DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Sejdiu: Republika e Kosovës – faktor i rëndësishëm i paqes dhe i stabilitetit në rajon

“Unë jam i impresionuar me transformimet e mëdha që kanë ndodhur në Kosovë gjatë këtyre dhjetë vjetëve të fundit, si në aspektin politik, ashtu edhe në atë të respektimit të të drejtave dhe lirive të njeriut”, theksoi Sir John Stanley, kryesues i një delegacioni të Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë të Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, gjatë në takimi që pati sot në Prishtinë me Presidentin e Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu dhe me Kryeministrin Hashim Thaçi.

Duke rikujtuar vizitën e tij të parë në Kosovë, menjëherë pas hyrjes së trupave të NATO-s, ai theksoi se qysh në takimin e atëhershëm me Presidentin Ibrahim Rugova,  kishte mbetur i mahnitur me gatishmërinë e kosovarëve për t’i përmbushur standardet e kërkuara për liritë dhe të drejtat e njeriut.    Në këtë takim, u diskutua gjerësisht për bashkëpunimin e gjithanshëm në mes dy vendeve. Me këtë rast, Presidenti Sejdiu u shprehu parlamentarëve britanikë mirënjohjen e thellë për përkrahjen e vazhdueshme që ky vend ka dhënë për jetësimin e aspiratave të popullit të Kosovës për liri e pavarësi, si dhe për mbështetjen e pakursyer në procesin e forcimit të institucioneve të vendit tonë.“Republika e Kosovës ka ndërtuar institucione demokratike e funksionale dhe është shndërruar në një faktor të rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin e rajonit”, tha Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, duke ritheksuar se Kosova është e vendosur të punojë me të gjitha potencialet për ta përshpejtuar procesin e integrimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO.“Ne nuk kemi vizion tjetër përveç atij të integrimit në BE dhe në NATO”, pohoi Presidenti Sejdiu, i cili rikonfirmoi zotimin e Republikës së Kosovës për marrëdhënie të mira me të gjitha vendet fqinje, si dhe për jetësimin e plotë të Planit të Presidentit Ahtisari.Ndërkaq, Kryeministri Thaçi foli për vizionin e Qeverisë së Kosovës për rimëkëmbjen ekonomike, si dhe për sfidat politike me të cilat po ballafaqohet vendi, veçmas në pjesën veriore, ku ende veprojnë strukturat paralele serbe të financuara nga Beogradi. Ai foli edhe për përgatitjet që po i bëjnë institucionet e Republikës së Kosovës për zgjedhjet lokale të 15 nëntorit. Po ashtu, në këtë takim, u diskutua edhe për procesin e lobimit për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga sa më shume vende të botës, kurse Sir John Stanley ritheksoi vendosmërinë e Britanisë së Madhe për ta ndihmuar Kosovën edhe më tej në këtë proces të rëndësishëm.

This site is registered on wpml.org as a development site.