presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

U.D. i Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi i shkroi Presidentit të Hungarisë, z.Pál Schmitt

Ushtruesi i Detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi i është drejtuar sot me një letër Presidentit të Hungarisë, Shkëlqesisë së tij, Pál Schmitt, duke i dëshiruar sukses të plotë në kryesimin e Presidencës së Bashkimit Evropian, të cilin ky vend e ka marrë nga 1 janari.

“Unë e çmoj lart përkushtimin tuaj për shtimin e stabilitetit dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe për afrimin e tij drejt Bashkimit Evropian. Ky zotim do të ketë ndikim pozitiv në procesin e përgjithshëm të demokratizimit dhe stabilitetit në këto vende dhe në mënyrë të veçantë në Kosovë”, shkruan në letrën e tij z.Krasniqi.Pas ligjësimit nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Asambleja e Përgjithshme e OKB kërkoi dialog teknik midis Kosovës dhe Serbisë për përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë. Ne shpresojmë dhe angazhohemi që ky dialog t’i shërbejë avancimit evropian të këtyre dy vendeve, miqësisë e bashkëpunimit dhe jo kthimit në të kaluarën e errët historike, thekson më tej z.Krasniqi.Republika e Kosovës ka bërë përpjekje e progres të vazhdueshëm në reformat e lidhura me integrimin evropian. Shpreh bindjen time të thellë se Presidenca hungareze do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën dhe qytetarët e saj për realizimin sa më të shpejtë të aspiratave të tyre evropiane. Me këtë rast zoti President, ju siguroj për vullnetin, aftësinë dhe angazhimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për plotësimin e suksesshëm të kritereve të integrimit në BE. Ne jemi të bindur se gjatë Presidencës së Hungarisë do të avancohet procesi i liberalizimit të Shengenvizave për qytetarët e Kosovës, theksoj, ndër të tjera, në letrën e tij Dr. Jakup Krasniqi, Ushtrues Detyre i Presidentit të Republikës së Kosovës.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN

This site is registered on wpml.org as a development site.