Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga takon udhëheqësit e partive dhe subjekteve politike parlamentare.
Presidentja Jahjaga ka zhvilluar takime me kryetarin e PDK-së, zotëri Hashim Thaçi, kryetarin e LDK-së, zotëri Isa Mustafa, kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, zotëri Albin Kurtin, nënkryetarin e AAK-së, zotëri Blerim Shala dhe kryetarin e AKR-së, zotëri Behgjet Pacolli.Në takime të veçanta, Presidentja Jahjaga ka bashkëbiseduar me subjektet politike për çështjet në interes të vendit, me theks të posaçëm për zhvillimet aktuale politike në Kosovë.Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, në kuadër të kompetencave të saj kushtetuese, ka filluar takimet me partitë dhe subjekteve parlamentare dhe ato janë në funksion të diskutimit për mënyrat dhe format e bashkëveprimit.Ajo ka thënë se të gjitha subjektet politike duhet të kërkojnë zgjidhje brenda institucioneve të Kosovës dhe me dialog, duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës. Presidentja Jahjaga ka vlerësuar se debati dhe procesi i vendimmarrjes duhet të zhvillohet në institucione të Kosovës dhe aty të kontribuohet në hartimin, harmonizimin dhe zbatimin e politikave.