DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Mesazhi i Ushtruesit të Detyrës së Presidentit, dr. Jakup Krasniqi, me rastin e trevjetorit të Pavarësisë së Kosovës

Ushtruesi i Detyrës së Presidentit, dr. Jakup Krasniqi iu drejtua qytetarëve të Republikës së Kosovës me një mesazh me rastin e trevjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Në mesazh thuhet:

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës

Në këtë mbrëmje kremteje, gëzimi e hareje, por edhe krenarie të ligjshme, dëshiroj t’ju përcjell mesazhin tim të urimit për Ditën e madhe të Pavarësisë së Kosovës, 17 Shkurtin. Kjo datë historike i shtohet evenimenteve të mëdha të Kosovës, si dita e kurorëzimit të përpjekjeve të pareshtura të brezave të tërë, që sakrifikuan aq shumë për atdheun e tyre të lirë, të pavarur e demokratik.
Shteti i pavarur i Kosovës nesër mbush vetëm tri vjet, por populli i tij ka rrënjë antike në truallin e vet.
Gjatë këtyre tri viteve të pavarësisë,  Kosova ndërtoi sistemin demokratik, institucionet e shtetësisë, ngriti një infrastrukturë të tërë ligjore e fizike, shënoi një zhvillim solid ekonomik e shoqëror, thelloi reformat e gjithanshme dhe sanksionoi me kushtetutë barazinë e qytetarëve të saj, si pjesëtarë të një shoqërie të lirë dhe demokratike. 
Por, ne nuk kemi arsye të vetëkënaqemi e të flemë mbi dafina. Vendi ynë dhe institucionet e tij, që do të ngrihen shpejt, sipas rezultateve të certifikuara të zgjedhjeve të përgjithshme të 12 dhjetorit 2010, do të kenë përpara objektiva të mëdha dhe sfida të vështira, të brendshme e të jashtme. Institucionet e Kosovës nuk mund t’i lejojnë vetes asnjë komoditet para detyrave të rënda të forcimit të subjektivitetit dhe kredibilitetit ndërkombëtar të vendit që përfaqësojnë, para qëllimit të papërmbushur të anëtarësimit të Kosovës në familjen e madhe të Kombeve të Bashkuara dhe në organizmat tjerë ndërkombëtarë. Ato duhet të vazhdojnë betejën e madhe të zhvillimit ekonomik dhe sundimit të ligjit, qeverisjes së mirë dhe forcimit të stabilitetit politik e të sigurisë, reformave të gjithanshme demokratike dhe liberalizimit të vizave e të integrimeve euroatlantike.
Në këtë ditë të madhe, përulemi përpara gjakut të derdhur në themelet e shtetit tonë dhe përpjekjeve vetëmohuese të gjithë veteranëve të Lëvizjes Kombëtare e të Luftës së UCK-së, së lavdishme të Komandantit Legjendar, Adem Jashari.

Ju uroj gëzuar 17 Shkurtin, Ditën e Pavarësisë së Kosovës sonë të dashur!
 

This site is registered on wpml.org as a development site.