Ushtruesi i Detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, në përvjetorin e tretë të pavarësisë së Republikës së Kosovës, ka nxjerrë një dekret për faljen e dënimit të mbetur ose zvogëlimin e dënimit me burg për 103 persona, të cilët janë duke vuajtur dënimet në burgjet e Republikës së Kosovës, në bazë të aktgjykimeve të formës së prerë.
Dekreti është nxjerrë, duke u bazuar në nenin 90, në nenin 84, pika 29 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në nenin 5 të Ligjit për Falje, si dhe në Dekretin e Presidentit të Republikës së Kosovës, Nr. DF-001-2009, për Përcaktimin e Kritereve për Dhënien e Faljes Personave të Dënuar. Në nxjerrjen e këtij dekreti, U.D. i Presidentit ka marrë në konsideratë dispozitat kushtetuese dhe të Ligjit për Faljen, Kodin Penal të Republikës së Kosovës dhe Dekretin DF-001-2009 mbi Përcaktimin e Kritereve për Dhënien e Faljes Personave të Dënuar, si dhe të dhënat e rekomanduara nga Drejtoritë e Burgjeve të Republikës së Kosovës dhe mendimin e Komisionit Profesional Ad-Hoc, të themeluar nga U.D. i Presidentit të Republikës së Kosovës.