...

Mesazhe urimi të Presidentit Sejdiu me rastin e Bajramit të Madh

18.09.2009. – Me rastin e festës së Bajramit të Madh, Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu u ka dërguar mesazhe urimi qytetarëve të vendit dhe besimtarëve islamë, si dhe kryetarit të Bashkësisë Islame të Kosovës, mr. Naim Tërnava, në të cilat thuhet: Qytetarë të dashur të Republikës së Kosovës,

Në vigjilje të festës së Bajramit të Madh, dua t’ju shpreh urimet e mia më të përzemërta, me dëshirën që në vatrat tuaja të mbretërojë paqja, harmonia dhe dashuria. Uroj në mënyrë të veçantë të gjithë ata besimtarë të devotshëm që me agjërim kanë kaluar këtë muaj nën shenjën e adhurimit të Zotit, me besimin se veprat e mira, urtësia dhe sakrifica personale na afrojnë me njëri-tjetrit dhe me botën e qytetëruar mbarë.Festa e Bajramit të Madh është festë e gëzimit dhe e falënderimit për Zotin. T’i kujtojmë me nderimin e përhershëm, edhe në këtë ditë të shenjtë, ata që u flijuan për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e vendit tonë të dashur. Po ashtu, ritheksojmë mirënjohjen tonë të gjithmonshme për miqtë tanë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe vendet e tjera të botës demokratike për mbështetjen e madhe që i kanë dhanë dhe po i japim Kosovës.Republika e Kosovës, atdheu ynë i shtrenjtë, është shtet laik dhe neutral në çështje të besimeve fetare. Por, njëkohësisht, ajo siguron dhe garanton edhe me kushtetutë ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore e fetare të të gjitha etnive që jetojnë në Kosovë.  Urime, shëndet dhe fat!Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës dhe miqtë e saj! Presidenti i Republikës së Kosovës, Dr. Fatmir Sejdiu   *****Presidenti Sejdiu uroi Kryetarin e Bashkësisë Islame të Kosovës, mr. Naim Tërnava   Me rastin e festës së Bajramit të Madh, Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu i dërgoi një telegram urimi Kryetarit të Bashkësisë Islame të Kosovës, mr. Naim Tërnava. Më poshtë po e japim tekstin e këtij telegrami:    I nderuari z. Naim Tërnava,Kryetar i Bashkësisë Islame të KosovësNë emër të popullit dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës ju shpreh urimet më të ngrohta për festën e Bajramit të Madh, të cilën për herë të dytë po e kremtojmë në shtetin tonë të pavarur e sovran.Duke e çmuar lart kontributin e Bashkësisë Islame të Kosovës për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, si dhe punën e këtij institucioni për ruajtjen, kultivimin e vlerave shpirtërore dhe thellimin e frymës së tolerancës ndërnjerëzore dhe fetare në vend, uroj që kjo ditë e shënuar të na bashkojë edhe më shumë të gjithëve rreth qëllimit madhor për forcimin e shtetit dhe institucioneve tona demokratike.Me dëshirën që përkushtimi Juaj për paqe, tolerancë dhe stabilitet në Republikën e Kosovës të ketë jehonën e vet edhe në të ardhmen, ju lus z. Kryetar, të pranoni ndjenjën e konsideratës sime më të lartë. Me respekt,Dr. Fatmir Sejdiu,President i Republikës së Kosovës

This site is registered on wpml.org as a development site.