DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Sqarim nga Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës

Në secilin emërim, në shërbimin e jashtëm apo në çdo pozicion tjetër, kriter themelor për Presidenten e vendit ka qenë integriteti i personit të emëruar. Kjo është kërkesë e vazhdueshme, prandaj Presidentja kërkon që një standard i tillë të plotësohet përgjatë tërë mandatit të personave që emërohen nga ana e saj.

Presidentja sot në konferencë nuk është ballafaquar me pyetje, por me një konstatim të prerë nga ana e gazetarit se ‘Ambasadori i Kosovës është përfshirë në një skandal dje”, përderisa Presidentja e Kosovës dhe Presidenti i Letonisë mbanin konferencë për media lidhur me marrëdhëniet bilaterale dhe sfidat në kontinentin evropian.

Në këtë drejtim, sot Presidentja në konferencë për shtyp ka komentuar se përderisa organet e drejtësisë nuk thonë të kundërtën, vlen parimi i prezumimit të pafajësisë, dhe ambasadori i Kosovës në Kroaci tashmë ka paralajmëruar dërgimin e rastit tek institucionet e drejtësisë.

Njoftojmë qytetarët se Presidentja tashmë ka kërkuar, në komunikim me Ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, që nga Ambasadori Berishaj të kërkohet raport me shkrim lidhur me artikullin në një medie në Slloveni dhe po ashtu që Ambasadori Berishaj të thirret në Kosovë për të sqaruar situatën. Në ndërkohë, sapo të sqarohet situata, Presidentja, bashkërisht me MPJ-në, do të bëjnë vlerësimin lidhur me pozicionin e Ambasadorit ashtu siç e kanë bërë për çdo pozicion tjetër.

Është me rëndësi të theksohet se institucionet e Republikës së Kosovës asnjëherë nuk kanë marrë asnjë informatë nga institucionet e Sllovenisë apo të ndonjë shteti tjetër për involvimin e z. Berishaj në ndonjë vepër penale. Në fakt, z. Berishaj ka dorëzuar dokumentacion nga institucionet e Sllovenisë se nuk ka evidencë penale. 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.