Në muajin janar shënojmë me dhembje dhe krenari ndarjen nga jeta të njërit nga figurat më emblematike të historisë sonë – Dr. Ibrahim Rugovës, arkitektit të Pavarësisë dhe shtetësisë sonë. Në këtë janar, kujtojmë veprën e Presidentit Rugova, që për breza të tërë mbetet burim i frymëzimit për liri, pavarësi dhe demokraci.
Të nderuar anëtarë dhe simpatizantë të Lidhjes Demokratike të Kosovës,Të nderuar Përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës,E nderuara familje Rugova,Të nderuar ambasadorë të vendeve mike në Republikën e Kosovës,Miq dhe bashkëpunëtorë të Presidentit Rugova,Të nderuar pjesëmarrës, Në muajin janar shënojmë me dhembje dhe krenari ndarjen nga jeta të njërit nga figurat më emblematike të historisë sonë – Dr. Ibrahim Rugovës, arkitektit të Pavarësisë dhe shtetësisë sonë. Në këtë janar, kujtojmë veprën e Presidentit Rugova, që për breza të tërë mbetet burim i frymëzimit për liri, pavarësi dhe demokraci. Presidenti Rugova ishte prijës i një gjenerate që solli rilindjen e mendimit kritik dhe kurajën e veprimit politik në rrethanat më të rënda të historisë së popullit të Kosovës. Si gërshetim i urtësisë, mençurisë dhe përgjegjësisë ai e formësoi platformën politike duke e bazuar në vullnetin e qytetarëve të Kosovës për të drejtën e një jete të barabartë me të tjerët dhe për përcaktimin e tyre për vetëvendosje. Kjo platformë e qëndresës dhe rezistencës aktive paqësore, u ndërtua me mund dhe sakrificë në një botë të antagonizmave, hegjemonizmit dhe të dhunës ndaj një populli dhe një vendi të vogël. Kjo qëndresë ngriti në sipërfaqe vlerat më sublime të shoqërisë sonë, që burojnë nga tradita – të solidaritetit, të besës, të bashkimit dhe të pajtimit ndërmjet njerëzve. Këto vlera sollën mirëkuptimin dhe përkrahjen për kauzën tonë të drejtë, që u mbështet nga bashkësia ndërkombëtare me intervenimin ushtarak të NATO-së, duke mundësuar ndërtimin e shtetit sovran dhe të pavarur, të një shoqërie demokratike dhe gjithëpërfshirëse, në miqësi të përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me rrugën e qartë të anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Të nderuar pjesëmarrës, Presidenti Rugova do të mbahet mend si lideri i jetës shumëpartiake në Kosovë, si njëri prej themelueseve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, lëvizjes gjithëpopullore dhe gjithëqytetare, me orientim properëndimor, e cila ishte bartëse dhe pjesëmarrëse e të gjitha proceseve politike dhe shtetërore në periudhën më vendimtare për popullin dhe vendin. Lidhjen Demokratike te Kosovës Dr. Rugova e ndërtoi si lëvizje, pa e forcuar qëllimisht në karakteristikat ideologjike dhe partiake, por duke e vënë në funksion të shtetndërtimit dhe të punës institucionale. Ky përcaktim bëri që dr.Rugova të konsiderohet me të drejtë lider dhe prijës i vendit, i pakompromis në kërkesën e tij për lirinë e popullit të vet. Ai i çoi të gjitha proceset përpara, duke u nisur gjithherë nga mirëkuptimi e nga dialogu e asnjëherë nga ekskluziviteti. Mu këtu qëndronte edhe madhështia e tij. Vizioni i tij ishte po aq i qartë sa kristalet që ai i dhuroi të gjithë miqve të Kosovës në përpjekjen e tij të pakufishme që Kosovën ta nxirrte nga izolimi dhe të prekte ndërgjegjen botërore për veprim kundër represionit të një populli që ndodhej në një kënd të harruar të Evropës. Vepra e Presidentit të Parë të Republikës së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova mbetet bazament i ndërtimit të shoqërisë tonë, të shtetit tonë dhe të ardhmes sonë, që na mbush me vetëbesim, nder dhe krenari. Ju faleminderit!