DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjala e Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, në ceremoninë deklarimit të kapaciteteve fillestare operacionale të FSK-së

Institucionet e Republikës së Kosovë po bëjnë përpjekje të gjithanshme që t’i arrijnë standardet e kërkuara për integrimet euroatlantike. Pa dyshim, puna e deritanishme për ndërtimin e FSK-së është njëra ndër rrëfimet më të mira të suksesit të përgjithshëm që është arritur në Republikën e pavarur, sovrane dhe demokratike të Kosovës. Megjithatë, punë të tjera të mëdha na presin në të ardhmen, sepse të gjithë ne jemi të përkushtuar që Forca e Sigurisë së Kosovës të jetë një forcë moderne, e disiplinuar dhe e përgjegjshme për detyrat dhe sfidat që e presin

18.09.2009. – Para tri ditësh, në cilësinë e Presidentit të Republikës së Kosovës dhe të Komandantit Suprem të Forcës së Sigurisë së Kosovës, prita në kabinetin tim Komandantin e KFOR-it, gjenerallejtënant Markus J. Bentler, i cili ma dorëzoi vendimin e strukturave komanduese të NATO-s me vlerësimin se Forca e Sigurisë e Kosovës (FSK) ka arritur Kapacitetet Fillestare Operacionale.  Ky vendim i rëndësishëm i zinxhirit komandues të NATO-s është marrë pas sugjerimit të Shtabit të Përgjithshëm të KFOR-it se pjesëtarët e FSK-së kanë shënuar rezultate të mira në kapacitetet e saj fillestare, në deminim, kërkim-shpëtim, zjarrfikje dhe operacione të tjera, në operacionin “Luani i Shkathët”, të mbajtur në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ferizaj, më 3 shtator 2009. Kjo datë, njësoj si edhe dita e sotme, është me peshë të veçantë për Republikën e Kosovës. Siç e kam theksuar edhe në takimin e sipërpërmendur me Komandantin Bentler, vendimi për vlerësimin se Forca e Sigurisë e Kosovës ka arritur  Kapacitetet Fillestare Operacionale është një lajm i madh për Kosovën.Sot, dua të ripërsëris mirënjohjen tonë të thellë për KFOR-in, që e ka mbështetur në çdo hap FSK-në për të arritur këtë rezultat kaq domethënës për vendin tonë. Të nderuar pjesëmarrës të këtij manifestimi, Institucionet e Republikës së Kosovë po bëjnë përpjekje të gjithanshme që t’i arrijnë standardet e kërkuara për integrimet euroatlantike. Pa dyshim, puna e deritanishme për ndërtimin e FSK-së është njëra ndër rrëfimet më të mira të suksesit të përgjithshëm që është arritur në Republikën e pavarur, sovrane dhe demokratike të Kosovës. Megjithatë, punë të tjera të mëdha na presin në të ardhmen, sepse të gjithë ne jemi të përkushtuar që Forca e Sigurisë së Kosovës të jetë një forcë moderne, e disiplinuar dhe e përgjegjshme për detyrat dhe sfidat që e presin. Ritheksoj se mbështetja e NATO-s, përkatësisht KFOR-it, ka rëndësi të jashtëzakonshme në këtë proces, i cili duhet dhe do të përmbyllet me sukses për të mirën e të gjithë qytetarëve të vendit tonë.Republika e Kosovës është e vendosur që të ketë një forcë serioze të sigurisë, e cila do të shërbejë si shembull i respektimit të larmisë etnike që ka vendi ynë dhe diversitetit të pasur kulturor që kemi trashëguar. Në këtë qëllim fisnik, le të udhëhiqemi përherë nga synimi e vizioni ynë për një të ardhme më të mirë për vendit tonë dhe të gjithë rajonin.Paqja, stabiliteti i qëndrueshëm dhe integrimi i rajonit tonë në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në institucionet e tjera ndërkombëtare nuk mund të quhet mision i përfunduar, përderisa qoftë edhe një vend i vetëm i rajonit mbetet jashtë kësaj kornize. Republika e Kosovës është e vendosur që të jetë anëtare me të drejta të plota e këtyre institucioneve. Duke qenë të bindur se ndihma e vendeve mike nuk do të na mungojë, siç nuk na ka munguar asnjëherë, ne besojmë se pavarësisht sfidave, kjo ditë të vijë më shpejt sesa e kanë menduar edhe më optimistët.Uroj që pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, qoftë edhe në mënyrë simbolike, të jenë sa më parë pjesë e misioneve paqësore të NATO-s kudo që paraqitet nevoja. Kjo do të ishte një dëshmi më shumë se Kosova është tërësisht e përkushtuar për paqen dhe prosperitetin e popujve kudo në botë.Ju faleminderit!

This site is registered on wpml.org as a development site.