presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidenti Fatmir Sejdiu priti një delegacion të Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës

17.09.2009. – Presidenti i Republikës së Kosovës, dr.Fatmir Sejdiu priti sot një delegacion të Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës (QKRMT), me rastin e dhjetëvjetorit të veprimtarisë së kësaj qendre.

Dr. Feride Rushiti, drejtoreshë ekzekutive e QKRMT, e njoftoi Presidentin Sejdiu me punën e kësaj qendre, e cila ka për qëllim ngritjen e mirëqenies psiko-sociale të viktimave të torturës nëpërmjet rehabilitimit, riintegrimit dhe risocializimit. QKRMT, e cila ka filluar ofrimin e shërbimeve të saj që nga mbarimi i luftës në Kosovë, gjatë këtyre dhjetë viteve të veprimtarisë ka afruar shërbime për viktimat e torturës së luftës dhe të familjarëve të tyre, duke synuar ngritjen e kualitetit të jetës së tyre nëpërmjet sigurimit të tretmanit të vazhdueshëm profesional psiko-social dhe psikologjik. QKRMT, po ashtu, mbledh informacione, dokumente dhe materiale që kanë të bëjnë me torturën dhe të mbijetuarit e torturës, me synim që të nxisë aktivitetet që sigurojnë mbrojtje ligjore të këtyre viktimave.Duke e vlerësuar lart kontributin që ka dhënë QKRMT gjatë këtyre dhjetë vjetëve të veprimtarisë së vet, Presidenti Sejdiu ofroi mbështetjen e vazhdueshme për veprimtarinë e kësaj qendre në sigurimin e  ndihmës profesionale për të gjithë ata që vuajnë pasojat e torturës dhe traumave të luftës në Kosovë.

This site is registered on wpml.org as a development site.