Tiranë, 13 janar 2011- Në takim me kryetaren e Parlamentit të Shqipërisë, znj. Jozefina Topalli si dhe delegacionin e Shqipërisë në Këshillin e Evropës, u diskutua për marrëdhëniet dhe bashkëpunimin midis dy vendeve, zhvillimet e përgjithshme, për çështje që kanë të bëjnë me raportin e raportuesit të Këshillit të Evropës, Dick Marty dhe për koordinimin në lidhje me qëndrimin që do të mbajë delegacioni i Shqipërisë gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Evropës.
Sikur në takimin me Kryeministrin Berisha, edhe në këto takime u shprehë qëndrimi se institucionet e Kosovës dhe të Shqipërisë kërkojnë që të gjitha pretendimet që përmban Raporti i Dick Martyt janë të pavërteta dhe se do të kërkohet nga Asambleja e Përgjithshme e Këshillit të Evropës që të kërkojë nga z. Marty që të gjitha faktet në lidhje me pretendimet e tij t’i përcjellë te EULEX-i dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Gjatë kësaj vizite , z. Krasniqi po shoqërohet nga Xhavit Haliti, anëtar i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, Vlora Çitaku, Ushtruese e Detyrës së Ministres së Jashtme të Kosovës, Bilall Sherifi, shef i kabinetit të U.D. të Presidentit dhe Skender Reçica, këshilltar për Protokoll dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare. Ndërkaq nesër, U.D. i Presidentit, dr. Jakup Krasniqi do takohet edhe me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, z.Bamir Topi.