presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Sqarim i Zyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës

Pas shkrimeve në disa medie të Kosovës për pjesëmarrjen e Presidentes së Republikës së Kosovës në Ballon Vjeneze të organizuar nga Ambasada e Austrisë në Prishtinë dhe mospjesëmarrjen në shënimin e përvjetorit për personat e pagjetur më 27 Prill, Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës jep këtë sqarim:

Në kuadër të agjendës së aktiviteteve të Presidentes së Kosovës për ditën e premte 27 prill 2012, protokolli i Zyrës së Presidentes me kohë i ka njoftuar organizatorët e Ditës së Përkujtimit të të   Pagjeturve, se Presidentja nuk do të mund të marrë pjesë në përkujtimin dhe në vënien e gurë themelit në Kompleksin Memorial në Mejë. Gjithashtu me kohë është njoftuar edhe FSK-ja se Presidentja nuk do të mund të marrë pjesë në ushtrimin fushor “Shqiponja 1”. Opinioni tashmë e di se në organizim të Ambasadës së Austrisë në Kosovë, më 27 Prill në mbrëmje, është mbajtur për herë të parë në Prishtinë “Balloja Vjeneze”, një ngjarje tradicionale austriake me qëllime humanitare dhe bamirësie. Në kuadër të këtij manifestimi janë mbledhur fonde të posaçme për Klinikën e Pediatrisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, për fëmijët e Kosovës. Pjesëmarrja e Presidentes së Republikës së Kosovës në këtë aktivitet, ku ishte i përcaktuar kodi i veshjes, ka pasur qëllime krejtësisht humanitare dhe bamirëse dhe si e tillë ka ndihmuar në mbledhjen e fondeve të caktuara për qëllime humanitare. Zyra e Presidentes së Kosovës sqaron se është e drejtë e medieve që të komentojnë agjendën ditore dhe programore të Presidentes dhe të nxjerrin konkluzionet se në cilën ngjarje është dashur dhe ku nuk është dashur të shkojë dhe çfarë porosi janë dhënë apo është dashur të jepen… dhe ky interes e ka përcjellë Presidenten pothuajse në secilin aktivitet të saj brenda dhe jashtë vendit.   Zyra e Presidentes sqaron se Presidentja e Republikës së Kosovës çështjen e të pagjeturve, si një çështje shumë të dhimbshme dhe me trajtim parësor, e ka pasur në agjendën e saj që prej fillimit të mandatit dhe ishte në Mejë e në Gjakovë përpara një viti dhe ajo e ka ngritur atë në shumë takime me përfaqësues ndërkombëtarë brenda dhe jashtë vendit. Presidentja e Republikës së Kosovës i ka takuar në zyrën e saj delegacionet e shoqatave të familjarëve të të pagjeturve, dhe delegacionin “Thirrja e Nënave”  në përpjekje të gjetjes së  mundësive për zbardhjen e fatit të të pagjeturve, ndërkaq këtë javë është caktuar edhe një takim tjetër, dhe kjo çështje vazhdon të mbetet një prej angazhimeve madhore për Presidenten e Republikës së Kosovës. 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.