe të papërgjegjshme të librit të ish-Kryeprokurores së Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës për krime të Luftës në ish-Jugosllavi, zonjës Karla del Ponte. Këto shpifje janë hedhur poshtë nga zëdhënësja e Gjykatës Ndërkombëtare për Krime të Luftës në ish-Jugosllavi, sipas së cilës hetuesit nuk kanë gjetur prova të bazuara për të vërtetuar këto akuza, si dhe nga ish-zëdhënësja e kryeprokurores del Ponte, e cila i quan deklaratat e saj si të papërgjegjshme, si një inkurajim të ngatërrimit të fakteve me thashethemet dhe si një rrezik për revizionuar ato që kanë ndodhur me të vërtetë. Shpreh indinjatën time të thellë me faktin që raportuesi i Këshillit të Evropës guxon të zëvendësojë Prokurorinë e cila është shumë më e specializuar dhe ka shumë më tepër mjete ligjore për të vlerësuar rëndësinë e provave të mbledhura. Ky projekt-raport është qartësisht i njëanshëm dhe përmban edhe deklarata raciste, kur flet për “strukturën klanore” të shoqërisë shqiptare të Kosovës dhe për “mungesën e një shoqërie civile të vërtetë”. Ky projekt-raport përfaqëson përpjekjet e qarqeve të caktuara për të barazuar luftën e drejtë dhe heroike të popullit të Kosovës dhe të Ushtrisë së tij Çlirimtare me masakrat e regjimit serb të Milosheviqit. Tentativat për të ngatërruar viktimat me xhelatin hedhin hije dyshimi për të gjithë aktivitetin dhe paanshmërinë e raportuesit të Këshillit të Evropës. Së fundi, përshëndesim të gjithë nismat ligjore dhe politike të ndërmarra si brenda dhe jashtë Kosovës për të dënuar këto shpifje absurde dhe të padenja, të cilat nuk i kontribuojnë shndërrimit të Ballkanit në një rajon paqeje, stabiliteti dhe sigurie.