presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjala e Presidentes Atifete Jahjaga në Akademinë përkujtimore të gjashtëvjetorit të vdekjes së Presidentit. Ibrahim Rugova

Përvjetori i gjashtë i largimit nga kjo jetë e Presidentit të Parë të Republikës së Kosovës, të Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova na bën të ndiejmë dhimbje dhe njëkohësisht krenari për rrugën e mundimshme dhe përplot sakrifica që e kemi kaluar.

E nderuara familje Rugova,
Përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës,
Të nderuar miq e bashkëpunëtorë të  Presidentit Ibrahim Rugova,
Veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,
Familje të dëshmorëve,
Ambasadorë dhe përfaqësues të pranisë ndërkombëtare në Kosovë,
Të nderuar pjesëmarrës,
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,
 
Përvjetori i gjashtë i largimit nga kjo jetë e Presidentit të Parë të Republikës së Kosovës, të Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova na bën të ndiejmë dhimbje dhe njëkohësisht krenari për rrugën e mundimshme dhe përplot sakrifica që e kemi kaluar.
 
Duke vlerësuar të arriturat tona, ne sot kujtojmë të gjithë ata që ranë në altarin e lirisë dhe që u shkrinë duke punuar për të mirën e popullit dhe të atdheut për të qenë ne sot të lirë dhe sovranë në trojet tona.
 
Përkujtimi i veprës kolosale të Presidentit Ibrahim Rugova na bën nder të gjithëve, sepse e kujtojmë liderin historik të Kosovës, i  cili në kohët më të vështira mori vendime të rëndësishme që i përcaktuan kahet e historisë dhe përcaktuan edhe fatin tonë si popull në rrugëtimin drejt ndërtimit të Kosovës shtet të lirë dhe të pavarur, në miqësi të përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
 
Presidenti Rugova ishte prijës i një gjenerate që solli rilindjen e mendimit kritik dhe guximin e veprimit politik në rrethanat më të rënda të historisë së popullit të Kosovës. Si gërshetim i  urtësisë, mençurisë dhe përgjegjësisë ai e formësoi platformën politike duke e bazuar në vullnetin e qytetarëve të Kosovës për të drejtën e një jete të barabartë me të tjerët dhe për përcaktimin e tyre për vetëvendosje.  
 
Kjo platformë e qëndresës dhe rezistencës aktive paqësore, u ndërtua me mund dhe sakrificë në një botë të antagonizmave, hegjemonizmit dhe të dhunës ndaj një populli dhe një vendi të vogël.

Dr. Rugova, së bashku me intelektualët e tjerë, krijoi dhe udhëhoqi Lidhjen Demokratike të Kosovës, partinë e parë demokratike në historinë e popullit të Kosovës, e cila së bashku me partitë e tjera që u formuan ndërkohë iu kundërvunë me vendosmëri sistemit okupues dhe arritën që kauzës sonë kombëtare t’i japin orientim perëndimor. Presidentit Rugova dhe gjeneratës së tij u takon edhe merita për ndërtimin e partive të orientimit properëndimor e demokratik duke kultivuar karakterin liridashës, atdhetar dhe civilizues të kombit, dhe duke hequr përgjithmonë nga sfondi idetë komuniste.

Me nismën e Rugovës u krijua Këshilli i gjashtë partive politike të Kosovës e më vonë edhe Këshilli Koordinues i njëmbëdhjetë partive politike shqiptare në Jugosllavi që në bazë të barabartë, të një parlamentarizmi bashkëkohorë, dhe me një konsensus të plotë ndërtoi dhe miratoi Platformën Politike për zgjidhjen e çështjes shqiptare në ish Jugosllavi. Ai siguroi përkrahje dhe mirëkuptim për kërkesat e drejta të shqiptarëve dhe të drejtën e tyre për vetëvendosje.

Dr. Ibrahim Rugova ishte ideatori dhe udhëheqësi i përpjekjeve për themelimin dhe funksionimin e institucioneve të shtetit autonom të Kosovës si sistem paralel nën okupim. Ky sistem e kishte legjitimitetin dhe përkrahjen e plotë të popullit, e cila u vulos me referendumin për Kosovën shtet sovran dhe të pavarur që u organizua në shtator të vitit 1991.

Me mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale u bënë përpjekje  për të funksionalizuar institucionin e zgjedhjeve në kushte të okupimit si dëshmi e vullnetit të palëkundur të qytetarëve të Kosovës për shtet të pavarur dhe demokratik.

Filozofia politike e Dr. Rugovës karakterizohej si politikë aktive paqësore që bazohej në përvojën historike të mbijetesës së popullit tonë, por edhe si platformë politike që i përshtatej rrethanave të kohës me synim krijimin e kushteve për çlirim duke ruajtur potencialin njerëzor dhe tërësinë unike territoriale.

Politika e mençur e Dr. Rugovës e ndërkombëtarizoi çështjen e Kosovës duke demaskuar politikën agresive dhe represive të hegjemonizmit serb, që shkaktoi luftëra të përgjakshme në pjesën më të madhe të ish Jugosllavisë.

Presidenti Rugova shpresonte që në Kosovë do të evitonte luftën që e konsideronte si katastrofale për popullsinë e pambrojtur, duke llogaritur në ndërgjegjen ndërkombëtare për të parandaluar gjenocidin dhe shpërnguljen masive të popullit të Kosovës, sidomos pas luftërave të përgjakshme në Kroaci dhe Bosnje.

Mirëpo lufta u imponua, dhe Dr. Ibrahim Rugova ishte bashkudhëheqës i delegacionit shqiptar në Konferencën e Rambujesë, e cila i hapi rrugë ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, me qëllim që të ndalë katastrofën humanitare që kërcënonte Kosovën.

Kur u realizua ideja e tij për mbikëqyrjen ndërkombëtare civile në Kosovë me prezencë ndërkombëtare ushtarake të NATO-s si garanci për sovranitetin dhe integritetin territorial dhe parandalim për çdo kërcënim të jashtëm politikani Ibrahim Rugova iu nënshtrua procesit të zgjedhjeve dhe pa marrë parasysh mbështetjen e fituar nëpërmjet të votave, ai  zgjodhi opsionin e koalicioneve të gjera gjithëpërfshirëse të qeverisjes, duke dashur që secilit t’ia ofrojë mundësitë të ketë pjesën e vet të përgjegjësive dhe obligimeve në ndërtimin e shtetit dhe në avancimin e proceseve demokratike.

Presidenti Rugova njihet për tri fjalët rreth të cilave qytetarët u mobilizuan: LIRI PAVARËSI, DEMOKRACI. Kjo simbolizonte platformën e tij politike, që bazohej në rrjedhën e natyrshme të proceseve: të fitojmë lirinë, të shpallim pavarësinë, të ndërtojmë demokracinë. Kjo ëndërr e tij tashmë është bërë realitet.

Neve, pasardhësve të tij, na mbetet të punojmë për forcimin e demokracisë në shtetin tonë dhe transformimin shoqëror që do të siguronte integrimin tonë në Bashkimin Evropian dhe NATO, si dhe në të gjithë mekanizmat tjerë ndërkombëtarë. Ne do të vazhdojmë të zhvillojmë politikën e fqinjësisë së mirë dhe miqësisë së përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndihma e të cilave është e pazëvendësueshme në këto procese.

Të nderuar pjesëmarrës,

Republika e Kosovës nderon gjithmonë bijtë dhe bijat e veta që kontribuuan që ne sot të jemi të lirë, të pavarur, të barabartë e dinjitoz në trojet tona.

Presidenti Rugova është në piedestalin e këtyre intelektualëve, veprimtarëve, politikanëve që udhëhoqi   popullin dhe atdheun tonë drejt të ardhmes evropiane.

Respekt dhe nderim i përjetshëm për veprën e Presidentit të Parë të Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovës.

Ju faleminderit!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN

This site is registered on wpml.org as a development site.