Ashtu siç u vendos në mbledhjen e Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit, të udhëhequr nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Znj. Atifete Jahjaga, sot u mbajt mbledhja e parë e Grupit punues që mblodhi përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë, Ministria e Integrimeve Evropiane, Prokuroria e Kosovës, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Policia e Kosovës, Agjencia Kundër Korrupsionit dhe shoqëria civile dhe u kryesua nga Zyra e Presidentes së Kosovës. Në këtë mbledhje u shqyrtua implementimi dhe konkretizimi i punës nëpërmjet bartësve dhe afateve.
Përfaqësuesit e institucioneve dhe shoqërisë civile konkretisht folën për punën e tyre si dhe sfidat për gjetjen e zgjidhjeve për koordinim më të mirë. Grupi punues u përcaktua që të zhvillohet një plan veprimi për implementimin e rekomandimeve duke ndarë detyrat nga fushëveprimtaria e institucioneve të thirrura për luftimin e korrupsionit.